Petrele-Veliaj Do te fillojme me lirimin e territorit te Kalase

Petrelë-Veliaj: Do të fillojmë me lirimin e territorit të Kalasë

Erion Veliaj gjate prezantimit te administratorit ne PetreleTIRANË, 11 Gusht /ATSH- I. Vata/-Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, prezantoi administratorin e Petrelës, Sokol Kupi, i cili garantoi se në vazhdën e aksionit për lirimin e hapësirave publike, Bashkia e Tiranës do të lirojë edhe territorin e Kalasë së Petrelës dhe se komunitetit do t'i kthehen asetet publike dhe se nuk mund të ketë privatizim të tyre.

"Kalaja e Petrelës nuk mund të jetë përjetësisht kafja e ish-kryetarit të komunës. Është e kotë që ne përpiqemi të lirojmë trotuaret apo rrugicat e Tiranës nëse nuk lirojmë dot Kalanë e Petrelës. Është shumë e rëndësishme që bashkia të ketë nën kontroll territorin dhe të dijë sa tokë publike ka në dispozicion, si dhe asetet kulturore e artistike të saj. Në vijim të përpjekjeve tona për kontrollin e territorit, kemi pasur disa ndërhyrje për ndërtime të paligjshme në zonën e Petrelës. Me rikonfigurimin e ri, edhe njësitë administrative do të kenë punonjës të INUV, të Policisë Bashkiake, që do të jenë 24 orë në 7 ditë të javës në kontroll të territorit", theksoi Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Veliaj, në vijim të fjalës së tij, kërkoi inventarizimin e të gjitha nevojave që ka zona, si dhe shprehu nevojën që për projektet prioritare të merret mendimi i komunitetit. "Është e rëndësishme të bëjmë një listë investimesh, pastaj komuniteti do të vendosë për prioritetet. Administratori do të ndjekë me rigorozitet hapjen e shkollave. Është e rëndësishme që të përfundojmë punimet e nevojshme infrastrukturore në shkolla apo institucione të tjera arsimore e për t'u siguruar që të mos ketë asnjë ndërprerje të shërbimeve që ofrohen në zonën e Petrelës, tha ai.

Në fund, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Veliaj, kërkoi nga administratori i Petrelës që të bëhet maksimumi për pastrimin e territorit dhe të ftohen qytetarët që t'i bashkohen aksionit të pastrimit në 4 shtator. /a.ke/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama