Zgjati rreth 40 minuta takimi mes ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu dhe Presidentit Bujar Nishani. Rreth orës 10:00 ambasadori Lu mbërriti në ambientet e Presidencës, për të takuar kreun e shtetit.
Takimi i ambasadorit të SHBA-ve vjen vetëm pesë ditë para zgjedhjeve vendore, që do të mbahen më 21 qershor.
Vizita e panjoftuar për mediat e diplomatit amerikan, besohet se lidhet pikërisht me situatën e zgjedhjeve, përfshirë këtu kandidatët që do të garojnë për 61 bashkitë.
Më herët Donald Lu i ka bërë thirrje partive politike që të marrin masa për kandidatët duke mos i garuar, nëse janë pjesë e listës së të inkriminuarve. Ndërkohë që ka bërë të ditur edhe nismën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për ndalimin e hyrjes së politikanëve të korruptuar shqiptarë, në territorin e saj.