Një çamçakëz të ndihmon të dobësohesh dhe kjo jo se përtypja nxit humbjen në peshë, duke lëvizur muskujt e gojës, por sepse çamçakëzi përbëhet nga substanca që çojnë në tru një ndjesi ngopjeje, duke eliminuar kështu urinë. Pas luftimit të sëmundjeve dhe ndihmës për të hequr dorë nga duhani, aktualisht po prodhohet një çamçakëz i ri që mund të jetë zgjidhja për personat të cilët luftojnë kundër kileve të tepërta. Rruga e propozuar nga studiuesit amerikanë, të cilët përmes kërkimeve të ndryshme shkencore kanë arritur për herë të parë të demonstrojnë se hormoni që ndihmon njerëzit të ndihen të ngopur pas vakteve, mund të përhapet në gjak përmes rrugës orale. Ideja ka qenë e një grupi shkencëtarësh amerikanë nga Universiteti “Syracuse”, të udhëhequr nga kimisti Robert Doyle. Hormoni i ndjesisë së kënaqësisë që nxitet nga ngopja, PYY, mund të përhapet në gjak me anë të rrugës orale.
Nga ky zbulim është hedhur edhe hipoteza që gjithçka të arrihet përmes një çamçakëzi. Shkencëtarët thonë se për të arritur rezultatet e dëshiruara, mjafton të përtypësh një çamçakëz pas ngrënies së një ushqimi dhe dëshira për të ngrënë përsëri do të jetë reduktuar: kështu në darkë, në vend të një pjate tunduese me lazanja, ndoshta ju mjafton një pjatë supë e ngrohtë. Rezultatet e studimit u publikuan në revistën “Journal of medical chemistry”: për studimet e tyre, shkencëtarët morën një grup vullnetarësh që kishin probleme me obezitetin dhe u thanë atyre të konsumonin rregullisht çamçakëz pas vaktit të parë. Pas përfundimit të eksperimentit të parë rezultatet ishin shumë inkurajuese. Hormoni në fjalë, që quhet PYY, është pjesë e sistemit kimik që rregullon oreksin dhe shpenzimin e energjisë.
Kur një individ ushqehet ose merret me sport, organizmi lëshon në gjak hormonin PYY: sa më e madhe të jetë sasia e kësaj substance, aq më i madh është numri i kalorive të djegura. Studimet e mëparshme kishin treguar se personat obezë kanë përqendrim të ulët të hormonit “PYY” në gjak, si në momentin që hanë ashtu edhe kur lëvizin. Te personat që vuajnë nga mbipesha hormoni PYY nuk prodhohet normalisht, ndërkohë që te një individ i shëndetshëm sekretimi ndodh pas konsumimit të çdo vakti dhe pas aktivitetit fizik. Kështu, te personat me kile të tepërta çamçakëzi na qenka i aftë të “rizgjojë” një ndjesi të harruar prej shumë kohësh dhe konkretisht fjala është për ndjesinë e ngopjes.
Ju do të pyesni nëse funksionon vërtet? Fillimisht duhet kuptuar nëse është pikërisht uria që i shtyn njerëzit të hanë më shumë se sa duhet, por nëse shkaqet nuk të shtyjnë që të gjesh arsye më të forta, atëherë problemi lidhet me gjendjen psikologjike në të cilën gjendemi. Në çdo rast produkti që konsumojmë duhet të shoqërohet me një regjim ushqimor dhe aktivitet fizik, e theksojmë për çdo lloj produkti pa përjashtim, të cilat janë thelbësore për të arritur një nivel shëndetësor të pranueshëm.
“PYY është një hormon që pret oreksin, por nëse merret përmes rrugës orale, shkatërrohet në stomak dhe përthithet lehtësisht përmes zorrëve”, thotë Doyle. Kështu ekspertët i janë futur punës për të gjetur mënyrën e fshehjes së hormonit që ky i fundit të “udhëtojë” përmes aparatit tretës dhe të mos jetë i dëmshëm. Para disa vitesh, Doyle gjeti një mënyrë për të përdorur vitaminën B12 si mjet transporti për administrimin oral të insulinës: në fakt vitamina B12, është e aftë të kalojë lehtësisht përmes aparatit tretës dhe të marrë me vete insulinën, ose substanca të tjera në gjak. Në këtë mënyrë grupi i studiuesve provoi ta shoqëronte hormonin PYY me këtë vitaminë përmes sistemit të patentuar të Doyle. Qëllimi u arrit. Tani hapi pasardhës do të jetë gjetja e një mënyre për ta futur “çiftin B12-PYY” në një ushqim dhe i tillë është çamçakëzi.
Çamçakëzi kundër kileve të tepërta do të funksionojë në këtë mënyrë: në fillim do të konsumohet një vakt i ekuilibruar, pastaj do të përtypet çamçakëzi, që efektin do ta ketë pas 3-4 orësh, duke ulur oreksin kur afrohet vakti tjetër. Në botë, një në dhjetë persona është obez. Kështu shkenca e ka bërë prej kohësh prioritet luftën kundër kësaj sëmundjeje. Para disa ditësh kundër kileve të tepërta u prezantua “Mandometer”, pjata që flet, e cila e lidhur me një peshore që peshon ushqimet, jep informacione mbi shpejtësinë me të cilën është konsumuar ushqimi.
Muajt e kaluar një sërë studimesh treguan vetitë dobësuese të ushqimeve që tradicionalisht kanë qenë hiperkalorike, siç është çokollata ose gjalpi. Tani duke u ndihmuar nga një çamçakëz i thjeshtë do të hani më pak. Kjo gjë do t’i lejojë njerëzit të ndryshojnë sjelljen e tyre ndaj të ngrënit dhe të humbasin peshën më lehtë.