Perurohet shtatorja e Adem Jasharit Berisha Mirenjohje perjete vepres se tij

Perurohet shtatorja e Adem Jasharit, Berisha: Mirenjohje perjete vepres se tij
Kryeministri Berisha së bashku me Rifat Jasharin, anëtar i familjes Jashari, kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, zbuluan sot pasdite shtatoren e heroit legjendar Adem Jashari. Shtatorja, e realizuar nga skulptori Muntaz Dhrami, u vendos në sheshin në hyrje të bllokut të ambasadave, në rrugën e “Durrësit”, në Tiranë.

Të pranishëm në këtë ceremoni, krahas autoriteteve të larta të vendit, ishin dhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim të Maqedonisë, Ali Ahmeti, etj.

Pas përurimit të shtatores, Kryeministri Berisha dhe personalitetet e tjera të pranishme në këtë ceremoni vendosën në të buqeta me lule.

Kryeministri Berisha vlerësoi lart figurën dhe kontributin e heroit legjendar Adem Jashari, si dhe u shpreh se mirënjohja dhe detyrimi ndaj veprës së tij, sot e përjetë, do të njohë vetëm rritje të rëndësishme.

“Mirënjohja dhe detyrimi ynë ndaj veprës së tij, sot e përjetë, do të njohë vetëm rritje të rëndësishme. Adem Jashari, i derdhur sot në këtë shtatore madhështore nga skulptori i shquar Muntaz Dhrami, ka një fole të përjetshme në zemrën e të gjithë shqiptarëve. Ai do të prehet aty për sa kohë do të jetojë flamuri i tyre legjendar, sepse ai, pas Skënderbeut, është flamurmbajtësi më dinjitoz, më trim, më burrëror i këtij flamuri. Ai u faktoi shqiptarëve dhe botës se heroizmi i këtij kombi nuk ka kufij, se sakrifica e tij për liri dhe dinjitet kombëtar nuk njeh kufij, se është i gatshëm për çdo çmim, për lirinë dhe dinjitetin e tij, të kombit, të vendit të tij”, u shpreh kryeministri Berisha.

Duke u shprehur se çdo shqiptar, në të gjitha trojet, ndihet krenar për heroin e luftës së Kosovës, Adem Jasharin, Kryeministri Berisha theksoi se do të bëjmë gjithçka për të bërë realitet ëndrrën e bashkimit kombëtar, si ëndrra më e bukur, si ëndrra e vërtetë evropiane e këtij kombi.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama