Nga Pikaso te politikat e reja që do të ndjekë Galeria Kombëtare e Arteve. Ekspozimi i veprave të realizmit socialist jashtë Shqipërisë, rivlerësimi i fondit dhe ideja për një godinë, e cila do të shërbente për ruajtjen dhe restaurimin e pikturave…
Artan Shabani ka zgjedhur një gravurë të Pablo Pikasos, një prej personazheve më të rëndësishme në historinë e artit pamor të shekullit XX, për të hedhur vështrimin shpesh, ndërsa ndodhet në tryezën e punës, si drejtori i ri i Galerisë Kombëtare të Arteve. Në qendër të gravurës është një buf, i ulur në këmbët e bronzta të një krevati, të cilën Pikaso duhet ta ketë realizuar në vitin 1942 gjatë kohës kur jetonte në kështjellën Grimaldi në Antibë. Largimi nga Shqipëria pas viteve ‘90 ka qenë i mbushur me eksperienca interesante në fushën e artit për Shabanin. Si një piktor i ndjeshëm ndaj gjithçkaje që kishte lidhje me pikturën, ai kërkonte të vizitonte sa më shumë galeri, të njihte sa më shumë historinë, dhe të prekte nga afër vepra të autorëve që kishin ndryshuar rrjedhën e historisë së artit, siç është dhe rasti i Pikasos.
“Eksperiencat e mia në marrëdhënie me galeri të ndryshme, koleksionistë apo njerëz që jetojnë me botën e artit kanë qenë shumë të familjarizuara. Kontaktet e mia me historianë arti, apo artistë të ndryshëm kanë qenë të shpeshta. Artistët me njëri-tjetrin shkëmbejnë shpesh vepra arti, por ndodh që edhe dhurojnë”, thotë Shabani. Një artist koleksionon jo vetëm krijimet e tij, duke filluar që nga fillesat, por edhe vepra të autorëve të tjerë të preferuar. Kohët e tij në Jug të Francës, pikërisht në vendet ku Pikaso ka kaluar një pjesë të jetës, pasi refuzonte të kthehej në Spanjë për shkak të regjimit të Frankos, kanë qenë frymëzuese për artistin shqiptar. Midis jetës prej bohemi dhe një dashnori gjithnjë në kërkim të ndjenjave të trazuara, Pikaso ravijëzoi në pikturat e tij një botë që vazhdon të jetë aq e bukur dhe tashmë kur ai nuk është më. Ai ka jetuar në disa vende si në Côte d’Azur në Jugun e Francës. Në Antibë ai ka pasur fatin të ekspozojë rreth 12 vjet në galeri të artit bashkëkohor, e disa galeri në zonat e Jugut të Francës, duke filluar nga principata e Monte Karlos, në Saint-Jean-Cap-Ferrat, Nice, Antibes, apo Kanë. Në Nicë ndodhet dhe Galeria Sapone, Galeria Ferrero, të cilat tregtojnë vepra të Pikasos, duke filluar nga katalogë, grafikë e deri te vepra unikale në vaj. Një ndër galeritë e njohura në atë periudhë në Antibë i dhuroi Shabanit këtë gravurë, ku një buf i kujton shpesh mjeshtrin me elegancën e tij. Bufi është një simbolikë që Pikaso e ka përdorur në shumë piktura në vaj apo qeramika…
“Kjo gravurë m’u dhurua mua me rastin e ditëlindjes dhe e kam një copëz të rëndësishme të koleksionit tim. I sugjeroj të gjithë artistët dhe turistët shqiptarë kur të shkojnë në Jugun e Francës, ta vizitojnë kështjellën Grimaldi, që sot është muzeu i Pikasos, shumë pranë ndodhen muze të tjerë të rëndësishëm, dhe në Nicë mund të shohin dhe Muzeun e Mattisë”, thotë Shabani. I konsideruar si pionier i kubizmit shpeshherë punët e Pikasos kategorizohen në periudha, emrat e të cilave janë bërë edhe objekt debatesh. Periudhat më të pranueshme janë: periudha blu 1901-1904, periudha rozë 1905-1907, periudha e influencës afrikane 1908-1909, periudha e kubizmit analitik 1909-1912 dhe e kubizmit sintetik 1912-1919. Shabani mund të flasë gjatë për Pikason, këtë artist që të bën të ndalesh gjatë sapo hyn në zyrën e tij, në atë gravurë që nuk e ka humbur ndjeshmërinë nga vitet, dhe që vazhdon të hyjë brenda teje me një vështrim. Pikaso do të jetë gjithmonë aty, përballë tryezës së tij të punës, si për t’i kujtuar piktorin që duhet të jetë gjithnjë tek ai, pavarësisht sfidave institucionale si drejtor i një institucioni. Shabani erdhi në krye të Galerisë Kombëtare të Arteve, një prej institucioneve më të rëndësishme të artit pamor në vend, në 60-vjetorin e krijimit të saj.
Një institucion, i cili ruan në vetvete një histori të tërë të artit në vend, në një kohë të trazuar siç ishte realizmi socialist, por edhe këto dy dekada të gjata postkomunizëm, ka qenë shpesh në qendër të debateve mbi mënyrën sesi duhet të funksionojë. Kthimi i galerisë në një muze arti, një ide e hedhur nga ish-drejtori Rubens Shima, sërish nuk e ktheu këtij institucioni shkëlqimin e dikurshëm. Shabani beson në konceptet e tij për një galeri ndryshe, dhe kërkon ta kthejë këtë galeri në një institucion bashkëkohor, por që mbart brenda tij dhe një muze të çmuar të traditës, i cili nuk do të mbetet vetëm në fond, por do të ekspozohet dhe promovohet. Ndër veprimet e tij të para si drejtor i GKA-së, është mbledhja e të gjitha veprave të artit që janë larguar nga fondi i galerisë për të zbukuruar institucionet e rëndësishme shtetërore, si Presidenca, Kuvendi apo ministri të ndryshme. Gati 20-30 vjet pas largimit të tyre nga galeria, veprat që mbajnë firmën e personazheve të njohur të artit shqiptar të traditës, kanë nevojë t’u nënshtrohen restaurimeve të mundshme. Por ky “operacion” i galerisë nxori në pah dhe një aspekt tjetër, atë të humbjes së një pjese të mirë të tyre.
Rivlerësimi i veprave të fondit
Veprat që ndodhen në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve do të kuotohen. Vetëm pak kohë më parë, në mbledhjen e bordit të GKA-së, nisi kuotimi i veprës së parë të këtij fondi. “Një situatë emergjente është mënyra dhe modaliteti, që veprat dhe pasuria e kombit shqiptar të jenë jo vetëm të mbrojtura, por edhe të konservuara në bazë të kritereve dhe normave efikase që duhet të kenë veprat e artit. Na takon neve sot, brezave të rinj, që në shenjën e respektit dhe dinjitetit kombëtar të ngremë lart, aty ku duhen, vlerat e thesarit kombëtar që është kultura. Një pjesë e rëndësishme e kësaj kulture, manifestohet nga kjo punë që është bërë në dhjetëra vite nga gjenerata të ndryshme artistësh. Na takon ne t’i japim vlerën e duhur morale, por edhe ekonomike çdo vepre”, thotë Shabani. Sipas tij, ky është një gjest që lartëson imazhin dhe respektin që ne kemi për punën që kanë bërë baballarët tanë, veçanërisht artistët që nuk jetojnë më. Ndaj galeria ka nisur me rivlerësimin e gjithë kapitalit të saj, pasi kishte kohë që nuk kryhej.
Kjo punë filloi nga germa e parë e mbiemrit dhe i takoi piktores Anroniqi Antoniu (1913-2000). Sipas drejtorit, ky proces do të vazhdojë deri në germën e fundit të alfabetit për gati 5000 vepra që ndodhen në fondin e këtij institucioni. “Ky rivlerësim do të ishte mirë të ndodhte çdo 5 vjet, pasi çmimi dhe kuotimi i një artisti nuk është asnjëherë i njëjtë e është gjithnjë në ngritje. Sigurisht që kjo është një punë me përgjegjësi profesionale dhe si e tillë kërkon kritere të cilat ne i kemi të mirëpërcaktuara, ku bazohet dhe finalizohet kuotimi i secilës vepër. Qëllimi nuk është për t’i mbivlerësuar, por as të ngelen të nënvlerësuara në harresën e kohës. Artistët shqiptarë meritojnë një vend respekti në historinë e artit europian të periudhave të ndryshme”, thotë Shabani. Një tjetër prioritet i tij në krye të këtij institucioni është dhe rikonceptimi i sallave muzeore. Kjo bën që publiku të mos shohë gjithmonë të njëjtat vepra. “Për fatin tonë të mirë kemi rreth 5 mijë vepra arti që duhet të njihen, e nuk janë pak”, thotë Shabani. Pjesa më e madhe e veprave të këtij fondi i përkasin periudhës së realizmit socialist.
Shabani thotë se këto vepra do të jenë pjesë e ekspozitave të ndryshme, dhe do të punojë që t’i ekspozojë dhe jashtë Shqipërisë. Kjo periudhë është historia e artit tonë pamor, e si e tillë duhet të marrë vlerësimin e duhur, pavarësisht kornizave të kohës. Në takimin më të fundit mes ministrave të Kulturës të Shqipërisë dhe Kosovës, dhe drejtuesve të institucioneve kulturore të dy vendeve që u mbajt në GKA, Shabani propozoi realizimin e një ekspozite në Prishtinë, ku për herë të parë do të prezantohet një atmosferë e plotë e artit të realizmit socialist në Shqipëri. Gjithashtu një ekspozitë kushtuar artistit kosovar Simon Shiroka në GKA në Tiranë, në kuadër të kalendarit të përbashkët të të dyja vendeve. “Politika e re e GKA-së është një politikë e cila do të rivitalizojë në tërësi artin. Ne synojmë marrëdhënie të forta me Kosovën, promovimin e artistëve shqiptarë dhe jashtë territorit të Shqipërisë, përmes Galerisë Kombëtare e lartësimin e imazhit tonë përmes artit”, thotë Shabani. Prioritet do të kenë dhe artistët emergjentë që kanë nevojë të manifestojnë komunikimin e tyre. Një element i ri, të cilin Shabani ka nisur ta aplikojë, është plani i edukimit të artit duke nisur nga fëmijët. Ata do të jenë vizitorët e nesërm të galerisë dhe edukimi nis që në moshat e vogla. Fondi është një tjetër sfidë e drejtorit të ri, sfidë të cilën e ka nisur duke i bashkuar veprat e larguara.
Në këta 3 muaj janë mbledhur dhjetëra vepra, të cilat jo vetëm do t’i bashkëngjiten fondit, por do të jenë dhe të ekspozueshme. Një ide të cilën Shabani e hodhi që në ditët e para të punës së tij si drejtor ishte dhe krijimi i një godine të re e dimensioneve të pranueshme, ku të ruheshin 5 mijë veprat e artit që ndodhen në këtë galeri, ajo çfarë e quajmë thesarin e arteve pamore shqiptare. “Sigurisht që duhen kritere për sa i përket sigurisë dhe mënyrës sesi mund të konceptohet kjo godinë e re, pa dëmtuar asnjë pjesë të fasadës e pa ndërhyrë në arkitekturën e galerisë. Kati i parë mund të shërbente për skulpturat, i dyti dhe i treti për pikturat dhe kati i fundit mund të ishte laborator me ndriçim natyral”, thotë Shabani. Në këtë godinë mund të vendosej dhe një atelie edukimi…
Fondi
Fondi i Galerisë ruan vepra në pikturë që datojnë nga fundi i shekullit XIX, periudhë që shënon fillesat e pikturës jofetare shqiptare. Autori më i hershëm i pikturës është Kol Idromeno, vepra e të cilit “Motra tonë” daton në vitin 1883. Pikturat e para në Shqipëri tregojnë një lloj amatorizmi. Kjo lloj fryme vazhdon deri në vitet ’30, kur fillon përpjekja për ngritjen e shkollës dhe institucioneve të artit në vend. Gjithsesi këto piktura flasin qartë për atmosferën kulturore në Shqipërinë e fillimviteve të shekullit XX, si dhe përbëjnë dokumente të mirëfillta etnografike dhe historike…
Janë rreth pesë mijë vepra që ky institucion ruan si pjesë të historisë së tij 60-vjeçare. Mes tyre ka vepra që janë në gjendje të mirë, por dhe nga ato që kanë nevoja emergjente për restaurim. “Është si puna e një spitali që ka pacientë terminalë, por edhe nga ata në ditën e shërimit, e shpesh edhe një të vdekur. Kur flasim për veprat ka edhe telajo që kanë nevojë për një dezinfektim, pra problemet e një institucioni nuk janë thjesht fasada, por edhe ato që nuk duken që janë po aq të rëndësishme. Jam i bindur që në këto vite GKA do të jetë një shembull pozitiv dhe një forum i rëndësishëm kulture për artistët shqiptarë, por edhe më tej”, thotë Shabani.