Piktoret e luftes

Piktoret e luftes

Historitë e tablove të luftës/ Nga “Partizani” në studion e Andon Lakuriqit, te “Me top asamblenë kombëtare” e Petro Kokushkës, e cila ndodhet në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve apo “Vojo Kushi” i Sali Shijakut… Ku ndodhen tablotë që i dhanë jetë një prej periudhave më interesante të historisë sonë…

I veshur me këmishë të bardhë, Andon Lakuriqi, një nga piktorët e njohur shqiptarë të para viteve ‘90, mban në dorë kutinë e bojërave. Kjo foto është realizuar në studio, teksa bisedon me modelin (një burrë rreth të 40-ave, që ka zgjedhur për figurën e partizanit). Fotoja që duhet të jetë realizuar pas viteve ‘70, ka brenda jo vetëm mënyrën e punës, por dhe një tematikë, e cila ka shoqëruar pikturën shqiptare pas viteve 1950. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe vendosjes së regjimit komunist, tablotë me tematikë historike, kryesisht luftën, kanë qenë të pranishme në veprat e piktorëve të asaj periudhe. Të ndodhur nën censurën e kohës, lufta duket sikur ka qenë një shpëtim për artistët, të cilët e kanë trajtuar në forma të ndryshme në tablo. Partizani, i veshur me një xhaketë të thjeshtë, pantallonat e futura në çorape, buzëqesh teksa sheh përqendrimin e artistit në telajo. Ne nuk e dimë emrin e tij, por ky burrë i panjohur do të vijojë të udhëtojë përmes imazhit të tij, sa herë studiues apo piktorë do të flasin për historinë e artit apo luftën.

 

Në vitin 1976, kjo tablo e realizuar nga Lakuriqi, merr një vëmendje të veçantë në një shkrim trajtuar nga një gazetë gjermane, mbi mënyrën sesi gjurmët e luftës ndihen ende tek artistët shqiptarë. Tabloja është quajtur “Pas betejës” dhe sot ndodhet në Muzeun e Armëve në Gjirokastër. Nëse e sheh me kujdes, personazhi që Lakuriqi ka zgjedhur për të mishëruar figurën e partizanit ka brenda karakterin e vërtetë të një ushtari që ia ka dedikuar jetën atdheut. Një partizan i plagosur në kokë është ulur mbi bunkerin fashist dhe qetë-qetë po dredh një cigare. Partizani është e vetmja figurë e tablosë, por ajo shpreh qartë dhe në mënyrë bindëse idenë e mishëruar të piktorit. Ngjyrat janë të gëzuara, mbizotëron e kuqja, drita e bollshme, pasi partizani ndien fitoren që do të vijë shumë shpejt.

Lufta duket se ka qenë frymëzim për Lakuriqin, i cili një tjetër tablo dedikuar kësaj pjese të historisë e quan “Për ata që i kënduan luftës”. “Tabloja shtjellon një moment interesant, modest, por domethënës. Partizanët dhe fshatarët të ngjitur aty mbi fshat, janë ulur e po dëgjojnë një këngë për luftën, për dëshmorët e saj. E këndon këtë një djalosh i vogël, një nga ata që mbushën radhët e partizanëve (e jo më kot duke e parë këtë sjellim ndërmend Met Hasën e Çelo Sinanin, Lica Pinën e Kujtim Rulin etj., gjithë ata vogëlushë që lanë kopetë dhe shkuan maleve pas baballarëve, vëllezërve, e motrave të tyre) dhe e shoqëron me violinë një trim nga ata të malit. Në këtë peizazh të ashpër, si vetë jeta e shqiptarëve, shpërndahen tingujt melodiozë të këngës. Tablonë e përshkruan një dinamikë e brendshme, një patos epiko-lirik. Duke pasqyruar këtë episod piktori ka fiksuar edhe qëndrimin e tij estetik, ka futur ndjenjat dhe emocionet e veta, mendimet që i ka ngjallur ky realitet”, shkruan në gazetën “Drita” më 1 qershor 1975, Agim Faja. Veç djaloshit që i këndon, i armatosur me fishekë e me granata, një djalë tjetër simpatik e tipik fshatar, figurë interesante është dhe violinisti. “Me mjeshtëri violinisti është futur këtu si personazh. Është një prej atyre violinave që kanë mbetur të heshtura nëpër muzetë tanë, e si ciceronë flasin me heshtjen e tyre për bëmat e partizanëve, për udhët e luftës, bashkudhëtarë të të cilëve kanë mbetur dhe ata”, shkruan kritika për këtë tablo. Më 31 korrik, Lakuriqi ka 80-vjetorin e lindjes dhe këto tablo që sot ruhen si pjesë e kulturës sonë historike janë një homazh dhe për punën e tij.

 

Por nuk është vetëm Lakuriqi që ka trajtuar luftën në veprat e tij. Artistë që erdhën në Shqipëri pas diplomimit në akademitë perëndimore, e reflektojnë këtë pjesë të historisë në tablotë e tyre, si Nexhmedin Zajmi, Sadik Kaceli, Abdullah Cangonji etj., po kështu edhe artistë që janë formuar në Akademinë e Bashkimit Sovjetik dhe vendeve të tjera të Lindjes, si Sali Shijaku, Fatmir Haxhiu, Vilson Kilica etj. “Me top asamblenë kombëtare” quhet një pikturë e Petro Kokushkës, e cila ndodhet në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve. Një grup partizanësh, mes të cilëve dallohet dhe silueta e një femre, e cila mban shallin e kuq në qafë, janë gati të hidhen në fushën e betejës. Në fytyrat e tyre dallohet gatishmëria për të ecur drejt betejës, e për të dalë prej andej fitimtarë. Një tjetër pikturë që tregon shpirtin e luftës është dhe ajo dedikuar një personazhi të njohur të saj, Vojo Kushit, realizuar nga piktori Sali Shijaku realizuar më 1969-n. Komandanti i njësiteve guerile shqiptare, vjen në këtë pikturë me të gjithë forcën e karakterit të tij energjik.

 

Kjo tablo ka brenda luftën dhe këtë e ndien me një vështrim, edhe pse brenda saj është vetëm një personazh. Shijaku i ka kushtuar luftës një seri tablosh, ku spikat e kuqja karakteristike e stilit të tij. Një pikturë e piktorit Pandi Mele, e quajtur “Ushtarët e revolucionit” (1968), duket sikur është realizuar pikërisht në një fushë lufte. Partizani ka vendosur tytën e armës në sy dhe është gati të qëllojë mbi kundërshtarin. Kjo pikturë duket sikur ka depërtuar në zemrën e luftës, duke e sjellë atë të zhveshur nga kodet, me gjithë agresivitetin që mbart. Ky artist i ka kushtuar një sërë tablosh kësaj periudhe. Në një tjetër, me të njëjtin titull, ai i jep partizanët duke lexuar një libër, në një moment pushimi. “Prita partizane” quhet një tablo e Nexhmedin Zajmit e realizuar më 1956-n, që ndodhet në fondin e Galerisë.

Tablotë e luftës zënë një vend të veçantë në historinë e artit tonë pamor. Ato gjenden jo vetëm në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, por edhe në studiot e piktorëve (një pjesë e tyre nuk jeton më), nën kujdesin e familjarëve. Është interesante të hedhim vështrimin në këtë moment të historisë sonë, e cila ende nuk është trajtuar ashtu siç duhet nga historia, por që ka marrë formë pjesë-pjesë përmes tablove të artistëve të asaj periudhe. Lufta, dhe pse është ndërtuar në tablo mbi imagjinatë, vjen si një shpërthim artistik i një plejade artistësh, që talentin e tyre e çuan për të ndërtuar këtë periudhë, e cila ishte pjesë e krenarisë sonë kombëtare, pavarësisht se sot ajo është një kohë që do ritrajtuar nga historianët. Këto tablo tepër të realizuara artistikisht, janë pjesë e historisë sonë të artit, të trajtuara me kujdes, me karaktere e personazhe që lindën prej imagjinatës dhe i dhanë jetë e zhvilluan pikturën shqiptare. Ne sot ende nuk kemi një studim mbi këtë periudhë dhe nuk e dimë vendndodhjen e një pjese të madhe të këtyre tablove, që duhet të jenë vendosur njëra pas tjetrës në ndonjë dhomë të mbyllur të errët, pas ikjes nga jeta të autorëve. Kjo pjesë e historisë sonë të artit këto vite është paragjykuar, çfarë ka bërë që këto vepra të mënjanohen, dhe të jenë shumë rrallë të ekspozuara. Një pjesë e tyre nuk dihet që ekzistojnë, e shihen vetëm si kujtime familjare, nga të afërmit e artistëve që u dhanë jetë, pa e ditur se ato janë historia e vërtetë e artit tonë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama