Rregullat
Rregullat bazë që duhen ndjekur, duke filluar nga dieta, aktiviteti fizik në bazë të moshës, deri te sugjerimet për të kuruar traumat e vogla, janë shkruar në manualin “Një shëtitje e shëndetshme”. Libri flet për shëndetin dhe mjekësinë e të shëndetshmëve: modelin e zhvillimit dhe strategjitë e komunikimit. Jeta sedentare shkakton 600 000 vdekje në vit vetëm në Europë dhe përfaqëson një nga dhjetë shkaqet kryesore të vdekshmërisë në botë. Diabeti, kardiopatitë, hipertensioni, kanceri, osteoporoza janë sëmundjet kronike që prekin më masë pothuajse të gjithë njerëzit. Këto sëmundje lidhen pikërisht me stilin e gabuar të jetesës. Ndoshta ju nuk e dini, por shëndeti fitohet dhe ruhet veçanërisht në tavolinë, që në fëmijëri.
Regjimi ushqimor
Sot modeli tradicional ushqimor mesdhetar konsiderohet ndër më efikasët në botë për parandalimin e obezitetit. Po ashtu, është një nga më të larmishmit dhe të balancuarit. Qytetarët duhet të marrin mesazhe të sakta në lidhje me ushqimet, nuk është e nevojshme që të heqin dorë në mënyrë drastike, por të përdorin këshilla praktike që na hyjnë në punë në jetën e përditshme. Njerëzit duhet të njihen me terapitë e reja, studimet e bëra në këtë fushë dhe cilësinë e jetës. Duhet të bëjnë më shumë sport dhe të hanë më pak: duket e vështirë, por nuk është aspak. Aktiviteti fizik ndihmon që t’ju pritet oreksi dhe të silleni në mënyrë më të ekuilibruar në tavolinë. Kjo gjë është vërtetuar edhe nga një studim shkencor: marrja me një lloj sporti ndryshon psikologjikisht prioritetet tona, duke na nxitur që ta shohim ushqimin si diçka dytësore, që mund të shoqërohet me kënaqësinë.
Kështu, dieta e shoqëruar me ushtrime fizike do të na ndihmonin të digjnim më shpejt kaloritë, sepse ndikon në zgjedhjet tona ushqimore. Një fakt tjetër i rëndësishme është se sporti rrit kontrollin frenues, ose më saktë funksionin ekzekutiv të trurit që na ndihmon t’i rezistojmë vendimeve impulsive dhe të dëmshme, shpeshherë përgjegjëse për një çrregullim ushqimor. Për këtë arsye, subjektet obezë duhet medoemos t’i nënshtrohen sportit dhe dietës, për të ndryshuar që në rrënjë një sjellje tepër të dobët kundrejt tundimit, gjë që sjell vetëm kile të tepërta. Ideale do të ishte që njerëzit të edukoheshin me mendimin e aktivitetit fizik, sepse shëndeti mendor është shumë më i rëndësishëm se ai fizik dhe kjo duhet t’i bëhet kulturë çdo njeriu që në vogëli.
Pra, sporti është mjeti i domosdoshëm për të na nxitur që të mbajmë një dietë të shëndetshme ose të ndjekim një regjim ushqimor të ekuilibruar. Duke u ndierë të tonifikuar dhe energjikë, mund t’i rezistojmë më lehtë tundimit për të ngrënë ushqime kalorike dhe të dëmshme për organizmin, siç janë patatinat dhe ëmbëlsirat, edhe pse mund të kemi një formë fizike të shkëlqyer. Të gjithë e keni provuar që pas një ore palestër, ndjesia që kemi në stomak është një e vetme: uri! Kështu, për të mos çuar dëm një orë fizkulturë, mund ta kënaqni në mënyra të ndryshme stomakun tuaj: ushqimi më i shëndetshëm është një frut, mollë ose banane, ose pak fruta të thata në pritje të vaktit kryesor, siç është dreka.