Klajdi Marku, Fatmir Xhelili, Bledar Mehmeti, si dhe Olta Gixhari janë katër aktorët me të cilët profesor Enver Petrovski do të vërë në skenë pjesën e tij "Kush m‘ka faj që jam shqiptar". Të premten, Petrovski këtë herë në rolin e skenaristit dhe regjisorit ka mbledhur trupën e aktorëve për të vendosur linjat mbi të cilën do të ngrihet kjo shfaqje.
"Skenarët ua kam dhënë disa ditë më parë", thotë ai duke pranuar se mirëpret edhe ndonjë sugjerim nga aktorët.
Ndërhyrja e vetme, sipas Petrovskit, është në shqipërimin e gjuhës së përdorur.
Veprën "Kush m‘ka faj që jam shqiptar" Petrovski e ka shkruar në vitin 1998 dhe për gati dhjetë vjet e ka mbajtur në sirtar.
"Kam pasur mjaft frikë ta nxirrja në dritë. Por pas renditjes time si një nga 100 dramaturgët më të mirë në Evropë vendosa ta provoj. Fierin e zgjodha vetëm për vlerësimin që ky qytet i bën artit, si dhe për aktorët që ka", thotë ai.
Duke qenë se vepra është shkruar në vitin 1998, fare lehtë kupton përmbajtjen e saj. Por edhe titulli e pasqyron këtë fakt. Çështja e Kosovës do të zërë edhe për pak kohë veprat artistike të autorëve të saj vendas, si dhe autorëve të atyre vendeve ku gjenden shqiptarë. Petrovski dhe vepra e tij, por edhe e shumë artistëve të tjerë do të shkëputet shumë shpejt nga kauza e Kosovës, pas kristalizimit të saj në një Republikë. Pritet që në fund të muajit gusht vepra të shfaqet në "Bylis "e "Apoloni", ndërkohë që premtohet se ajo do të udhëtojë edhe në Kosovë, Tiranë dhe pretendohet që me të Petrovski dhe katër aktorët të garojnë edhe në festivalet e teatrit që zhvillohen në vend, jashtë tij, si dhe në vendet mbarëshqiptare. Në Fier, pa dyshim që vepra do pritet jo vetëm për faktin e artdashësve, por edhe për faktin tjetër të një komuniteti të gjerë kosovarësh në këtë rreth.
Nga : Gazeta Shqip