I nderuar z. Kryetar i Kuvendit!
Ne, anëtarët e Bordit Artistik të Teatrit Kombëtar të Komedisë (TKK), ju drejtohemi sot me këtë peticion me besimin se maturia Juaj politike do të bëjë të mundur shmangien e një abuzimi të rrezikshëm në dëm të institucionit tonë.
TKK u themelua më 17 dhjetor 2011, në zbatim të Ligjit nr. 10352, datë 18.11.2010 “Për Artin dhe Kulturën”. Kjo nismë e Qeverisë dhe maxhorancës së kaluar u mirëprit gjerësisht nga opinioni publik dhe komuniteti i artistëve, pasi ky akt shënoi fillimin e pluralizmit në kulturën shqiptare: teatri u bë e para gjini e artit ku kemi dy institucione kombëtare, ndërsa në të gjitha gjinitë e tjera vazhdon situata monopol. TKK ishte gjithashtu i pari institucion i ri kulturor-artistik, i themeluar pas vitit 1990. Për më tepër, ky institucion u krijua pa investime kapitale, duke shfrytëzuar hapësirat e lira në infrastrukturën e Teatrit Kombëtar (TK).
Gjatë dy viteve të kaluara, TKK arriti të realizojë 6 premiera (nga të cilat 3 nga dramaturgjia kombëtare) dhe të japë 124 shfaqje, të cilat u frekuentuan nga mbi 19 mijë shikues, prej të cilëve mbi 11 mijë me bileta, duke realizuar të ardhura në total nga shitja e biletave, sponsorizimet dhe qiradhëniet, mbi 6,5 milion lekë. Vetëm në vitin e parë të veprimtarisë, ne përfaqësuam Shqipërinë në pesë festivale mbarëkombëtare e ndërkombëtare dhe fituam edhe trofeun e parë. Të gjithë këta tregues, e bëjnë TKK teatrin shqiptar më të suksesshëm të viteve të fundit.
Megjithatë, ne mbetëm një teatër i kategorisë së dytë, për sa i takon trajtimit nga Ministria e Kulturës, me paga në nivelin e Teatrit të Kukullave dhe me një buxhet mesatar sa një e pesta dhe staf sa një e treta e Teatrit Kombëtar. Më 18 nëntor të vitit të kaluar, në të vetmin takim të Ministres së Kulturës me komunitetin e artistëve të teatrit, nuk u artikulua asnjë ankesë, por vetëm lavdërime në adresë të TKK. Komuniteti artistik dhe opinioni publik po presin që edhe TK të reformohet sipas modelit të TKK, siç kanë sugjeruar pothuaj të gjithë kandidatët për drejtor në platformat e tyre.
Pa përfillur asnjë nga faktet e mësipërme, pa u këshilluar as me Bordin dhe as me rreth 50 artistët që kanë bashkëpunuar me TKK në këta dy vjet, pa asnjë debat publik, Ministria e Kulturës ka bërë fakt të kryer projekt-ligjin “Për disa ndryshime në Ligjin nr. 10352 “Për Artin dhe Kulturën””, ku përfshihet edhe ndryshimi i emrit të Teatrit Kombëtar të Komedisë, në Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, i cili u miratua nga Qeveria më 15 janar dhe tashmë pret miratimin nga Kuvendi. Projekt-ligji nuk është bërë publik, por në dy prononcimet e vetme për këtë çështje, Ministrja Kumbaro ka pretenduar në konferencën për shtyp të datës 15 janar se “kjo është kërkesë e komunitetit të artistëve” pa sqaruar se cilët janë këta artistë, kur dhe si janë shprehur, ndërsa këshilltarja e Ministres për marrëdhëniet me mediat ka sqaruar të nesërmen në profilin e Ministrisë së Kulturës në Facebook se me eksperimental kuptohet “muzika, kërcimi dhe komedia” (!).
Jemi thellësisht të zhgënjyer dhe të fyer nga këto qëndrime arrogante dhe manipuluese të Ministrisë së Kulturës. Për sa më lart, dëshirojmë të bëjmë të ditur qëndrimin tonë, si vijon:
1. Teatri Kombëtar i Komedisë është emërtesa e propozuar në projektin fillestar jo nga politika, por nga tre artistët që e hartuan projektin (Mihal Luarasi, Bashkim Hoxha dhe Bujar Kapexhiu). Kjo emërtesë u zgjodh edhe për të bërë të qartë se ky institucion nuk do të kishte asnjë lidhje me ish-Teatrin e Varietesë së Tiranës. Sot në botë, nga SHBA-ja e deri në Australi ka qindra, teatro që quhen “të komedisë”, duke filluar me Teatrin e Komedisë në Londër, të themeluar më 1881! Një vit pas Tiranës, edhe Shkupi është bërë me një teatër kombëtar komedie, ndërsa në Bukuresht, Budapest e Zagreb këto teatro kanë nga 50-120 vjet jetë.
2. Nuk ka askund në botë teatro, dmth institucione publike dhe ndërtesa, “eksperimentale”. Ka individë, kompani dhe festivale, gjithsesi në minorancë ekstreme, por jo institucione publike, për më tepër kombëtare, eksperimentale. Eksperimentet i bëjnë natyrshëm individët gjatë punës krijuese, jo sepse Ministria u ka ofruar një teatër për të bërë eksperimente. Gjithsesi, sallat ku jepen shfaqje me “muzikë, kërcim dhe komedi” nuk quhen teatro, por kabare, estrada ose variete.
3. TKK nuk ka nevojë për ndryshimin e emrit, që të mbështesë artistët e rinj. Shumica e artistëve të angazhuar në projektet e TKK në këta dy vjet kanë qenë të rinj. Përkundrazi, është Ministria e Kulturës ajo që i ka diskriminuar të rinjtë e TKK, duke u dhënë paga si ato të artistëve të kukullave, duke mos akorduar asnjë përqindje nga Fondi për Regjisorët e Rinj, apo duke mos miratuar prej dy vjetësh Statutin e TKK, ku përfshihet edhe Studioja Eksperimentale për të Rinj.
4. Ministria e Kulturës ka bërë të ditur se ka ndërmend t’i propozojë Kuvendit brenda vitit në vazhdim një amendim tërësor të Ligjit “Për Artin dhe Kulturën”. Në këto kushte, ky amendim i nxituar, pjesor dhe pa konsultimin e komunitetit, duket se është një përpjekje për të krijuar një artific juridik, për shkarkimin e drejtorit dhe Bordit Artistik të TKK, të cilët kanë mandat 4-vjeçar. Ky do të ishte një precedent shumë i rrezikshëm, me pasoja të rënda për pavarësinë dhe mirëqeverisjen e institucioneve të artit dhe kulturës.
Nisur nga sa më lart, ne kërkojmë mosmiratimin e neneve të Projekt-Ligjit në fjalë që lidhen me ndryshimin e emrit të Teatrit Kombëtar të Komedisë. Ne kërkojmë gjithashtu, që amendimi i plotë i Ligjit “Për Artin dhe Kulturën”, të bëhet pa nxitim, me procedura transparente dhe pas një debati publik me pjesëmarrjen e komunitetit të artistëve.
Duke ju falënderuar për mirëkuptimin, mbetemi të pritje të përgjigjes Suaj!
Anëtarët e Bordit Artistik të Teatrit Kombëtar të Komedisë