Kontaktin e parë me bojërat e vajrat, e ka pasur kur ka qenë 4 - 5 vjeç. Xhaxhai i tij ka qenë prift, dhe restauronte afreske dhe ikona kryesisht në zonën e Myzeqesë."Mamaja më merrte shpesh me vete në kishë, në studion ku punonte xhaxhai.. Kisha shumë dëshirë të zhysja duart në bojë dhe të pikturoja, aq sa mund të pikturohej në atë moshë:.
Prifti u lind në qytetin e Fierit, po aty u shkollua. Kur ishte 9 vjeç talenti i tij nuk kaloi pa u vënë re nga mësuesi i vizatimit, i cili gjithnjë i ekspozonte punët e tij në klasë. "Mësuesit e mi këmbëngulën që duhet ti përkushtohesha më shumë pasionit tim. Kështu në klasë të 8 nisa një kurs në "Shtëpinë e Pionerit", mbas këtyre viteve në "Shtëpinë e Kulturës. Kur mbarova gjimnazin nisa një kurs në një kolegj artistik dhe ishte kjo koha kur nisa të marr pjesë në ekspozitat që zhvilloheshin dy herë në vit. Në 3 shtator 1977 në Fier u hap ekspozita e parë me peisazhe nga Myzeqeja dhe unë u prezantova në këtë ekspozitë me një punim timin".
Kryesisht çfarë pikturash bënit para viteve '90 dhe ku janë ato tani?
Po, në përputhje me kohën ekspozitat kryesisht kishin për tema punën e kooperativave, arritjet në to. Kam pasur disa piktura të tilla: "Kënga e bukës", "Vjelëset' e shumë të tjera, por që fatkeqësisht tani nuk i kam më. Madje nuk e di fare se ku kanë përfunduar.
Kur bëja piktura me të cilat merrja pjesë në ekspozita e kisha pak të vështirë, pasi duhet t'u përmbahesha disa rregullave. Atëherë nuk lejohej punimi me spatull sepse cilësoheshin si punime moderne dhe të huaja. Mbaj mend, që një herë kam pasur në një ekspozitë një perëndim dielli nga Vlora dhe ma hoqën nga stenda, pasi mendonin se kishte rrymë moderniste.
Në Tetor '90 emigrova në Greqi. Ndiqja me interes ekspozitat sepse doja me çdo kusht të merrja pjesë me një punim timin, por në Greqi qëndrova vetëm 3 vjet dhe më pas u largova për në Kanada, në Toronto.
Ishte një fillim i vështirë si për gjithë emigrantët shqiptarë apo e keni patur më të lehtë?
Mund t'ju duket për të qeshur por muajin e parë të emigrimit në Toronto nisa të lyeja makina. Madje kisha frikë tu tregoja se isha piktor. Por një ditë një grua me origjinë greke që jetonte në Kanada dhe që kishte parë disa piktura të miat më tha se dëshironte që të punoja portret për nënën e saj. Portretin e mbarova dhe ajo erdhi ta merrte aty ku punoja. Menaxheri e vuri re, dhe ndryshe nga sa prisja unë nuk u mërzit, por buzëqeshi. Fati im që punëdhënësi i atyshëm qëlloi njeri i apasionuar pas pikturës. E lashë punën e bojaxhiut dhe nisa të punoj në një galeri pikture. Të gjitha materialet e fillimit i financonte ky punëdhënës. Pas disa kohësh nënshkruam një kontratë 10- vjeçare dhe jam ende atje. Kam një galeri të madhe dhe dy filiale. Kjo është historia pak a shumë..
Ju shiten pikturat?
Unë kam shitur mbi 500 të tilla.
Çfarë lloj pikturash?
Peisazhe dhe portrete. Në Kanada kompozimet dhe nudot nuk i pëlqejnë. Me anë të internetit, kam shitur edhe në Australi, Japoni, Kinë, Francë dhe Amerikë.
Cila është piktura më e shtrenjtë që keni shitur?
Është një pikturë që është bërë në fasadën e një shtëpie në kanavac. Kam punuar tre muaj për ta realizuar dhe ka kushtuar 45 mijë dollarë.
Keni 18 vite pa ardhur në Shqipëri. Pse një ekspozitë këtu?
Ideja për të hapur një ekspozitë në Shqipëri më lindi nga artdashësit në Kanada dhe mendova se duhet të shkoj dhe në vendin tim. Inisiativa dhe shpenzimet ishin krejt të miat. Kisha tre vjet që e kërkoja, por asnjëherë nuk e vuri kush ujin në zjarr dhe e mora iniciativën vetë. E hapa ekspozitën tek Muzeu Kombëtar. Janë 40 punime.
Është pritur mirë?
Janë shitur 36.
Janë sekret blerësit?
Jo. Ka kompani të ndryshme dhe individë të veçantë, ndër ta Ina Rama, Bujar Leskaj. Edhe James Belushi bleu një.
Belushi? Çfarë pikture?
Ishte një peisazh dhe atë pikturë e ka marrë me vete
Sa kushtonte nëse nuk është sekret?
Ajo pikturë ka kushtuar 7 mijë euro.
Cila është muza e pikturave tuaja?
Unë frymëzohem nga peisazhi dhe ato janë peisazhet e Torontos, por të punuara dhe të trajtuara me ngrohtësinë mesdhetare.
Keni 18 vjet pa ardhur në Shqipëri, cili është ndryshimi më i mirë dhe ai më i keq që sheh një piktor i emigruar?
Gjëja më e keqe është se kultura është zero, njerëzit përdorin shumë fjalë banale. Ndërsa përsa i përket ndryshimeve për mirë, vajzat, janë shumë të bukura. (qesh)
Ajo që më ka bërë shumë përshtypje janë varrezat. Më ka rastisur të shkoj në shumë vende të ndryshme, por asnjëherë nuk kam parë kaq shumë mermer dhe madhështi. Këtu secili, pa dallim klasor, i bëjnë varrezat shumë të mëdha dhe të bukura. Më duket interesante
Gazeta Shekulli