Rroga është pengesa e vetme që mban larg Arlind Ajetin nga firma me skuadrën e Peskarës. Futbollisti është i bindur nga projekti sportiv dhe është gati të nënshkruajë për tre vite, por pengesë për të përbën oferta ekonomike që i ka ofruar klubi i sapongjitur në Serinë A.
Peskara i ka vënë përpara një ofertë ekonomike prej 300 mijë eurosh neto në vit, për tre sezone, mbrojtësit të përfaqësueses shqiptare. Por kjo ofertë është refuzuar nga babai dhe njëkohësisht menaxheri i futbollistit.
Sipas mediave italiane, ai ka kërkuar nga klubi një rrogë prej 450 mijë eurosh neto në sezon, ofertë të cilën Peskara e cilëson si të papërballueshme për momentin. Megjithatë, palët kanë lënë një takim për sot, ku do të diskutojnë më specifikisht të gjitha detajet e një marrëveshje të mundshme.
Për Ajetin janë interesuar edhe skuadrat e Torinos, Beshiktashit, Lacios, Atalantës dhe Bolonjës. Ndërkaq, drejtuesit e Verder Bremen përgënjeshtruan zërat e hapur se po monitoronin mbrojtësin shqiptar.