Drejtuesit e Kukësit kanë zhvilluar një konferencë për shtyp.
Ata kanë inauguruar zyrat e reja të klubit në kryeqytet, duke i cilësuar të denja për një ekip europian sikundër është Kukësi. Drejtori Ekrem Spahiu e cilësoi këtë ambient të ri si një aset të shtuar, por nuk hezitoi që të fliste për ecurinë dhe objektivat e Kukësit.
"Zyrat e reja, që janë më se moderne, u bashkohen aseteve që ka ky klub. Kukësi është një klub europian dhe kjo është vërtetuar me ecurinë që ka pasur ky ekip në Europë, duke qenë i pari klub shqiptar që ka shkuar në fazë të katërt të kompeticioneve europiane. Dhe këtë sezon jemi në rrugë të mbarë, jemi brenda objektivave, të cilat në fund besoj se do t'i kurorëzojmë me sukses.
Ekipi ka një ecuri shumë pozitive, ku në 8 ndeshjet e fundit kemi 7 fitore dhe vetëm 1 barazim në kryeqytet me Tiranën. Pa përkushtimin dhe mbështetjen e gjithanshme të presidentit Gjici, sigurisht që do të ishte e pamundur kjo ecuri. Ai, veç korrektësisë në paga, ka dhënë edhe premio, siç ishte kjo e fundit me Skënderbeun.
Nga ana tjetër, tashmë i mbetet ekipit dhe stafit për detyrë që të realizojnë objektivin sezonal. Janë edhe 7 ndeshje për kampionatin dhe 2 për Kupën, çka do të thotë se janë edhe 9 finale për të kapur Kupat e Europës, nëpërmjet kampionatit, dhe duke fituar trofeun e Kupës", u shpreh drejtori Spahia.