Pese dosjet e abuzimeve ne Ministrine e Punes

Pese dosjet e abuzimeve ne Ministrine e Punes

Zyrtarët e Ministrisë së Punës, gjatë kohës që drejtohej nga Spiro Ksera, kanë vjedhur dhe shpërdoruar detyrën në mënyrë flagrante. Auditi i KLSH-së dhe hetimet e mëvonshme të prokurorisë, kanë përcaktuar se janë pesë raste të abuzimeve, kryesisht të vjedhjeve të fondeve të kësaj ministrie, që po verifikohen. Deri më tani, akuza, nisur edhe nga kërkesat në gjykatë për caktimin e masave të sigurisë ndaj zyrtarëve të ministrisë, ka bërë publikë vetëm abuzimet për organizimin e festës së “1 Majit”, ku është abuzuar me spotin dhe me fondet e tjera që dyshohet se janë rreth 20 milionë lekë të reja. Për këtë fakt, akuza ka vënë nën akuzë dhe ka marrë të pandehur plot tetë zyrtarë, të gjithë bashkëpunëtorët më të ngushtë të ish-ministrit, që nga shefi i kabinetit, sekretari i përgjithshëm, drejtori juridik i financës, si dhe persona të tjerë. Ndërkohë, nën hetim janë edhe katër dosje të tjera.

Këshilltari i ministrit

Një nga dosjet që pret të verifikohet nga njësia Task-Forcë është edhe pagesa fiktive e ish-këshilltarit të Spiro Kserës. Ai është Theofanis Kaliviotis, i denoncuar muaj më parë si pjesëtar i partisë “Agimi i Artë” në Greqi. “Këshilltari i ministrit, për periudhën objekt auditimi, gusht 2011 deri më 31 dhjetor 2012, ka rezultuar se ka qenë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë për 270 ditë, nga të cilat 160 ditë pune të paguara dhe të pajustifikuara dhe ku përgjegjësia direkt për këtë rëndon mbi drejtorin e kabinetit të ministrit”, pohojnë burimet nga prokuroria, të cilat pohojnë se do të thërrasin për dëshmi këtë ish-zyrtar.

Dietat e vizat

Prokuroria ka dyshime se zyrtarë të Ministrisë së Punës, kryesisht personat e arrestuar, të shpallur në kërkim dhe të pezulluar kanë abuzuar me detyrën edhe për dietat që kanë akorduar për punonjësit. Ata u kanë dhënë disa shtetasve dieta të majme, pasi argumentohej se do të shkonin jashtë vendit. Por, nga verifikimet e sistemit TIMS është zbuluar se këta persona nuk kanë udhëtuar për asnjë ditë dhe mijërat e eurove i kanë përvetësuar. “Shpenzime të padrejta për shërbime jashtë shtetit në vlerën 10,613 euro dhe pagesa të tjera të kryera padrejtësisht për këshilltarin e ministrit për punë fiktive. Shpenzimet në euro përfaqësojnë rastet kur pala pritëse mbulonte shpenzimet totale ose të pjesshme, ndërsa në urdhrat e shërbimit të firmosura nga ministri, përcaktohej që edhe ministria të mbulonte shpenzimet e shërbimit, si dhe raste të shpenzimeve fiktive për pritje- përcjellje të delegacioneve të huaja ose jo, pa dokumente argumentuese dhe justifikuese bashkëlidhur, në kundërshtim flagrant me moralin dhe kërkesat e ligjit”, thuhet në dosje. Ndërkohë, një enigmë tjetër për akuzën janë edhe emigrimi i disa shtetasve në SHBA. Në fakt, disa persona, që hiqeshin si të punësuar në këtë ministri, janë nisur për një “trajnim” në Amerikë. Pas përfundimit të takimit, rezulton se ata nuk kanë ardhur në Shqipëri dhe ka dyshime se sërish përgjegjës janë personat e hetuar.

Prokurimet për pajisjet

Akuza ka dyshime se ish-zyrtarët e Ministrisë së Punës kanë realizuar blerje për disa pajisje, kur në fakt këto pajisje ekzistonin në këtë ministri. Dyshohet se dëmi i shkaktuar ndaj shtetit është rreth 18 mijë USD. Ka shkelje të kompetencave në procesin e blerjes, si përdorimi i fondeve të institucioneve vartëse. Shkelje është edhe delegimi i procedurave të prokurimit të fondeve të ministrisë, kompetencë e ministrit, institucioneve vartëse, duke copëtuar në këtë mënyrë fondet buxhetore.

Festat fiktive

Prokuroria, referuar materialeve të KLSH-së, thotë se emërimi i drejtorit të kabinetit në shumë raste i komisioneve të eventeve sociale apo të prokurimit të fondeve ishte i jashtëligjshëm. Mësohet se Kleves Bitro, i shpallur në kërkim, ka organizuar disa festa apo aktivitete të ndryshme dhe ka dyshime se ishin të gjitha fiktive. Mungonin faturat apo fotot nga organizimi i festave. Aktiviteti i cili dyshohet se i janë vjedhur fondet ka qenë emërtuar “Prezantimi i mekanizmit kombëtar të referimit të rasteve të viktimave të dhunës në familje”. Në këtë aktivitet s’ka pasur konkurrencë dhe dëmi ka qenë rreth 15 milionë lekë. Rasti i dytë, në organizimin e ngjarjes sociale “Bota femërore, një sfidë me shumë gra në vendimmarrje”, janë paguar shpenzime të pajustifikuara për dekorin e aktivitetit për 7 ditë në vlerën e rreth 4 milionë lekëve të vjetra.


Shkresa

Prokuroria, ministrisë:

Pezullo 4 zyrtarët


Prokuroria e Tiranës i ka dorëzuar dje paradite një shkresë zyrtare Ministrisë së Punës për të pezulluar nga detyra katër punonjës, të marrë nën hetim për shpërdorim detyre dhe abuzime me fondet publike. Ata janë Roland Joanidhi, Alma Lahe, Flora Bitusha dhe Gramoz Xhangolli, zyrtarë të Drejtorisë Juridike dhe të Marrëdhënieve me Publikun. Ka dyshime se këta persona kanë qenë “bashkëpunëtorë” të dy personave të arrestuar dhe dy të tjerëve të shpallur në kërkim midis të cilëve edhe Kleves Bitro, ish-shefi i kabinetit, që cilësohet nga akuza si “organizatori” apo “ekzekutori” i urdhrave që merrte.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama