Numri një i stolit të Zvicerane, Vladimir Petkoviç, në intervistën e dhënë pas ndeshjes për "Super sport", komplimentoi Kombëtaren shqiptare për lojën e treguar në fushë, por shtoi se fitorja ishte e merituar nga ana e ekipit të tij.
Petkoviç pranoi se ekipi i tij u gjend disa herë në vështirësi para kuqezinjve, por ata që iu gëzuan fitimit të tri pikëve në fund ishin zviceranët.
"Fitore e bukur dhe e merituar, por vuajtëm shumë. Patëm raste të shumta, por nuk shënuam dhe në fund rrezikuam shumë. Megjithatë, Shqipëria luajti një ndeshje të bukur, luftarake dhe na vuri në vështirësi, komplimente".
Trajneri helvet nuk la pa komentuar edhe duelin e vëllezërve Xhaka, duke thënë se ishte një duel i bukur, ku të dy dhanë maksimumin edhe pse triumfoi Graniti.