Kanë mbetur edhe pesë javë deri në fund, të cilat do dhurojnë emocione të forta në garën për titullin kampion të Spanjës. Vetëm pak kohë më parë dukej se ishte një "luftë me mullinjtë e erës", duke parë ecurinë e shkëlqyer të Barcelonës, diferencën e pikëve dhe formën e mirë fizike. Por, në mënyrë të befasishme, katalanasit ranë në një krizë totale, si në rendiment, ashtu edhe në rezultate. Kaq mjaftoi që Atletiko e Madridit ta barazojë me pikë, ndërsa Reali të jetë vetëm një pikë më pak.
Duke iu referuar kalendarit të ndeshjeve të mbetura, mungojnë duelet direkte, apo që cilësohen me një vështirësi shumë të lartë. E para që bie në sy është "favorizimi" i Atletikos nga faktori fushë. Ekipi i Simeones do luajë tri nga pesë përballjet në shtëpi, ndërsa dy kundërshtarët e tjerë do jenë vetëm në dy raste para tifozëve të tyre.
Prova më e vështirë për "kolçoneros" do jetë pikërisht këtë mesjavë, në transfertën me Bilbaon. Më pas presin Malagën, Vajekanon dhe Selta Vigon, ndërsa luajnë jashtë me Levanten. Sa u përket katalanasve, të gjitha duelet e mbetura cilësohen si shumë të thjeshta në letër, por ajo që duhet parë është pikërisht aftësia për të bërë kthesën.
Luis Enrike nuk ka arritur të nxjerrë as gjysmën e potencialit të skuadrës në javët e fundit, çka u ka shkaktuar jo pak dëme në renditje. Ndërkohë, Zinedin Zidan kryqëzon gishtat. Mes dueleve të rëndë- sishme, bie në sy ajo me Valencian (mundi Barcelonën në "Kamp Nou"), apo edhe e kësaj mesjave me Vijarealin.