Peter Lucas Misioni “Çezar” i SHBA ne Shqiperi per vrasjen e Enver Hoxhes

Peter Lucas: Misioni “Çezar” i SHBA në Shqipëri për vrasjen e Enver Hoxhës
Ka shfletuar shumë faqe dokumentesh arkivore dhe ka takuar shumë veteranë lufte. Pasi solli për lexuesin një libër shumë të vlefshëm për historinë e Shqipërisë e më së shumti për Luftën e Dytë Botërore, të titulluar "OSS në Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri: Operacioni sekret dhe bashkëpunimi me partizanët komunistë", gazetari shqiptaro-amerikan Peter Lucas, vjen me një tjetër libër për këtë periudhë. Bëhet fjalë për romanin "Çezari i Ballkanit", i cili së fundmi ka dalë edhe në libraritë shqiptare, nga shtëpia botuese "Bota shqiptare". "Çezari i Ballkanit" është varianti letrar i librit "OSS në Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri", ku ngjarjet e vërteta gërshetohen me fantazinë. Figura reale si Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Baba Faja Martaneshi, Omer Nishani, etj., apo ngjarje reale ndërthuren me personazhe dhe situata të fantazuara. Shkrimtari nuk ngurron që ta vendosë ish-diktatorin Hoxha, aso kohe kreu i Lëvizjes Nacionalçlirimtare në mes të ndonjë orgjie me femra e hashash. "Çezari i Ballkanit" është historia e një grupi të vogël ushtarësh amerikanë të OSS-së (Zyrës së Shërbimeve Strategjike), të cilët u nisën me mision sekret në Shqipëri, gjatë Luftës së Dytë Botërore, për të bashkëpunuar me partizanët shqiptarë kundër nazizmit. Me shpërthimin e Luftës, OSS, paraardhëse e CIA-s, rekruton të rinj, të cilët ishin të gatshëm të ktheheshin fshehurazi në vendet e paraardhësve të tyre evropianë, për të ndihmuar rezistencën antifashiste në këto vende. Në Boston ata gjetën pinjollë të familjeve shqiptare të vendosura në Amerikë, të cilët ishin të gatshëm të ndihmonin për çlirimin e Shqipërisë. Romani vërtitet rreth historisë së vërtetë Tom Stevens (Stefani), një shqiptaro-amerikani, që shpresonte të bënte karrierë në ushtri dhe arriti të drejtojë misionin e fshehtë në Shqipëri. Për të mbledhur sa më tepër informata, atij i duhej që të lidhej me Enver Hoxhën, kreun e Lëvizjes Nacional çlirimtare, emri i koduar i të cilit ishte Çezar. Me gjithë vërejtjet që i dërguari amerikan kishte mbi mënyrën se si partizanët vepronin me robërit e luftës, apo të plagosurit, të cilët i vrisnin në mënyrë gjakftohtë, misioni i tij dukej se po shkonte më së miri. Kjo vazhdoi deri në momentin kur atij iu dha urdhri për eliminimin e Çezarit (Enver Hoxhës). Dukej se Uashingtoni preferonte në krye të vendit pas lufte, Mehmet Shehun, i cili kishte gjasa të mos ishte komunist aq fanatik sa Hoxha. Por miqësia e ngushtë që kishte krijuar me udhëheqësin shqiptar, e vuri atë përpara një dileme të madhe. Gjithsesi nuk mundi "ta hante karremin".
Pjesë nga libri
Liderët shqiptarë
Në ekran u shfaq një pjesë filmike, në të cilën jepej Enver Hoxha i veshur dhe i mbajtur mirë, i ulur në një kafene jashtë, duke pirë verë bashkë me dy gra. Gratë mbanin cigare në duar, Hoxha e kishte vendosur cigaren në një mbajtëse cigaresh. Mbante një lule në jakën e xhaketës. Mbi tavolinë kishte vendosur kapelën, dorezat dhe bastunin. Pjesa filmike ishte pa zë, por ajo pasqyronte më së miri faktin që Hoxha po zhvillonte një bisedë gazmore me gratë. Kur dukej se ai donte t'i kushtonte rëndësi një çështjeje, ai e tundte mbajtësen e cigares në formën e një pikëçuditjeje. Një tjetër pjesëz filmike e tregonte Hoxhën teksa shëtiste me një grua tjetër përgjatë brigjeve të një lumi, që me sa duket ishte Sena në Paris.

