Një punonjës i policisë rrugore është pezulluar nga detyra pasi akuzohet se ka marrë ryshfet nga një drejtues mjeti, duke mos i vënë ati gjobë për shkelje të rregullave të qarkullimit. Ministria e Brendshme bëri të ditur dje se pezullimi i efektivit Altin Çela është kryer dje me urdhër të ministrit Saimir Tahiri. “Pas publikimit në emisionin “Fiks Fare” të pamjeve të një punonjësi policie të Qarkullimit Rrugor të policisë së Tiranës teksa merrte ryshfet nga një drejtues mjeti, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka urdhëruar Drejtorinë e Inspektimit të Përgjithshëm që të verifikojë vërtetësinë e ngjarjes dhe sjelljen e policit në detyrë.
Kjo drejtori ka marrë në shqyrtim pamjet e transmetuara nga emisioni investigativ, ka verifikuar vërtetësinë e tyre dhe më pas i ka referuar materialet e çështjes në Shërbimin e Ankesave dhe Çështjeve të Brendshme” thuhej në deklaratën për shtyp lëshuar dje nga Ministria e Brendshme. Punonjësi i policisë Altin Çela është shoqëruar në ambientet e Policisë së Qarkut Tiranë ku i është komunikuar masa e pezullimit nga Drejtoria e Qarkut Tiranë dhe fillimi i ecurisë disiplinore nga Drejtoria e Standardeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së ShtetitMaterialet e çështjes në ngarkim të tij do t’i kalojnë prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Ministria e Brendshme i kërkon qytetarëve që të denoncojnë çdo akti korruptiv apo të abuzimit më detyrën të punonjësve të Policisë së Shtetit në numrin pa pagesë 0800 90 90. “Ministria e Brendshme rikonfirmon edhe një herë vendosmërinë e saj për të mos toleruar asnjë shfaqje të korrupsionit apo abuzimit me detyrën nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit” thuhej më tej në deklaratën e policisë së dikasterit blu.