Çelet për herë të parë në Gjirokastër një ekspozitë e piktorëve grekë. 27 piktorë grekë nga Janina, mes të cilëve edhe 5 minoritarë të larguar nga Shqipëria pas viteve ‘90 kanë ekspozuar 44 punimet e tyre në teknikat e vajit, lapsit e grafikes në hollin e Teatrit “Zihni Sako” të qytetit. Mes artistëve grekë që kanë ekspozuar punimet e tyre në këtë ekspozitë janë edhe emra të njohur, jo vetëm në rrethet artistike greke, por edhe ato ndërkombëtare si Papajani e Roko.
Në ekspozitë është vendosur edhe një punim i autorit Qirjako Roko, vepër kjo kushtuar 100-vjetorit të pretenduar të Pavarësisë së Epirit, por askush nga autoritetet dhe artistët vendas nuk pati reagim për këtë. Një nga piktorët, që ka ekspozuar veprat e tij është edhe minoritari Jorgo Miçi, i larguar nga Shqipëria kur sapo kishin nisur ndryshimet demokratike. Ai thotë se vendlindja ka qenë gjithnjë motiv për frymëzimin e tij. Një nga punët artistike, që bie në sy në këtë ekspozitë, është edhe boceti i veprës së Theodhoros Papajanit, që është vendosur në një nga aeroportet e Nju Jorkut.