- këto foto janë bërë në fshehtësi, ndërsa Hoxha është filmuar nga disa agjentë të qeverisë shqiptare në Paris, Bruksel dhe Bari. Mund ta shihni se sa i pëlqen atij jeta e bukur  dhe në këtë mënyrë duket fare qartë se është njeri bulevardesh. Në atë kohë ai ishte 22, apo 23 vjeç. Shtatin e kishte të lartë për një shqiptar, i arrinte gati te dy metrat. Si komunist i mirë, Hoxha mund të mbajë anën e punëtorëve të botës, por duket sikur ai nuk ka punuar as edhe një ditë të vetme të jetës së tij.
Brenani qeshi mbyturazi me shakanë e tij.

- Kjo foto e tregon atë në Bruksel, duke dalë nga zyra e Konsullatës shqiptare. Na thanë se flet anglisht, italisht dhe frëngjisht. Ka punuar në Bruksel për njëfarë kohe, derisa qeveria e Zogut zbuloi se ai shkruante pamflete anonime kundër qeverisë. Ata e pushuan nga puna. Vini re kostumin e shtrenjtë që mban veshur. Kjo copëz filmi e tregon atë në bari të Italisë, me sa duket, duke pritur për t'u kthyer në Shqipëri. Nuk e dimë se ku i gjeti paratë për të mbajtur veten. Ai nuk ka pasur asnjëherë punë apo ka punuar për gjësend. Të jep përshtypjen sikur është ndonjë spitullaq. E marrim me mend se i ati është kujdesur për nevojat e tij financiare. Duke qenë se ishte djali i tij i vetëm, kjo do të ishte diçka krejt e natyrshme. Ju e dini se ç'ndjejnë shqiptarët për djemtë e parëlindur, apo jo?
Brenani vështroi nga Stivensi dhe qeshi mbyturazi.

-Shikojeni këtë foto, shtoi më pas ai, në të ai ka dalë duke udhëhequr një demonstratë antifashiste në Tiranë. Italianët shkuan për ta arrestuar, por ai doli në male. E shikoni? Ai mund ta adhurojë Jozef Stalinin, por siç mund ta shihni, vishet më mirë se dhe vetë Stalini. Për dreq, çdokush vishet më mirë se Stalini.
Stivensit i bëri përshtypje ajo pjesë filmike. Njeriu në të dukej si ndonjë idhull i suksesshëm, ashtu siç dukeshin edhe gratë, me të cilat ai kishte dalë. Enver Hoxha i kujtoi aktorin e filmit Rudolf Valentino, vetëm se ishte më i gjatë dhe më i bëshëm...

-Duket si ndonjë yll kinemaje evropiane, tha Stivensi.
-Ai është tamam aktor, ia priti Mikedu. E ka luajtur aq mirë pjesën e tij të arritur në majë të partisë, pozicion të cilin po e mban. Mos u gënje nga pamja e tij e jashtme. Thellë, në brendësi të vetes, ai është një i kuq serioz dhe i devotshëm që nuk do ta bënte të gjatë për të të vrarë sapo të të shihte. Është karizmatik dhe joshës, por është edhe një qen bir qeni, që nuk e ka shokun. Ka për borxh të të recitojë poezi në frëngjisht, ndërkohë që të vret njerëzit e shtëpisë prapa shpine...
Mehmet Shehu, komandanti luftëtar më me përvojë që kishin partizanët, ishte 30 vjeç dhe ishte 5 vjet më i vogël se Hoxha. Ai ka studiuar në Akademinë Ushtarake të Napolit, por u përjashtua pas hyrjes në partinë komuniste italiane. Gjatë kohës që Hoxha studionte Karl Marksin në Paris, Shehu ndodhej në vijën e frontit në Spanjë, ku ai luftonte për republikanët, duke përfunduar si zëvendëskomandant i batalionit "Garibaldi". Ai kaloi dy vjet në një kamp burg francez përpara se ta lironin. U kthye në Shqipëri dhe u bashkua me lëvizjen guerile të Hoxhës.

-Ai flet anglisht, frëngjisht, italisht dhe spanjisht, tha Brenani me krenarinë e një mësuesi. Ishte student i zoti. Ai është komandanti më i mirë që kanë partizanët. Disa mendojnë se ai duhet të jetë njeriu që do të drejtojë vendin pas lufte. Ndonjëherë më duket e vështirë ta konsideroj luftëtar. Dikur në shkollë, ai shkruante poezi në anglisht për gazetën e shkollës. Pasi mori diplomën, nuk mundi të gjente punë në Shqipëri. Kështu që shkoi në Itali dhe u bë komunist.
Dy figura të tjera që u shfaqën me foto të zbehta ishin Myslym Peza dhe Baba Faja. Peza, një njeri i hollë dhe i gjatë, me një fytyrë të vrarë nga lia, ishte një udhëheqës gueril që vepronte kundër italianëve në kodrat në perëndim të Tiranës, përpara se të bashkohej me partizanët. Faja ishte një drejtues fetar bektashi me një pamje gazmore, i cili, përveçse luftonte, ndiqte gratë dhe pinte shumë verë e raki shqiptare. Shtatin e kishte të shkurtër dhe dukej sikur peshonte 120 kile. Që të dy ishin mbështetës të hershëm të Hoxhës.
* * *
Ndonëse Hoxha e mirëpriste ndihmën britanike (ai ankohej se ajo nuk ishte asnjëherë e mjaftueshme) atij nuk i pëlqenin britanikët dhe nuk ua kishte fare besën. Ishte e vërtetë që anëtarët e SOE kishin dhënë ndihmesën e tyre në përgatitjen e ushtrisë së tij dhe e kishin furnizuar atë me armë, por prania e tyre në vend e shqetësonte atë. Britanikët erdhën në Shqipëri të paftuar dhe pa lajmëruar. Fillimisht, ata kujtuan se Hoxha, do t'i mirëpriste. Ky i fundit i kishte zët britanikët sepse këta furnizonin me armë dhe me ndihma Ballin dhe Legalitetin, të cilët i kishte kundërshtarë. Ai ushqente dhe dyshimin se armët që u jepnin britanikët armiqve të tij ishin më të mira se armët që i jepnin atij. Armët që britanikët i kishin dhënë atij ishin pushkë dhe automatikë të vjetër, të cilat u ishin marrë italianëve në Afrikën e Veriut. Britanikët i hidhnin poshtë këto akuza, por Hoxha ua tregonte pushkët dhe i akuzonte ata si gënjeshtarë. Arroganca britanike nuk njihte kufij. Hoxha zemërohej shumë nga zakoni që kishte SOE për të ndërmarrë veprime ushtarake kundër gjermanëve pa dijeninë apo miratimin e tij. Për britanikët, hedhja në erë e një ure ishte përherë një demonstrim i shkëlqyer. Por Hoxha e dinte se ishin shqiptarët ata që do t'u duhej të ndërtonin ura të reja porsa të mbaronte lufta. Hoxha tërbohej nga çdo injorim britanik, imagjinar a real qoftë, sepse ai besonte me gjithë zemër se britanikët me ndërgjegje klasore e trajtonin me përbuzje popullin shqiptar dhe e vinin atë në lojë për prapambetjen dhe varfërinë që e kishte pllakosur. Jo vetëm që asnjë nga oficerët britanikë nuk mund të fliste shqip, por ata as përpiqeshin ta mësonin. Njëra mënyrë me anë të së cilës Hoxha u hakmor kundrejt britanikëve, ishte zhvillimi i të gjitha takimeve me ta në gjuhën shqipe. Hoxha e fliste rrjedhshëm frëngjishten  dhe kënaqshëm anglishten. Britanikët mendonin se Hoxha duhet t'u fliste atyre në frëngjisht, në mos në anglisht. Por Hoxha ngulte këmbë që të fliste shqip me britanikët, kësisoj duke i shtrënguar ata të merrnin përkthyes të gjuhës shqipe sipas zgjedhjes së tij. Të vetmet herë që ai fliste frëngjisht në praninë e tyre ishte kur citonte poezinë franceze, zakonisht poetin Bodler.

-Duhet të mësoni të flisni shqip, u thoshte ai britanikëve. Është gjuha më e vjetër e folur në Evropë dhe një nga më të vjetrat në botë. Është më e lashtë se anglishtja juaj.
Herë të tjera ai do t'i jepte fund nj takimi me ndonjë batutë ose shaka në shqip. Ai e hidhte fjalën për Winston Çërçillin, duke e quajtur "pijanec, të shthurur e të zvetënuar", plani i të cilit ishte t'ia dorëzonte gjysmën e Shqipërisë Greqisë. "Kjo do të ndodhë ditën kur ne do t'ia dorëzojmë gjysmën e Anglisë Irlandës", thoshte Hoxha. Edhe pse britanikët qeshnin gjithnjë me këto batuta, rrallëherë e kuptonin se për çfarë bëhej fjalë ato sepse përkthyesit u tregonin britanikëve vetëm ato gjëra që donte Hoxha të dinin. Sidoqoftë, Hoxha ishte i bindur që britanikët ishin të gjithë spiunë. Ai besonte se Anglia, një fuqi e kalbur koloniale, ishte e interesuar vetëm ta përdorte Shqipërinë si gur shahu për t'i shtrirë më tej interesat e saj. Hoxha i merrte furnizimet që i sillnin britanikët, por ai nuk u zinte asnjëherë besë.
Hoxha, një i ri 33 vjeçar, i rruar pastër dhe i veshur me një uniformë të re të ushtrisë britanike, me yjet e kuq të partisë komuniste shqiptare në spaleta...
Omer Nishani mbante mustaqe të bardha që i shkonin për shtat me ngjyrën e flokëve dhe ishte i vetmi udhëheqës partizan që mbante rroba civile, ai ishte i veshur me një kostum të përdorur me vijë të ngushtë, që, ndonëse ishte i kushtueshëm dhe i modës, kishte parë edhe ditë më të mira. Nishani ishte doktor në stazh, pasi kishte studiuar në Universitetin e Napolit. Ai kishte studiuar dy vjet për mjekësi në Harvard përpara se të kthehej në Shqipëri. Nuk e mori diplomën dh as nuk e ushtroi asnjëherë zanatin në Shtetet e Bashkuara. Sidoqoftë, kjo gjë nuk e ndaloi ta ushtronte këtë profesion në Shqipëri. Nishani jo vetëm që fliste në anglisht, por e fliste me një theks që anonte nga ai i Bostonit.

Eliminimi i Çezarit
…Por ka edhe një mosmarrëveshje mes partizanëve. Çezari është më tepër i prirur të shikojë anën tjetër të monedhës dhe të mos i ngasë gjermanët, duke i lejuar ata të largohen. Ai do që ta ruajë ushtrinë e tij për të marrë në dorë frenat e pushtetit në vend. Kurse Shehu do që t'i sulmojë dhe ta shkatërrojë ushtrinë gjermane atje ku ajo bën qëndresë, ose të paktën t'i japë një shkelm b… gjatë rrugës së saj së tërheqjes nga vendi. Ai e tregoi këtë në Përmet. Çezari mori arratinë kurse Shehu bëri qëndresë dhe luftoi. Por, përfundimisht, Çezari po u bën thirrje armëve.
-Si po ia çojnë ata të dy? pyeti Mikedu.
- Nga pamja e jashtme tregohen miqësorë. Por është një miqësi e vënë në provë. E kaluara e tyre është e ndryshme. Njëri e ka kaluar jetën duke u dëfryer kurse tjetri duke kërcitur grushtet, tha Stivensi.
- A do të vihej ndonjëherë Shehu kundër Çezarit? E pyeti Mikedu.
Mos do të thoni, ta hiqni qafe? Sinqerisht, nuk e di, ia ktheu Stivensi.
-A mund ta zbulosh? E pyeti Brenani. Është me rëndësi.
Mos doni ta pyes për ju? Edhe mund t'a bëja, pse jo?
-Uashingtoni do që Çezari të dalë nga loja, tha Brenani. -Uashingtoni po e shikon me shqetësim faktin që Shqipëria po bëhet komuniste. Njerëzit janë të irrituar që Çezari nuk do të tregohet më agresiv ndaj gjermanëve. Uashingtoni do që ai të vrasë gjermanë.
-Çezari është më bolshevik nga ç'duhet dhe njëkohësisht tepër frikacak, tha Mikedu.
-Edhe Shehu është komunist, ia ktheu Stivensi.
-E njoh shehun, ia ktheu Brenani. Ne mund të bashkëpunojmë me të. Uashingtonit i pëlqen Shehu. Atij i shkon më për shtat të qenit socialist dhe nuk është aspak frikacak.
-Kjo është me zarar, tha Stivensi. Po sikur të mos dojë t'i kundërvihet Çezarit?
-Kjo të mbetet ty për ta zbuluar, tha Brenani. Uashingtoni do një goditje dërrmuese për ta nxjerrë jashtë loje Çezarin.
-Kam kaluar goxha kohë duke iu afruar Çezarit. Ai ka besim tek unë. Kurse ju doni ta nxjerr jashtë loje. Çfarë ndryshoi në planet tuaja?
-Mos ia bëj Uashingtonit atë pyetje, tha ai. Për hir të Zotit, ti je kapiten. Ti vetëm bëj atë që të thotë Uashingtoni. Për këtë arsye ke ardhur në këtë vend.
Ju thatë që mund ta bënit, tha Mikedu. Jeni stërvitur për këtë gjë. Thatë që mund të hani karremin, e mbani mend? Do t'ju duhet të vini veten në provë. Do t'ju duhet të hani karremin…
-Kjo mund t'ju hyjë në punë, tha ai duke i dorëzuar stilolapsin Stivensit.
Stilolapsi ishte një pistoletë e papërsëritshme e tipit Stinger, e kalibrit 22, e projektuar me zgjuarsi që të dukej nga pamja e jashtme si një stilolaps.
Në një mënyrë a në një tjetër, Uashingtoni do që të mbarohet kjo punë. Çezari duhet nxjerrë jashtë loje. Nëse nuk do ta bëjë Shehu, atëherë do ta bësh ti. Na duhet të japim një goditje dërrmuese….
Stivensi iu afrua ngadalë Hoxhës. Kur arriti në anë të divanit, u ul mbi njërin gju. Fytyrën e kishte fare pranë fytyrës së Hoxhës. Stivensi zgjati dorën drejt xhepit të brendshëm për të marrë Stingerin. Ai nuk ndodhej atje. Stingeri si stilolaps ishte zhdukur..
Stivensi zgjati dorën për te çizmja e djathë. Futi pa u ndierë dy gishtat në pjesën e brendshme të anës së djathtë të çizmes ku mbante një kamë. Nxori thikën me teh të hollë nga mbajtësja e saj në çizme. E ngriti dhe e mbajti një grimë larg fytit të zbuluar të Hoxhës. Një ngulje e shpejtë në aortë dhe ai do të merrte fund… Stivensi ishte aq pranë saqë gati nuk po merrte frymë mbi Hoxhën. E dinte, që kur t'ia ngulte kamën në fyt, do të duhej t'ia mbulonte gojën Hoxhës me jastëk. Ai kishte për të ulëritur dhe kjo do të vinte në alarm Rinaldon dhe rojet jashtë ndërtesës. Me siguri do ta kapnin e torturonin dhe më pas do ta vrisnin. Stivensi zgjati dorën tek ana e majtë e jakës dhe ndjeu me gisht pilulën V. Ajo ishte atje. Ai do të vriste Hoxhën dhe më pas do të gëlltiste pilulën. Hoxha do të vdiste. Ai do të vdiste. Por ai nuk donte të vdiste…

Alma Mile : Gazeta Panorama

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama