Pese ish-zyrtare nen akuze per ndertimet pa leje ne Sarande

Pese ish-zyrtare, nen akuze per ndertimet pa leje ne Sarande

Pesë ish-zyrtarë të Bashkisë së Sarandës janë marrë të pandehur nga prokuroria e këtij qyteti, pasi dyshohet se nëpërmjet falsifikimit të lejeve të ndërtimit kanë shtuar kate pa leje në të paktën 11 ndërtime të miratuara nga KRRT-ja e Bashkisë. Abuzimi është zbuluar nga një audit i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili në janar të vitit të shkuar ka kallëzuar penalisht pesë ish-zyrtarët, përfshi edhe ish-drejtorin e Urbanistikës në bashki, Panajot Gunari. Ish-drejtori akuzohet për “shpërdorim detyre”, ndërsa katër vartësit e tij, Vangjel Tuni, Safije Myrtaj, Manjola Nikollo dhe Albana Kolagji akuzohen për falsifikim dokumentesh.

 

Këta të pandehur, në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri, akuzohen se kanë falsifikuar vendimet e KRRT-së për miratimin e lejeve të ndërtimit, duke shtuar kate shtesë për të paktën 11 ndërtime të miratuara në këtë qytet. Abuzimet e tyre, sipas prokurorisë përfshijnë periudhën 2006-2011, kohë kur dyshohet se janë kryer edhe falsifikimet. “Nëpërmjet këqyrjes dhe marrjes së dokumentit është konstatuar se në 11 raste në zbardhjen e formularit A2 është pasqyruar shtesë kati, pra më shumë kate nga sa është e dokumentuar në protokollin e mbledhjes për dhënie leje ndërtimi”, – shprehet prokuroria.

 

Sipas hetimit rezulton se përgjegjësi për këtë rast ka edhe ish-drejtori i Urbanistikës në Bashkinë Sarandë, i cili kontrollon punën e Sekretarisë Teknike të KRRT-së që administron praktikat e miratuara në mbledhje. Për këtë arsye, prokuroria ka marrë të pandehur edhe ish-drejtorin e Urbanistikës, të cilin e akuzon për “shpërdorim detyre”, pasi me mosveprime ka lejuar abuzimet nga punonjësit e Sekretarisë Urbanistike të KRRT së Bashkisë Sarandë. “Lidhur me rastet e plotësimit të formularëve në ndryshim me procesverbalin e KRRT-së, rezulton se jemi përpara veprës penale të ‘falsifikimit të dokumenteve’, të kryer nga të pandehurit Vangjel Tuni, Manjolla Nikollo, Safie Murtaj dhe Albana Kolagji, të cilët e kanë kryer veprën penale në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri”, – thotë prokuroria. Sipas akuzës, këto abuzime mund të ishin eliminuar nëse ish-drejtori i Urbanistikës do të kishte ushtruar në mënyrë korrekte kompetencat e tij, por i pandehuri ka lejuar me dashje kryerjen e falsifikimeve në atë që njihet si formulari A2. “Në zbardhjen e formularit A2, i pandehuri Panajot Gunari duhej të kishte verifikuar më parë me protokollin ato të dhëna të pasqyruara në formularin A2, pasi janë veprime të kryera nga punonjës të zyrës së tij, veprime mekanike lehtësisht të verifikueshme”, – shprehet prokuroria në akt-akuzën ndaj pesë të pandehurve.

 

Sipas prokurorisë, është provuar tashmë se të gjitha falsifikimet e evidentuara në 11 formularët A2 janë kryer gjatë kohës që i pandehuri Panajot Gunari ushtronte detyrën e drejtorit të Urbanistikës dhe ka patur në varësi institucionale katër të pandehurit e tjerë. “Sa më sipër, lidhur me rastet e plotësimit të formularëve në ndryshim me procesverbalin e KRRT-së, rezulton se jemi përpara veprës penale të ‘falsifikimit të dokumenteve’, të kryer nga shtetasit Vangjel Tuni, Manjola Nikollo, Safie Murtaj dhe Albana Kolagji, persona të cilët në ushtrim të detyrës kanë plotësuar formularë me të dhëna të ndryshme nga ato të pasqyruara sipas vendimeve të KRRT-së në librin e protokollit, ku janë miratuar lejet e ndërtimit për 11 rastet objekt hetimi”, thuhet në dosjen e prokurorisë. Ndërsa shtetasi Panajot Gunari akuzohet për shpërdorim detyre nga Prokuroria e Sarandës.

Të pandehur

Panajot Gunari, ish-drejtori i Urbanistikës

Vangjel Tuni, ish-përgjegjës i zyrës së Sekretarisë Teknike

Safije Myrtaj, ish-specialiste e Sekretarisë Teknike

Manjola Nikollo, ish-specialiste e Sekretarisë Teknike

Albana Kolagji, përgjegjëse e Zyrës së Studimit dhe Projektimeve


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama