Peshkopi Oda dibrane mbyll siparin

Peshkopi, 'Oda dibrane' mbyll siparin

25 grupe, me artistë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Presheva, performuan për artdashësit. Jubileu i 20 i “Oda dibrane” 2014, zhvilluar në qytetin e Peshkopisë, qendër e Qarkut të Dibrës, ka mbyllur siparin. Për katër net me radhë, tre të zhvilluara në Pallatin e Kulturës Peshkopi dhe një natë në Pallatin e Kulturës të Dibrës së Madhe në Maqedoni, 25 grupe pjesëmarrëse, me më shumë se 1000 artistë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Presheva, performuan për artdashësit dibranë folkun e trevave nga vinin, me këngë, valle, humor dhe alegori.

 

Në ditën e sotme, gjatë mesditës, në bulevardin “Elez Isufi”, grupet pjesëmarrëse kanë zhvilluar paradën e veshjeve, nën melodinë e këngëve e valleve të trevave nga vinin, të duartrokitur nga dibranët që kishin mbushur trotuaret e bulevardit në të dyja anët e bulevardit.

 

Pjesëmarrësit e grupeve shprehen me konsideratat më të mira për fest-folkun “Oda dibrane” 2014, si dhe mikpritjen dibrane. Në këtë natë konkurruan shtatë grupe, si dhe performoi edhe Ansambli i Shtetit Tiranë, i cili kishte ardhur jashtë konkurrimit të këtij festivali për të përshëndetur jubileun e 20 të “Odës dibrane”. Ashtu si edhe në tre netët e para të zhvillimit të tij, njëra prej të cilave zhvilluar në Dibër të Madhe, edhe në natën finale, grupet pjesëmarrëse sollën në skenë këngë, valle, rite tradicionale të zonave nga vinin, alegori etj., duke ndezur artdashësit dibranë, ku ra në sy Ansambli i Sharrit me riprodhimin e riteve baritore të kësaj treve, si dhe ata të dasmës baritore tradicionale të papërsëritshme.

 

“Festivali ‘Oda dibrane’, i bërë i traditës tashmë dhe për nga vlerat që përçon në fest-folkun shqiptar, vjen pas atij të Gjirokastrës”, tha “Artisti i popullit”, Rexhep Çeliku. Në fund, kryetari i jurisë së këtij festivali, prof. Zef Çoba, ndau çmime e diploma për individë e grupe të veçantë. Në fjalën e tij përshëndetëse ai e cilësoi festivalin e “Odës dibrane” një mozaik të shkëlqyer artistik.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama