Petrela Ja si do te jete muzeu i ri i Gjirokastres

Petrela: Ja si do te jete muzeu i ri i Gjirokastres
Së shpejti një muze i ri për Gjirokastrën, i cili do të ngrihet brenda ambienteve të kalasë. Ky muze synon të tregojë kulturën, traditën dhe historinë e Gjirokastrës në 2000 vjetët e fundit, përfshirë edhe atë të luginës së lumit Drino. Përveç të tjerash, pjesë e tij do të jenë edhe personalitete si: Eqrem Çabej, Koto Hoxhi, Ismail Kadare, por edhe Enver Hoxha. Sadi Petrela, drejtor i Organizatës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës, tregon detajet

Ngritja e një muzeu të ri në kalanë e Gjirokastrës e ka marrë paraprakisht miratimin. Do të jetë i treti në qytetin e UNESCO-s bashkë me etnografikun dhe muzeun e armëve. Fillimisht ishte menduar të quhej “Kronikë në gur”, sipas romanit të Ismail Kadaresë, por ideja ka ndryshuar.

Do të ngrihet si një nismë e Organizatës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës në bashkëpunim me bashkinë e qytetit. Puna ndodhet në fazën përfundimtare të çështjeve teknike dhe të përmbajtjes, para se të fillojë zbatimi konkret. Po çfarë do të përmbajë ky muze? Sa përfaqësues do të jetë? A do të ketë jetëgjatësi? Sadi Petrela, drejtor i GCDO-së (Organizata për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës), tregon detaje të projektit që pritet të mbyllet në vjeshtë të këtij viti. Muzetë lokalë sot thuajse janë inekzistentë dhe vetëm dëshmi e degradimit të kësaj fushe lidhur ngushtësisht me promovimin e turizmit. A do të funksionojë ky muze i ri?

Organizata për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës prej disa kohësh po punon për ngritjen e një muzeu të ri, “Kronikë në gur”, brenda kalasë së qytetit. Në cilën fazë janë punimet?

Jemi në fazën përmbyllëse, kur konkretizohen muaj e muaj përpjekjesh të grupit të punës, krijuar në bashkëpunim me Bashkinë e Gjirokastrës. Kemi bërë kërkime të gjera në arkiva e biblioteka, konsultime me institucione dhe specialistë lokalë, kombëtarë e ndërkombëtarë, por edhe me qytetarë të thjeshtë. Janë me qindra përpjekje të vogla të përditshme në Tiranë dhe Gjirokastër, Athinë, Janinë, Londër, Norwich etj., sepse krijimi i një muzeu është punë shumë komplekse. Këtu duhet përmendur edhe puna për parapërgatitjen e mjedisit ku muzeu do të vendoset. Është një nga galeritë më të bukura të kalasë, të cilën, me fonde të donatorëve të ndryshëm e kemi restauruar tërësisht, duke përfshirë hidroizolimin, dritaret, muret, dyshemenë, sistemin elektrik etj.

Në fakt, puna përgatitore për muzeun ka nisur 6 vjet më parë, kur në zbatim të strategjisë sonë dhe në bashkëpunim me ente lokale dhe qendrore, nxitëm apo kryem një seri projektesh për rijetëzimin e kalasë së mrekullueshme të Gjirokastrës. Ndër to do të përmendja restaurimin e 5000 m2 të tarracës së kalasë, që u krye me financimin e qeverisë dhe pa të cilin çdo përpjekje për të krijuar ndonjë aktivitet në kala as që mund të mendohej.

Po ashtu, mund të përmend projektet për vendosjen e paneleve informuese, pastrimin dhe përmirësimin e pamjes së kalasë, luftën kundër bimësisë së dëmshme, ndriçimin e galerisë në hyrje të saj nëpërmjet furnizimit me energji të rinovueshme të prodhuar nga panele foto voltaike etj. E gjithë kjo veprimtari e GCDO-së në kala është pra zbatim i strategjisë së organizatës sonë, e cila gjeti konkretizim edhe në përmbajtjen e dosjes që u përgatit për pranimin e Gjirokastrës në UNESCO në vitin 2005. Tani që flasim jemi në përfundim të dizajnit përfundimtar që do të paraqitet në Komisionin Shtetëror të Muzeve për miratim (një miratim në parim të konceptit ne kemi marrë tashmë para disa muajsh). Pjesë e dizajnit janë tekstet shpjeguese, objektet që do të paraqiten, ndriçimi, sistemi i sigurisë dhe sistemi mbrojtës kundër zjarrit. Pasi të marrin miratimin, ne do të fillojmë konkretizimin.

Synimi ynë është që të përurojmë muzeun e ri në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, në Ditët e Trashëgimisë Kulturore në fundjavën e fundit të shtatorit, kur ne rregullisht që prej 6 vjetësh zhvillojmë në rrugët e Pazarit të Gjirokastrës, Panairin e Artizanatit dhe Trashëgimisë. Më lejoni t’ju bëj edhe një saktësim: ne patëm një titull të përkohshëm të huazuar nga libri i famshëm i Kadaresë dhe për këtë edhe shkrimtari i madh na dha fillimisht dhe përkohësisht pëlqimin e tij. Por me sa duket muzeu nuk do të mbajë këtë titull.

Ky është muzeu i tretë që ngrihet në qytetin e Gjirokastrës pas atij etnografik dhe muzeut të armëve. Si është konceptuar përmbajtja e këtij muzeu, çfarë do të përcjellë ai te vizitorët?

Natyrisht ky muze nuk do të konkurrojë ata ekzistuesit, ku për fat të keq, ka vite që nuk vihet dorë. Përkundrazi, muzeu i ri synon të jetë plotësues dhe madje mbështetës i tyre. Muzeu synon të hedhë një vështrim panoramik të kulturës, traditës dhe historisë së Gjirokastrës në 2000 vjetët e fundit, por edhe të luginës së lumit Drino. Kjo mendojmë i shërben më mirë zhvillimit të turizmit, por edhe informimit të brezit të ri. Në fakt ndërtimi i tij është pjesë e strategjisë sonë për zhvillimin e informimit turistik në qytet, që ka qenë thuajse krejtësisht mungues deri 5 vjet më parë. Kurse tani kemi fletëpalosje, harta, guida, panele shpjeguese për monumentet, uebsajte etj. Është një sistem i tërë informimi që plotësohet dhe pasurohet…

Sa i mungonte ky muze një qyteti si Gjirokastra, pjesë e pasurisë botërore të UNESCO-s?

Shumë. Ju përmendët dy muzetë ekzistues në Gjirokastër, të cilët në atë gjendje që janë i japin vizitorit një pamje tematike për fushat që mbulojnë. Por Gjirokastrës i mungon shumë një qendër e vetme që t’u tregojë vizitorëve, por edhe brezit të ri vendas esencën e vlerave të qytetit, por edhe detajet e këtyre vlerave. Janë pyetje që të vijnë menjëherë në mend sapo vjen në qytet. Pse Gjirokastra është në UNESCO, çfarë duhet kuptuar përtej asaj që shohim, çfarë ka tjetër për të parë këtu? Ne duam që muzeu të tregojë këto vlera dhe traditat në gjithë luginën e lumit Drino Antigonea, Adrianopoli, Labova e Kryqit, Zagoria etj., që të mundësojnë që vizitorët të qëndrojnë në Gjirokastër jo disa orë, por disa ditë, sepse vërtet ke çfarë të shohësh. Në këtë kuptim ne duam që muzeu të jetë bashkëkohor në shërbim të turizmit dhe me një vështrim tërësor të traditave dhe vlerave. Natyrisht Gjirokastra ka nevojë shumë më tepër se kaq. Muze të rinj mund të ndërtohen me tematika të veçanta, si p.sh. për kalanë, për banesën gjirokastrite, për arsimin, për kulturën, për historinë, për arkeologjinë, figura të veçanta të Gjirokastrës etj., etj. Jam i sigurt që potenciali muzeor është aty gati për zhvillime të tjera të këtij muzeu ose të muzeve të tjerë ekzistues apo që do të ngrihen në Gjirokastër. Në fakt qyteti ka nevojë për një plan menaxhimi, ku zhvillimi i muzeumologjisë duhet të ketë pasqyrimin e vet.

Më herët ju jeni shprehur se kërkimet për materiale do të përqendroheshin në arkiva. Sa ju kanë ndihmuar arkivat për të ndërtuar një histori të Gjirokastrës?

Na kanë ndihmuar shumë. Për fat të keq jo të gjitha: kemi hasur edhe ngurrime dhe dyshime apo zvarritje. Siç thashë krijimi i një muzeu të ri, aq më tepër në kushtet që dihen të vështirësive të historiografisë shqiptare është punë shumë komplekse dhe kërkon shumë bashkëpunim. Ndoshta një pjesë e ngurrimeve po e quaj kështu, vjen për shkak të mungesës pothuajse të plotë në 20 vjetët pas rënies së sistemit të vjetër, të përvojave për ndërtimin e muzeve të tillë, pa bërë fjalë për njohje me zhvillimet bashkëkohore të muzeologjisë. Ngurrime shumë të mëdha ndeshëm sidomos nga fakti që një OJQ merr nismën për të krijuar një muze të ri, gjë që nuk para ka ndodhur në Shqipëri. Por arkivat e Shqipërisë, qoftë të objekteve, ato të dokumenteve, të filmit apo fotove etj., kanë ende shumë punë për të kërkuar. Natyrisht ne as nuk mund të pretendojmë të jemi shterues në atë që po bëjmë. Sepse një muze është si një organizëm i gjallë që rritet e pasurohet me kalimin e kohës.

A u është dhënë vend personaliteteve që kanë dalë ndër kohë nga ky qytet?

Natyrisht. Unë besoj se e kuptoj ku e hidhni fjalën me këtë pyetje. Ne jemi nisur nga koncepti që të tregojmë vlerat e qytetit, duke vënë në qendër jo thjesht arkitekturën e gurit, por në radhë të parë jetën e banorëve të tij, të sotëm e ata që i kanë dhënë jetë kulturës dhe traditave të tij gjatë gjithë historisë, qofshin këta të famshëm, famëkëqij apo edhe anonimë. Kështu që patjetër kemi në muze pasqyrimin e figurave kombëtare, si Ismail Kadare, Eqrem Çabej, Koto Hoxhi, por edhe të njerëzve më të thjeshtë, si doktor Laboviti, punëtorit të palodhur Simi Llukani apo edhe anonimëve që sjellin një këndvështrim të ngjarjeve dhe fakteve të historisë së re të qytetit, duke krijuar një lidhje interesante të kaluarës me të tashmen. Që të vij te halli i pyetjes suaj: pa diskutim ndër figurat do të pasqyrohet edhe Enver Hoxha, duke u përpjekur të japim për të, si edhe për secilin, faktet pa ngjyrime dhe qëndrime. Natyrisht shumë prej këtyre figurave nesër mund të kenë muze më vete, por kjo duhet të jetë pjesë e një strategjie për zhvillimin e muzeumologjisë në Gjirokastër. Mungesa e tij na e ka vështirësuar punën neve, ashtu siç do ia lehtësonte kujtdo që mund të merrte një nismë të ngjashme në të ardhmen. Gjirokastra ka potencial të madh muzeor te gurët, por edhe te njerëzit.

Ky projekt është konceptuar që në fillim si një bashkëpunim me bashkinë e qytetit, e cila edhe do ta administrojë. Duke qenë se këto 20 vitet e fundit, historia e muzeve lokalë nuk është optimiste, a janë bërë llogaritjet për një jetëgjatësi të këtij muzeu?

Unë jam dakord me ju lidhur me historinë e muzeve vitet e fundit, por ne kemi gjykuar që ka ardhur koha për një rifillim. Ne flasim për trashëgimi kulturore e turizëm kulturor dhe promovojmë shumë dobët në të gjitha nivelet, që nga komunat e deri në qendër. Prandaj duhet një ndryshim rrënjësor e ky, tani në periudhën e decentralizimit të pushtetit lokal, nuk mund të bëhet veçse me pjesëmarrjen e të gjithëve. Ka vend për të gjithë. Siç thashë, ngritja e një muzeu është punë e vështirë që kërkon shumë mund dhe në fund mbledh më shumë kritika e sugjerime. Dhe për këtë ne ishim të vetëdijshëm që në fillim, por u nisëm nga mendimi se një muze është një përparësi për Gjirokastrën dhe zhvillimin e turizmit të saj kulturor. Kjo sa i përket parimit. Nëse flasim konkretisht mund të them se i kemi pasur, po ashtu, që në fillim parasysh mundësitë që ka dhe mund të ketë një bashki si e Gjirokastrës. Për këtë arsye kemi parashikuar kosto sa më të ulët mirëmbajtjeje (pak objekte, sepse ato janë të shtrenjta për t’u ekspozuar dhe mirëmbajtur, ndriçim me llamba ekologjike duke paraparë në të një të ardhme jo të largët prodhimin e energjisë me panele diellore etj.), si dhe një plan menaxhimi që synon në pak vjet ta bëjë fitimprurës muzeun e ri, d.m.th. që ai të mbajë veten dhe të prodhojë të ardhura.

Ju veproni në Gjirokastër paralelisht me dy projekte të tjera që kanë në fokus trashëgiminë kulturore. Nga përvoja, sa e mundur do të jetë në të ardhmen bashkëveprimi i kësaj pasurie me turizmin, duke pasur parasysh problematikat e shumta që e karakterizojnë këtë fushë?

Ne kemi në zbatim dy projekte të financuara nga Bashkimi Europian që quhen EVAH dhe REVATO. Të dy këto projekte përfshijnë menaxhimin e trashëgimisë kulturore dhe përdorimin e saj si një aset për zhvillimin e turizmit, çka përputhet plotësisht me strategjitë e zhvillimit të Gjirokastrës dhe gjithë Shqipërisë.

Natyrisht këto dy projekte kanë edhe specifikat e tyre. Projekti EVAH, “Vlerat Europiane në Trashëgimi”, është ndërkombëtar dhe zhvillohet në partneritet me 3 OJQ në Prizren, Ohër dhe Janinë. Ai ka në fokus standardet e BE-së në menaxhimin e trashëgimisë kulturore të qyteteve, duke e parë pra turizmin në një kontekst rajonal bashkëkohor, ku këto 4 qytete në pamje të parë mund të jenë në konkurrencë në tregun turistik, por mund të bashkëpunojnë në përfitim të të gjitha palëve. Projekti REVATO – “Rijetëzimi i qyteteve historike në Berat e Gjirokastër dhe kapërcimi i mospajtimeve penguese”, zhvillohet në dy qytetet shqiptare të UNESCO-s, Berat e Gjirokastër, dhe synon të sjellë një hop të ri në përdorimin e trashëgimisë së ndërtuar të jashtëzakonshme që kanë këto qytete për zhvillimin e turizmit. Thënë ndryshe, projekti synon të fusë në tregun e pasurive të paluajtshme dhe në tregun e investimeve rreth 1000 shtëpi monumente kulture që janë në këto dy qytete, duke mundësuar ruajtjen e vlerave të tyre dhe përdorimin në industrinë turistike që pretendojmë të krijojmë në Shqipëri.

40 panele

Muzeu do ketë rreth 40 panele shpjeguese dhe ilustruese dhe 7 vitrina me objekte dhe ilustrimet përkatëse. Muzeu do të vendoset në një nga galeritë më të bukura të kalasë. Lista e objekteve që do të ekspozohen është bërë gati dhe do t’i paraqitet për miratimin përfundimtar Këshillit Kombëtar të Muzeve


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama