Personat e moshave nga 40-65 vjec kontrolle mjekesore falas

Personat e moshave nga 40-65 vjec kontrolle mjekesore falas

Personat e moshave nga 40 – 65 vjeç do të kenë mundësi që t’u nënshtrohen kontrolleve mjekësore falas. Kjo nismë është bërë e ditur nga Ministria e Shëndetësisë, e cila njoftoi se  këto kontrolle bazë diagnostikuese dhe parandaluese do të bëhen për të kapur në kohë dhe mbajtur në kontroll sëmundshmërinë e kësaj grupmoshe.

 Rreth 800 mijë persona do të përfitojnë nga program i kontrollit bazë falas te moshat 40-65 vjeç, që pritet të nisë në gjysmën e dytë të vitit. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, teksa prezantoi paketën e kontrollit bazë ftoi qytetarët ta përqafojnë këtë nismë.

“Në rrugën drejt burimit universal na duhet të krijojmë një qasje të re. Tradicionalisht sistemi shëndetësor ka pasur në qendër sëmundjen, le të përpiqemi të vëmë në qendër shëndetin. Qoftë parandalimi , qoftë zbulimi i hershëm janë investim për shëndetin. Kjo është arsyeja pse një nga shtylla e programit tonë katërvjeçar për shëndetësinë është programi i kontrollit mjekësor bazë për shqiptarët rezidentë të grupmoshave 40-65 vjeç.

Ne i ftojmë shqiptarët e shëndetshëm të zhvillojnë përgjegjësitë individuale kundrejt shoqërisë, që po bëhet gati të marrë përsipër kostot e kujdesit shëndetësor të gjithsecilit, i ftoj që njëherë në vit pa pagesë të paraqiten në qendrën shëndetësore pranë banimit dhe të bëjnë kontrollin bazë.

Jemi në rrugën e përmbushjes së angazhimeve tona elektorale, programore dhe qeverisëse, u zotuam për heqjen e TVSH për barnat dhe shërbimet shëndetësore dhe ja ku jemi, pas tre ditësh do bëhet efektive, lista e re e barnave të rimbursueshme që bëhet edhe ajo efektive pas tre ditësh ka 56 barna të reja, lista e re e barnave esenciale spitalore vetëm në QSUT shoqërohet me rritje të buxhetit 29%”, tha Beqja.

Paketa e ekzaminimeve

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, sqaroi paketën e ekzaminimeve që do të ofrohen falas për këtë grupmoshë, por edhe se ku mund të përfitohet prej tyre. Kontrolli mjekësor do të ofrohet në 250 qendra shëndetësore, nga 421 që funksionojnë në vend.

“Paketa e ekzaminimeve parashikohet të përfshijë konsultë të hollësishme me fokus tek konsumi i duhanit dhe i alkoolit, ushqyerja, si dhe aktiviteti fizik.  Ndërkohë, në paketë përfshihen ekzaminime fizike, si matja e presionit të gjakut dhe BMI (diametri i barkut), si dhe ekzaminime laboratorike si glicemia, kolesteroli total, HDL kolesterol, LDL kolesterol, triglyceride, formulë e gjakut, si dhe Hb, HCT, MCV, MCH, MCHC, albuminuria, prania e qelizave, cilindrave, kristaleve në urinë, feçe për gjak.

Po kështu, paketa përfshin ekzaminime për shëndetin riprodhues, kancerin e qafës se mitrës, si dhe mamografi për kancerin e gjirit, por edhe për shëndetin mendor. Kontrolli mjekësor bazë do të ofrohet në 250 qendra shëndetësore, nga 421 që funksionojnë në vend”, tha Rjepaj.

Përzgjedhja e tyre, sipas Rjepajt, do të bëhet në bazë të karakteristikave demografike, kapaciteteve infrastrukturore dhe burimeve njerëzore në dispozicion, por edhe të shpërndarjes së popullatës dhe infrastrukturës rrugore.

Për të arritur zona më të largëta, do të jenë në dispozicion njësi mobile të marrjes së mostrave dhe depistimit. Programi i depistimit synon të përdorë kartelën e pacientit/individit të regjistruar pranë mjekut përkatës të familjes, në mënyrë që të dokumentohen të dhënat e depistimit, të mblidhen dhe të dërgohen në qendrën e përpunimit të informacionit. Megjithë kufizimet, depistimi i popullatës mund të ketë avantazhe për përmirësimin e shëndetit publik.

Sëmundjet kronike jo të transmetueshme, veçanërisht ato kardiovaskulare dhe tumorale, janë shkaktarët më të mëdhenj të vdekshmërisë në Shqipëri. Këto sëmundje kanë në bazë të tyre një stil jetese jo të shëndetshme, ndaj insistohet që të mund të parandalohen, duke u kapur në kohë dhe duke ndikuar në edukimin shëndetësor të popullatës për një stil të shëndetshëm jetese.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama