TIRANË, 5 Nëntor/ATSH/.- Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim(LSI), Petrit Vasili
gjatë një interviste televizive u shpreh se reforma në drejtësi duhet të jetë konsensuale dhe e përqëndruar në elementë parimorë.
Duke e konsideruar reformën në drejtësi një proces madhor dhe një nga 5 kushtet që i janë vënë Shqipërisë për hapjen e negociatave me BE-në, Vasili tha se kjo reformë ka një dimension jetik për vendin.
"Qytetarët po presin një mënyrë se si do ndryshojë drejtësia dhe si do të jetë ajo nesër, pas kësaj reforme. Ata do të marrin përgjigje të drejtpërdrejtë. Do të qëndrojnë në dyert e gjykatave me vite, do të gjenden nën efektin e veprimeve korruptive të sistemit, do të shkojmë me mosbesimin e plotë se ne në këto dyer nuk do marrin drejtësi? Këto janë efektet e reformës në drejtësi, e cila ka efektuar zbatimin e ligjit në vend, mos funksionimin e ligjit, ka prodhuar korrupsion dhe nuk ka bërë të mundur që dy probleme madhore, siç është lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit të marrë përgjigje sinjifikative që na hapin rrugën ndaj Evropës", deklaroi kreu i grupit të LSI-së.
Shqetësimi i përhapur, tha Vasili, se drejtësia nuk funksionon, reforma është e detyruar t'i japë përgjigje, ndaj edhe konsensusi sa më i gjerë është i domosdoshëm, sepse 90 për qind e shqiptarëve nuk besojnë në të dhe kërkojnë përgjigje.
"Ne do të orientohemi qartë dhe mirë në elementët parimorë të reformës. Ne kemi çështje të mëdha, të veprave penale, që lidhen me krimin e organizuar në mënyrë të veçantë, dhe me korrupsionin. Pra në të gjitha rastet, reforma e përqendruar në këto elementë parimorë, ku sigurisht dakordësia nuk mund të mungojë, sepse asnjë forcë politike, e majtë apo e djathtë nuk mund t'u thotë 'JO' këtyre parimeve të shëndetshme. Në rast se ne jemi të dakordësuar me këto parime shtyllat e konsensusit qëndrojnë këtu", tha Vasili në intervistën e tij. /a.s/f.n/