Një pjesë e mirë e këtyre filmave, sidomos ata me metrazh të shkurtër janë shfaqur në edicionet e fundit të Tirana Film Festival. Kjo shumësi prodhimesh është përzgjedhur jo pa qëllim. Përmes tyre jepet zhvillimi i kinematografisë shqiptare, sigurisht me prodhimet më të mira, por për të dhënë edhe historinë e vetë vendit tonë. Ngjarjet që evokojnë filmat vendosen që nga periudha e Mbretit Zog (“Koncert në vitin 1936”), gjatë Luftës së Dytë Botërore (“Lulëkuqe mbi mure”), ardhja në pushtet e komunistëve (“I dashur armik”), vitet nën diktaturë, ndërrimi i sistemeve (“Vdekja e kalit”) periudha e gjatë tranzicionit, i cili zë një vend më të gjerë në filmat shqiptarë. Kështu që publiku Italian, ka mundësi të shohë historinë e një kombi përmes artit. Krahas prodhimeve shqiptare që përbëjnë shumicën (plot 19), në Genova Film Festival do të shfaqen edhe dy filma kosovarë me metrazh të shkurtër (gjithashtu të shfaqur në TIFF), “Hekurishtja” me regji të Burim Halitit dhe “Gjakmarrja” nga Luan Kryeziu. Ky i fundit nga vetë titulli tregon për subjektin që trajton, ndërsa filmi i Halitit me nota të theksuara ironie e grotesku vendoset pas Luftës së Kosovës. “Hekurishtja” ishte fitues i edicionit të shkuar të festivalit “Nine
Eleven” në Prishtinë, ku përveç çmimit për filmin më të mirë, fitoi edhe trofeun për aktorin më të mirë. Mes filmave shqiptarë e kosovarë, është edhe një arbëresh. Bëhet fjalë për dokumentarin “Rrockarbëresh” me regji të Salvo Ciccia e që flet për grupet e rrokut arbëresh në Itali. Prezantimi i kinemasë shqiptare në Itali mundësohet falë një bashkëpunimi të organizatorëve të festivalit me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë Shqiptare (QKK), Qendrën e Arkivit të filmit shqiptar dhe organizatorët e Tirana Film Festival.
Alma Mile : Gazeta Shekulli