Peticioni i artisteve te TKOB-se sot mbi tryezen e Nishanit Rames dhe Metes

'Peticioni i artisteve te TKOB-se, sot mbi tryezen e Nishanit, Rames dhe Metes'

Artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit vazhdojnë të kundërshtojnë nënshkrimin e kontratës që është prezantuar nga Ministria e Kulturës për tu firmosur. Janë rreth 120 artistë që përpos protestave, nuk përjashtojnë as grevën. Ata nuk mendojnë që të ndalin deri në ndryshimin e kushteve të kontratës. Kryetari i Komunitetit të Artistëve, të krijuar enkas për këtë çështje, Rudin Sata thotë për “Shekullin” se, sot do të dërgojnë peticionin e firmosur nga artistët në të gjitha institucionet e larta të shtetit si: Presidenca, Kryeministria, Parlamenti, e deri te ndërkombëtarët, OSBE/ ODIHR.

Rudi, kryetari i kësaj përfaqësie artistësh pohon se, e gjithë kjo situatë ka ardhur si pasojë se po shkelen ligjet. Në peticionin drejtuar drejtorit të TKOBAP thuhet se: “Komuniteti i artistëve ju bën të ditur në lidhje me ndryshimet ligjore kontraktuale, që ju keni ndërmarrë ditët e fundit që janë në kundërshtim me ligjet aktuale të Republikës së Shqipërisë, dhe aspak në interes të punëmarrësit. Si konkluzion nëpërmjet këtij peticioni ju bëjmë me dije verdiktin absolut të komunitetit të artistëve se nuk jemi dakord me këtë model kontrate. Në rast të vazhdimit të procedurës nga ana juaj, do të ketë një përshkallëzim të mëtejshëm të trupës artistike, duke përdorur të gjitha mjetet dhe normat demokratike”.

Zoti Sata si përfaqësues i komunitetit të artistëve, sot (dje) ishte planifikuar që artistët të firmosnin një nga një kontratat, por çfarë ka ndodhur realisht?

Sot plani ishte që t’i merrnin njerëzit tek e tek, që të firmosnin kontratën, por nuk i morën. Kjo punë është bërë e gjatë e gjerë dhe punët e bëra gjatë e gjerë bëhen në mënyrë të fshehtë. Një veprim që është me parim ligjor, nuk ka përse të bëhet e fshehtë. Kujt i tremben? Pra, nëse po bëhet një kontratë ligjore, përse nuk del se, unë jam punëdhënësi dhe ti je punëmarrësi. Përse duhet të mbahet sekret kjo gjë?

Drejtori për mediet pranoi se, disa artistë që ishin në protestë kanë firmosur edhe kontratën...

Po atëherë përse njerëzit që kanë firmosur peticion kanë kurajo dhe e tregojnë këtë gjë, ndërsa emrat që kanë firmosur kontratën ligjore nuk tregohen? Kujt i tremben? Këtu nuk ka rëndësi numri rendor, por fenomeni. Prokurori kur je në gjyq, nuk ka nevojë për sodilaritet, ai të dënon me 20 vjet dhe kaq, të fut në burg. Në këtë pikëpamje unë them se, ne firmosëm peticionin dhe të gjithë njerëzit treguan edhe emrat. Këtë nuk po kuptojmë, përse mbahen emrat e artistëve sekret? Çfarë frike kanë? Ne si individ reaguam se, artistët nuk janë dakord, ndërsa shteti paska frikë të tregojë se kush ka firmosur.

Çfarë ndodhi, pas diskutimit të parë me Ministrinë e Kulturës, përse ndalën bisedimet mes palëve ?

Unë jam një person që flas gjithmonë për të zezën mbi të bardhë, duke iu referuar fakteve. Kjo do të thotë se ne kemi bërë tentativat për bashkëpunim, kemi dërguar katër materiale të protokolluara në lidhje me tematika të ndryshme, por kryesorja në parim ka qenë tipologjia e kontratave individuale, mosdakordësia jonë. Për këto arsye ne kemi thënë se, është cenim i parimeve të sigurisë ligjore dhe që bie ndesh që nga Kushtetuta, Kodi i Punës etj. U dërguan katër materiale dhe asnjë përgjigje. Atëherë kjo do të thotë se, këta nuk pyesin për ne, na nënvlerësojnë, prandaj me këtë nënkuptojmë se ne duhet të vazhdojmë punën tonë. Pasi e kaluam fazën e ndërmjetësimit dhe duke u treguar shumë të përgjegjshëm me anë të këtyre shkresave, përderisa ne nuk marrim përgjigje, ne kemi ngrirje të marrëdhënieve institucionale. Sepse janë këta që e ndalin marrëdhënien, sepse në atë derë që nuk dëgjohesh më mirë ik. Faktet janë fakte, materialet janë me numër protokolli, por mos të kthehemi më pas, sepse për kontratat në mënyrë eksplicite është thënë se ku është ngërçi. Këto janë kontrata që modeli evropian nuk i ka, këto janë kontrata në diskutim për vendin e punës, këto janë kontrata të disfavorshme për individin nga elementet përbërës të saj. Prandaj forma dhe përmbajtja që këto kontrata janë formuar, bëjnë atë që unë përsëri ta them me kapitale se kemi: Cenim të parimeve të sigurisë ligjore. Kjo është shumë e frikshme, sepse nuk kemi të bëjmë me një shtet ligjor, që funksionon mbi bazën e ligjeve.

Kjo domethënë se tryeza e rrumbullakët nuk shërbeu për asgjë?

Pas tryezës ku u rrahën mendimet, nuk ka pasur asnjë gjë për të cilën është rënë dakord. Marrja pjesë në tryezën e rrumbullakët është tjetër gjë, ndërsa të rënët dakord është tjetër gjë, është një akt final. Sa për dijeni ky grup pune nuk ka as tagrin për të përfaqësuar komunitetin e artistëve. Komuniteti i artistëve përfaqësohet nga sindikatat. Është sindikata dhe bordi përfaqësues i artistëve që punojnë me të tretin, që është Ministria e Kulturës. Dërguam katër materiale me konkluzione të sakta, ku kërkonim që kontrata të bëhej sipas standardeve evropiane. Kërkuam të merret për bazë modeli evropian, por u bë një paçavure, që nuk ka referencë në asnjë shtet të botës. Faktet janë fakte, unë dola në akuzë dhe nuk kundërshtova, sepse nuk ka çfarë. Prandaj kontratat janë të frikshme nga përbërja dhe forma.

Ministria e Kulturës i justifikon kontratat duke thënë se, nuk është zbatuar Ligji për Artin... çfarë mendoni për këtë?

Ai Ligj është bërë në vitin 2010. Janë katër vjet që kanë ikur, a është ndonjë person përgjegjës për të që të mbajë përgjegjësi për këto katër vjet, sipas tyre kjo gjë ka munguar. Këto nuk qëndrojnë sipas meje, nuk ja lënë përgjegjësinë atij që e meriton, por atij që se meriton.

Të jap një shembull, këtu po legalizohen shtëpi të palegalizuara dhe merren me artistin duke i thënë se, nuk ka kontratë të rregullt. Këto nuk qëndrojnë.

A ka një afat kohor se deri kur duhet të firmosen kontratat?

Jo nuk ka asgjë. Prandaj përderisa Ministria e Kulturës nuk ka asnjë përgjigje për letrat që ne dërgojmë, atëherë këtu ngihet marrëdhënia jonë me institucionin, sepse na imponoi vet institucioni, që të vendosemi në këtë pozicion. Ne nuk kemi alternativë tjetër veçse të trokasim në institucione më të rëndësishme.

Kjo është thjesht një strategji.

Me ngrirje të marrëdhënieve me institucionin çfarë nënkupton?

Kjo do të thotë se, ne do të vazhdojmë që të respektojmë gjendjen ku jemi, do të respektojmë institucionin, sepse është një ndërthurje e interesit social, por edhe pasionit. Këtu është integriteti ynë si artistë, ne e duam atë institucion, ajo është shtëpia jonë, artisti shquhet për sakrificat e tij, por fatkeqësisht nuk po vlerësohet. Ne kemi thënë dhe po themi se, nuk heqim dorë nga baza ligjore. Ne mbaruam punë me ministren e Kulturës, ajo nuk do të japë përgjigje, prandaj ne jemi në tratativa që të shkojmë në institucione më të larta. Këtu nuk është fjalë për artistin, këtu bëhet fjalë për rrezikun që i kanoset institucionit tonë, rreziku që ka ky institucion me atë që do të ndodhë nesër apo pasnesër. Binomi është artisti dhe institucioni në udhëkryq.

Komunikimi juaj ka “ngrirë” vetëm me Ministrinë e Kulturës, por me drejtuesin e TOB-it, Ilir Kerni si i keni marrëdhëniet?

Unë e kam thënë dhe e them përsëri se, drejtori është thjesht një levë që bën atë që i thotë Ministria e Kulturës, përderisa shkresat nuk vijnë me vulën e drejtorit, nuk ka fakt më të madh se ky. Institucioni është në varësi të Ministrisë, por edhe drejtori është në varësi të saj. A mendoni se shteti ynë është kaq demokratik sa të ketë ndarje pushtetesh, që të vendosin një drejtor dhe t’i thonë vazhdo bëj çfarë të duash ti? Kjo jo vetëm që nuk ndodh, por ministria ka dhe përgjegjësi, nuk mundet që një institucion të lihet në dorën e një individi. Ka një staf që e monitoron, nëse u futët në fazën e kontratave, a nuk ka qenë Ministria e Kulturës arkitekt i realizimit të tyre? Tipologjinë e kontratave e ka realizuar ky institucion, ne nuk hyjmë fare në këtë punë. Elementet e Kodit të Punës, nga mënyra sesi është hartuar është favorizues për punëmarrësin, kjo do të thotë se, çdo gjë që është në kontrata duhet të jetë aty.

Cili mendohet të jetë hapi i radhës?

Po punohet me strategji këtu, të dy palët kanë strategji. Strategjia e Ministrisë së Kulturës është që ta lokalizojë këtë ngjarje, ta lërë brenda mureve të operës sikur nuk ka ndodhur asgjë, më pas të vazhdohet me procedurën e saj. Ndërsa ne nuk kemi përse fshihemi, por ne po themi hapin final...

Që është?

Nesër (sot) neve do të dorëzojmë në Presidencë, Kryeministri, në Parlament, te Komisioni i Medies, për dijeni ministres së Kulturës, për dijeni Kryeministrit, kryetarit të Kuvendit, zyrave të Bashkimit Europian, OSBE/ODIHR-it, për dijeni trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, deri tek Ambasada Amerikane, do t’iu dërgojmë peticionin tonë që t’iu themi se kjo çështje duhet rishikuar në Parlament.

Pra ky peticion do t’i shkojë kryeministrit Edi Rama?

Padiskutim, nesër (sot) kryeministri e ka në tavolinë. Ky vendim sot (dje) do t’i bëhet i ditur edhe komunitetit, sepse ne kemi rënë dakord me grupin e punës, por ata duhet të njohin edhe përmbajtjen.

Për këtë ne do t’i drejtohemi Parlamentit, sepse kjo është një çështje kontraktuale, juridike. Përderisa çështja jonë është e një rëndësie të veçantë, unë besoj se duhet vënë në dijeni Parlamenti.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama