Pervjetori Kadri Roshi meritonte me shume

Pervjetori, Kadri Roshi meritonte me shume
U kujtua në një ceremoni “modeste” aktori i madh.

Kineasti Petrit Ruka shfaqi 15 minuta pamje filmike nga arkivi i tij personal

Kaluan 5 vjet që nga ajo ditë shkurti me shi, ku i madh e i vogël erdhi ta përcillte. U ngritën nga ana e anës mallakastriotët e lagur qullë për ta përshëndetur për herë të fundit… Binte shi edhe dje… Një nga një u mblodh një grusht njerëzish në hollin e ftohtë të Teatrit Kombëtar për të përkujtuar të madhin Kadri Roshi në 5-vjetorin e vdekjes. Drita Pelinku, Roza e Dhimitër Anagnosti, Pirro Milkani, Mirush Kabashi, Alfred Bualioti…, erdhën ta kujtonin. Çdo rast do të ishte i mirë për të folur për këtë aktor që zor se i vjen më skenës shqiptare, por duket se organizatorët e kishin marrë pak “lehtshëm” këtë përvjetor. Duket sikur gjithçka është improvizim i minutave të fundit. Ca fjalë të formuluara me të shpejtë, ku përsëritej vazhdimisht fjala “i pazëvendësueshëm”, ca emra personazhesh e shfaqjesh… Kadri Roshi meritonte pa dyshim shumë më shumë se kaq. Por Kadri Roshi (të cilit nuk i kanë munguar titujt e urdhrat) sigurisht që nuk ka nevojë për ceremonira të përgatitura me ngut, sepse ai, edhe pas 5 vjetësh flet vetë. Kineasti Petrit Ruka “e shpëtoi” këtë aktivitet, duke sjellë dje 15 minuta pamje filmike, të pashfaqura ndonjëherë më parë, gjatë të cilave harroje se Kadri Roshi nuk është më fizikisht. “Jeta e tij ishte aq e gjerë, saqë asnjë dokumentar nuk do të mund të mbulonte dot, kështu që iu ktheva sërish figurës së tij përmes një libri. Kanë kaluar 14 vjet nga realizimi i këtij dokumentari, ku kemi xhiruar në Butrint, Ballsh, Tepelenë, në ato vende ku ka kaluar jetën dhe mahnitesh nga figura e tij e pazëvendësueshme. Në këto pamje që do të shfaqen, janë 15 minuta të shkëputura nga arkivi im personal. Janë pjesë, të cilat aso kohe nuk i përfshiva në dokumentar, por sot duken të papërsëritshme”, thotë Ruka, ndërsa ia lë fjalën vetë aktorit.

“Pa folur kanë mbetur mijëra fjalë, që s’i kuptoi dot kjo botë e trashë”, thotë Kadri Roshi, teksa fjalët me zor i dëgjohen në filmin e shfaqur në mur. Por për të flasin vetë imazhet. Me një pamje prej profeti, flokë e mjekër të bardhë që ia merr era, ai diç mërmërit. Është moment përgatitjeje. Pak më pas do t’i duhet të interpretojë monologun e Zorbës në filmin dokumentar që i kushtohet. E ndaj bluan me vete fjalët që do të thotë, flet me sy e vetull. Kamera i qaset vjedhurazi për të fiksuar ca nga ato momente, që zor se mund të bëhen me porosi. E ai vazhdon të mërmërisë e hiri i cigares zgjatet drejt gishtave. Pastaj, tek e sheh me çantë e grepa në dorë për t’u ulur në breg deti a liqeni e për të pritur me durim tërheqjen e kallamit të peshkimit. Pak më vonë shfaqet i veshur si Ali Pashë Tepelena mbi bedenat e kështjellës, që peng e pati që nuk e luajti dot në një film. Ka zgjatur mjekrën, në kokë ka vënë një kësulë me pafka të arta e që nga lart tund kokën kërcënueshëm…

Në 15 minuta sheh një njeri të thellë, që në ballë, në sy i lundrojnë turravrap mendimet, që di të aktrojë si s’ka të dytë, ka edhe ca pasione të vogla, siç është peshkimi apo të kënduarit. Si një bir Mallakastre, ai di të këndojë bukur me iso. Në pamjet filmike në ndihmë i vijnë një tufë fëmijësh, që ia hedhin e ia presin zërin… Më pas ia merr një solo: “Të mori çifteja zjarrë, djalë o Kadri bej…”, të cilën regjisori e skenaristi Petrit Ruka ia bashkëngjit ca pjesëve të kënduara tek filmi “Lulëkuqet mbi mure” dhe “Ballë për ballë”. Një personalitet i rrallë, që nuk kishte turp të lotonte, që kishte provuar gjithçka mbi kurriz, që nga motivacioni i “të paaftit”, tek “Nderi i Kombit”. Një personalitet që meritonte shumë më shumë se gjysmë ore aktivitet në hollin e Teatrit Kombëtar, ku salla qendrore mban emrin e tij.

Interpretimi i Roshit, objekt studimi

Drita Pelinku, në përvjetorin e një miku e një kolegu, donte të thoshte ca fjalë më shumë se një renditje rolesh e shfaqjesh, pse jo të zbërthente figurën e Kadri Roshit. “Kadri Roshi u shqua në shkërmoqjen që i bënte materialit dramatik. Brumin e autorit ai e materializonte në skenë dhe e kthente në një figurë konkrete”, u shpreh ajo ndër të tjera, teksa citonte një thënie të vetë Kadri Roshit: “Fjala nuk ka asnjë rëndësi për mua, rëndësi ka ajo që fshihet pas saj”. Duke folur për mjeshtërinë e këtij aktori, ajo tha se “interpretimi i Kadri Roshit duhej të ishte bërë objekt studimi dhe zbërthimi me kohë, në mënyrë që të dilej në përfundime të përgjithësuara për artin skenik”. Duke sjellë ndër mend modestinë dhe natyrën e tij kërkuese, Pelinku kujtoi se Kadri Roshi pranonte vërejtje nga të gjithë edhe nga më të rinjtë, para të cilëve rrinte si para profesorit. I vilte vërejtjet, i verifikonte në prova dhe më pas korrigjonte. “Shumë artistë sot nuk pranojnë vërejtje, sepse duan vetëm elozhe. Shembulli i Kadri Roshit duhet të nxisë kritikën skenike”, tha Drita Pelinku.

I biri,Kliti Roshi: Kadriu zëvendësohet pas 100 vjetësh

I biri pret tek dera. U shtrëngon dorën atyre që vijnë për t’i bërë nderin të atit. Ndryshe nga ata që humbin njerëzit e dashur e u duhet të shfletojnë ndonjë album fotografik që të “çmallen”, atij i vijnë në ndihmë kanalet televizive që transmetojnë filma shqiptarë. Është aty thuajse çdo ditë me atë nënqeshjen dhe vështrimin e zgjuar dhe të duket se ende është në mes tonë. “Dikush para disa kohësh, kur i shkova në zyrë për një problem timin, më thotë: ju jeni biri i filanit. Me thënë të drejtën më bëri pak përshtypje, sepse e tha shumë thjesht.

Unë, më tha, nuk kam për t’i thënë kurrë “i ndjeri”, sepse “i ndjeri” thuhet për ata njerëz që kanë vdekur dhe Kadri Roshi nuk vdes”, tregon Kliti Roshi, teksa kalon tek përjetimet personale. “Kadri Roshi, shoku dhe miku im më i mirë, pastaj babai dhe kolegu, vërtet fizikisht më mungon prej 5 vjetësh, por falë disa ekraneve televizive unë nuk mund ta ndiej mungesën e tij, qoftë edhe fizike. Më duket sikur e kam pranë, sikur do të bisedoj me të, sikur do të ndaj orën se kur do të nisemi për të gjuajtur peshk”. Kur dëgjon që përmendet vazhdimisht fjala “i pazëvendësueshëm”, ai thotë: “Ka qenë një komedi e Qamil Buxhelit “I pazëvendësueshmi”… Ndoshta Kadri Roshi, Sulejman Pitarka etj. etj. (nuk dua të bëj apelin sepse fatkeqësisht është një listë e gjatë), për 100 vjet janë të pazëvendësueshëm, por besoj se pas 100 vjetësh do të zëvendësohen”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama