Pirroja ne Itali

Në vitin 280 p.e.sonë, në krye të një ushtrie të madhe të përbërë kryesisht nga kontingjente molosësh, thesprotësh dhe kaonësh (20 000 këmbësorë, 3 000 kalorës, 2 000 varkëtarë e 500 hobetarë), Pirroja u nis për në Itali, duke pasur me vete dhe 200 elefantë. Pasi arriti në Tarent ai mori menjëherë masa për ta vënë qytetin në pozita lufte; rekrutoi ushtarë nga popullsia qytetare dhe në krye të forcave të bashkuara i doli përpara ushtrisë romake që po përparonte në drejtim të qytetit. Të dy ushtritë kundërshtare u ndeshën pranë Heraklesë. Këtu u zhvillua beteja e parë, në të cilën Pirroja korri një fitore të shkëlqyer, që ia ngriti lart autoritetin mbretit epirot në sy të aleatëve. Në anën e tij kaluan tani dhe fiset italike kundërshtare të Romës, si edhe pjesa më e madhe e qyteteve greke të Italisë së Jugut.
Fitorja e Heraklesë, megjithatë nuk e zgjidhi fatin e luftës. Në vitin 277 p.e.sonë, Roma grumbulloi forca të tjera të mëdha dhe e detyroi Pirron të hynte përsëri në luftë me të. Por në një betejë të ashpër dhe të përgjakshme që u zhvillua pranë Askulit, Pirroja arriti t’i thyente për të dytën herë romakët. Ata nuk mundën t’i qëndronin manovrimit taktik luftarak të Pirros dhe aq më pak sulmit të tërbuar të elefantëve, të cilët sollën panik në ushtrinë romake. Pirroja fitoi edhe kësaj radhe, por kjo fitore i kushtoi atij humbje shumë të mëdha. Që atëherë fitore të tilla me humbje u bënë zakon të quhen fitore pirrike ose “fitore e Pirros”. Pavarësisht nga sukseset e para të shpejta dhe të bujshme të Pirros, gjendja e tij në Itali sa vinte e vështirësohej. Forcat epirote të ndodhura larg atdheut të tyre, vinin gjithnjë duke u pakësuar dhe duke u dobësuar, ndërsa Roma kishte ende rezerva të shumta materiale e njerëzore për të vazhduar luftën. Pirroja, megjithatë, nuk u tërhoq nga fushata e tij në Itali. Mirëpo, pa përfunduar ende paqen me romakët, ai u nis për në Sicili për t’i shkuar në ndihmë Sirakuzës, të cilën e kishin sulmuar kartagjenasit. Për të kontrolluar gjendjen në Itali, ai la vetëm disa garnizone.
Në vitin 276 p.e.sonë, forcat aleate epirote, greke dhe italike të udhëhequra nga Pirroja, i shpartalluan keqas pushtuesit e ishullit dhe i zbuan ata pothuaj nga tërë Sicilia. Kjo fitore e shpejtë dhe e shkëlqyer e rriti pushtetin politik dhe ushtarak të Pirros, saqë siciliasit e deklaruan atë prijës dhe mbret të tyre. Por Pirroja, si gjithnjë i papërmbajtur në aspiratat e tij të guximshme politike, filloi menjëherë të ushqejë mendimin për t’u hedhur në Afrikë edhe pse nuk e kishte të sigurt akoma gjendjen në Itali. I prerë në vendimin e tij, ai iu vu përgatitjes së flotës dhe organizimit të ushtrisë, pa menduar se ata kërkonin rezerva të mëdha njerëzore dhe financiare, të cilat siciliasit e lodhur nga luftërat dhe anarkia që kishte pllakosur vendin pas vdekjes së Agathoklit, nuk mund t’i siguronin. Nga ana tjetër, ndërhyrja arbitrare e Pirros në punët e brendshme të qyteteve të Sicilisë dhe shkelja nga ai e traditave të tyre demokratike, bëri që Pirroja të humbiste dita-ditës e më shumë besimin në ishull dhe të bëhej objekt sulmesh dhe komplotesh të rrezikshme për jetën e tij dhe fatin e ushtrisë epirote. Këtë situatë të brendshme plot turbullira dhe pasiguri, e shfrytëzoi menjëherë Kartagjena, e cila dërgoi ushtri të mëdha për ripushtimin e ishullit. Të përkrahur tani edhe nga qytetet opozitare, kartagjenasit arritën me lehtësi t’i shkaktonin humbje mbretit epirot. Në duart e tij mbeti vetëm Sirakuza, por edhe prej saj atij iu desh të hiqte dorë, meqenëse në këtë kohë romakët kishin rifilluar sulmet kundër aleatëve dhe garnizoneve të tij në Itali. Me t’u kthyer në Itali, Pirroja riorganizoi forcat e veta dhe të aleatëve të tij dhe u drejtua menjëherë kundër dy konsujve romakë, të cilët me legjionet e tyre po vepronin në drejtime të ndryshme. Në këtë situatë ai vendosi t’i thyejë ato veçmas, sa kohë që ende nuk ishin bashkuar. Sulmoi në befasi legjionin romak që gjendej pranë Beneventit. Këtu u zhvillua edhe beteja e tretë dhe e fundit për Pirron në Itali, ku pësoi disfatë të plotë. Pasi qe tërhequr me humbje të mëdha në Tarent, Pirroja provoi të kërkojë ndihma nga Antigon Gonata dhe Antiohu i Sirisë për ta vazhduar luftën kundër Romës, por më kot. I lodhur dhe pa pasur ndonjë shpresë për të realizuar i vetëm qëllimet e tij në Gadishullin Italik, ai u kthye në Epir me ushtrinë epirote që i kishte mbetur, duke lënë në Tarent vetëm të birin e tij Helenin.
Në luftën kundër Romës Pirroja angazhoi forca të mëdha epirote dhe aleate, që mbulonin mjaft mirë legjionet e kundërshtarit dhe manovroi me sukses për një kohë në operacionet luftarake, duke vënë në përdorim një sistem taktik luftimi nga më të përparuarit e kohës. Mirëpo ushtria që komandonte Pirroja, ndryshonte nga përbërja dhe fryma luftarake nga ajo e kundërshtarit. Ajo nuk e kishte kompaktësinë e ushtrisë romake të përbërë nga nënshtetasit e vet, por ishte një ushtri më tepër mercenarësh, të armatosur më së miri dhe të udhëhequr nga një strateg i talentuar, por që kishte hyrë në një aventurë ushtarake.
Pas dështimit të fushatës italike, Pirroja u përpoq të shfrytëzonte në favor të tij gjendjen e krijuar në Ballkan. Së pari, vendosi të shtinte në dorë Maqedoninë. Në vitin 274 p.e.sonë ai hyri në luftë me sundimtarin e saj Antigon Gonatën, i cili sa kohë që Pirroja luftonte në Itali, kishte arritur suksese në konsolidimin e pushtetit të tij qoftë në Maqedoni, qoftë dhe mbi një pjesë të Greqisë. Ai arriti të pushtojë një territor të gjerë të Maqedonisë. Antigonit i mbeti vetëm pjesa në lindje të lumit Vardar. Ishte e qartë se epirotët nuk mund të bëheshin zot të tërë Maqedonisë sa kohë që Antigoni mbante akoma në dorë Maqedoninë bregdetare dhe rrugët e komunikacionit detar. Në këto rrethana Pirroja vendosi ta luftonte kundërshtarin në Peloponez, i cili gjendej nën kontrollin e tij. Në vitin 272 p.e.sonë, pa siguruar ende mirë pozitat e tij në tokat e pushtuara të Maqedonisë, ai arriti në Lakoni. Këtu iu desh të përballonte presionin e forcave spartane dhe maqedone të bashkuara kundër rrezikut epirot. Pasi korri një sërë fitoresh të reja, Pirroja sulmoi më në fund Spartën dhe Argosin, me të cilat zhvilloi luftime të ashpra, por pa rezultate. Gjatë përleshjeve në rrugët e Argosit, Pirroja u plagos dhe ashtu siç ishte i dërrmuar, ra në duart e kundërshtarëve, të cilët e vranë. Ushtria epirote e mbetur pa prijës qe çorganizuar dhe më në fund u shpartallua.
Me luftërat e tij pushtuese në Ballkan, Itali dhe në Sicili, Pirroja e rriti shumë fuqinë politike të shtetit epirot dhe autoritetin e tij në botën mesdhetare. Gjatë sundimit të tij, Epiri arriti të bëhet një nga shtetet më të fuqishme të kohës helenistike.
Në këto luftëra Pirroja pati përkrahjen e plotë të aristokracisë e të skllavopronarëve epirotë, gjithnjë të etshëm për pushtime e lavdi, kurse si mbështetje kishte ushtrinë e vet të stërvitur mirë, të përbërë kryesisht nga fshatarë të lirë, të gatshëm për të luftuar, meqë lufta për ta ishte një mjet fitimi, burim plaçke dhe pasurie. Në këto suksese të veprimeve ushtarake ndikoi edhe situata e jashtme e favorshme për të, dhe pikërisht turbullirat e anarkia që krijoheshin herë pas here në shtetet fqinje nga rrethanat e ndryshme politike.
Këto suksese të shpejta luftarake, megjithëse jo të qëndrueshme, i duhen atribuar në një farë mase dhe vetë manovrimit taktik, të përsosur për atë kohë, të forcave ushtarake gjatë luftimit, që ishte kryesisht meritë e aftësive të shquara taktiko-luftarake të Pirros.
Fitoret e njëpasnjëshme dhe guximi i tij i provuar në beteja të shumta, e rritën së tepërmi autoritetin e Pirros në sy të bashkëluftëtarëve të vet dhe e forcuan aq shumë pushtetin e tij, sa që arriti të sundonte dhe të vepronte i lirë nga çdo kufizim kushtetues i aleancës epirote mbi territoret e pushtuara. Në këtë drejtim ai shkoi aq larg sa caktoi, siç duket, edhe fëmijët e tij si mbretër trashëgimtarë në Itali dhe në Sicili.
Në këto vende Pirroja preu, në kundërshtim me kushtetutën federative epirote, edhe monedha ari e argjendi personale me legjendë “Mbreti Pirro”; por ato, siç kuptohet nga mungesa e tyre në trevat e Epirit, nuk duhet të jenë lejuar të qarkullonin brenda territorit të Aleancës, ku vazhdonin të kishin vlerë vetëm prerjet tradicionale të Federatës së epirotëve.
Në qoftë se në territoret e pushtuara Pirroja sillej si monark i pakufizuar, brenda Aleancës ai mbetej ashtu si dhe më parë mbret i molosëve dhe udhëheqës me pushtet të kufizuar i Federatës epirote.
Pirroja qe një nga strategët më të mëdhenj të kohës helenistike. Kur e pyetën njërin nga shokët e Aleksandrit të Maqedonisë, se kush ishte tani strategu më i shquar, ai iu përgjigj: “Pirroja kur të arrijë moshën e pjekurisë”. Ndërsa më vonë Hanibali, një ndër komandantët më të përmendur të botës antike, i dha Pirros vendin e dytë pas Aleksandrit, kurse vetes vendin e tretë. Pirroja qe njëkohësisht dhe teoricien i madh në artin ushtarak, por planet e tij të gjera nuk ishin gjithnjë të studiuara dhe kishin karakterin e aventurave ushtarake. Talenti i tij ushtarak nuk plotësohej me largpamjen e një politikani të matur dhe të pjekur. Synimet e tij ambicioze u bënë pa llogaritur mirë tendencat e zhvillimit të vrullshëm ekonomik dhe politik të shtetit të ri romak dhe potencialin ushtarak të tij, si dhe mundësitë e kufizuara materiale e njerëzore të Aleancës Epirote. Për këtë arsye dhe humbja përfundimtare e Pirros në këtë ndërmarrje të madhe përtej Adriatikut qe një përfundim i natyrshëm dhe i pashmangshëm.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama