Kryevepra e piktorit Vanmour eshte nje tablo me permasat 120 x 90 cm, qe pasqyron kryengritjen e nje personazhi te jashtezakonshem historik me origjine shqiptare, i quajtur Padrona Halili, i cili beri nje kryengritje te frikshme qe tmerroi tere Perandorine Osmane, ne vitin 1730...
Filozofi anglez Francis Bacon ka thënë që “rastësia çon drejt zbulimeve të mëdha.”
Shkoj shpesh në qytetin e Amsterdam-it, në Holandë, për të vizituar motrën e madhe Arnisa. Ajo është historiane arti dhe kuratore e një hapësirë arti, Rongwrong. Pavarësisht influencës pozitive dhe inkurajuese të nënës dhe të babait tim, Arnisa ka ndikuar shumë në pasionin tim për artin dhe kuptimin e tij.
Amsterdami është kryeqendër e artit botëror me emrat me famë të paarritshme si Rembrandt-it, të van Gogh-ut, të Vermeer-it apo dhe të filozofëve të jashtëzakonshëm, si Spinoza dhe Erasmus i Rotterdam-it. Muzeu më i madh dhe i famshëm në Amsterdam është Rijks-i. Në të vërtetë është një sintezë muzeore e historisë së Holandës, kulturës dhe artit. Muzeu ka plot të papritura.
Ndonëse e kisha parë disa herë këtë muze, ende nuk kisha vënë re diçka që lidhej edhe me shqiptarët dhe Shqipërinë. Herën e fundit, në Janar të 2015, në këtë Muze vura re një sallë të veçantë, që emërtohej “Vanmour – The ‘Turkish’ Paintings of Ambassador Cornelis Calkoen.” Nuk i njihja ende Jean Baptiste Vanmour (1671 – 1737) dhe Ambasadorin e Republikës Holandeze Cornelis Calkoen (1696 – 1764).
Jean-Entienne Liotard, Portret i Cornelis Calkoen
Në Bookstore-in e muzeut gjeta dhe një libër të shkruar nga Eveline Sint Nikolaas, që përshkruante aventurën diplomatike të Calkoen-it me titull “An Audience with the Sultan.” Në këtë libër mësova shumë të dhëna interesante, të cilat dua t’i bëj të njohura për publikun shqiptar.
Cornelis Calkoen-i ka lindur në 1696. Ai studioi në Leiden dhe u bë një nga njerëzit më të kulturuar të kohës. Vinte nga një familje shumë e pasur që bënte tregti në Levant. Ai u përzgjodh si Ambasador për Perandorinë Osmane dhe u nis drejt Stambollit në shtator 1726. Sulltani i Perandorisë Osmane ishte Ahmedi III (1703 – 1730), i cili kishte rënë dakord ta priste Ambasadorin në Toptaki Saraji. Vizita zyrtare te Sulltani u bë më 12 gusht 1727. Skenën e kësaj vizite e ka pikturuar Vanmour-e në një mënyrë të mrekullueshme dhe tipologjike.
Po kush ishte Jean Baptiste Vanmour ose van Mour? Ai ka lindur më 9 janar 1671 në Valenciennes, një vend që në vitin 1678 ishte territor francez por me parë kishte qenë flamand,- ndaj dhe quhet me origjinë franceze. Ai ka qenë një piktor i shkëlqyer, mik edhe i gjeniut të pikturës së kohës, Jean Antoine Watteau (1684 – 1721).
Piktori Vanmour-e ishte 28-vjeç kur shkoi për herë të parë në Stamboll më 1699. Padroni i parë i tij ishte Ambasadori francez Charles de Ferriol në Stamboll. Ferriol-it i lindi ideja për ta stimuluar Vanmour-in të pikturonte portrete dhe kostume të Orientit, skena dasme, funerale dhe kërcime dervishësh. Vanmour vendosi të jetoi në Stamboll jetën që i kishte mbetur, ndoshta për tu bërë piktori më i famshëm i Stamboll-it.
Pastaj Vanmour u lidh dhe u pagua nga Ambasadori i Holandës dhe krijimtaria e tij është një karakteristikë plotësuese me imazhe të jetës diplomatike në Stamboll të Cornelis Calkoen-it. Ambasadori i Holandës u takua përsëri me Sulltanin më 14 shtator 1727. Në atë kohë Republika e Holandës i kishte zgjeruar zotërimet e saj në botën e Orientit, duke zhvilluar një tregti intensive dhe të pashembullt. Perandoria Osmane kishte interesa tregtie të mëdha me Holandën.
Ambasadori i Holandës pati ndikim edhe në oborrin e Sulltanit. Ai ka mbajtur shënime kulturore në rrafshin diplomatik. Por më kryesorja ka ngulmuar te piktori Vanmour që të bënte cikle pikturike.
Përllogariten rreth 65 punime të Vanmour-it, të cilat u vunë në Rijks Muzeum të Amsterdamit në vitin 1902.
Në këto 65 punime dhjetë punime lidhen me motive që reflektojnë botën shqiptare:
-Fillimisht më tërhoqi vëmendjen piktura e quajtur “Një ushtar shqiptar”, bërë gjatë viteve 1700 – 1737, që përbën vërtet portretin e një luftëtari me veshjen karakteristike dhe armën në fillimin e shek. XVIII.
-Një tjetër pikturë është “Peshkatari nga Shqipëria”, realizuar gjatë viteve 1727 – 1730.
-Akoma më e çuditshme është një pikturë që paraqet një bari shqiptar, i cili mban në kokë një kapele tipike që krahasohet me kapelat që mbanin barinjtë e pikturuar nga ikonografi ynë i madh i shek. XVI, Onufri.
-Por, kryevepra e piktorit Vanmour është një tablo me përmasat 120 x 90 cm, që pasqyron kryengritjen e një personazhi të jashtëzakonshëm historik me origjinë shqiptare, i quajtur Padrona Halili, i cili bëri një kryengritje të frikshme që tmerroi tërë Perandorinë Osmane, në vitin 1730. Kryengritja e këtij shqiptari pati jehonë ndërkombëtare. I tmerruar Sulltan Ahmedi III abdikoi fronin për nipin e tij Mahmudi I (1730 – 1754). Interesante është që piktori Vanmour e pikturon shqiptarin kryengritës me dorën e djathtë të ngritur që mban shpatën me një pamje triumfuese dhe përjetësuese në histori. Në koleksionin e Vanmour-it ishte edhe një pikturë tjetër e dytë që tregonte vdekjen e shqiptarit rebel Halili. Të dyja pikturat janë bërë në harkun kohor 1730 – 1737.
Dua të shtoj që Sekretari i Cornelis-it i quajtur Jean Louis Riga, ka lënë përshkrime intime jo vetëm për procesin e pritjeve të ambasadorëve të Holandës të Sulltani, por flet edhe për një përkthyes të Portës e Madhe quajtur Aleksandër Ghika (Gjika). Ka shumë gjasa që ky është një përkthyes me origjinë shqiptare.
Ambasadori Cornelis, në 7 maj 1744, e mbaron shërbimin diplomatik dhe ikën nga Stambolli. Por ai mbetet sërish një diplomat i madh i Holandës. Në 1737 ai negocion midis Sulltanit dhe Carit Rus për një paqe. Ai shkon në Dresden, në Saksoni dhe Poloni. Vdes më 2 mars 1764.
Koleksioni i pikturave të tij pati famë europiane. Në 1737 “Mercure de France” boton një artikull mbi koleksionin turk të Ambasadorit Calkoen dhe posaçërisht për artin reflektues dhe përshkrues të Vanmour-it. Historiani i artit Ferid Hudhri, është i pari që e ka përmendur piktorin Vanmour.
Por, në të vërtetë koleksioni i pikturave me motive shqiptare të Vanmour-it është ende i panjohur dhe i padokumentuar sipas kritereve të veçanta shkencore për t’u bërë i qarkullueshëm në shkencën e historisë së artit.
Piktori Vanmour është një nga piktorët më të shquar europianë të fillimit të shek. XVIII dhe ka meritën që është piktori ndoshta i parë europian që pikturon cikle me motive shqiptare, që në pjesën e parë të shek. XVIII.
Dihet që më pas dhe sidomos në shek. XIX piktorët europianë janë të shumtë dhe pikturojnë me një fuqi ekzotike motive shqiptare saqë mund të thuhet se kanë krijuar një lloj ikonografie sui generis të Shqipërisë dhe shqiptarëve në artin europian.
Duke i bërë publike të dhënat për pikturat që gjenden në Rijks Muzeum që lidhen me shqiptarët, shpresoj që kam dhënë disa hollësira dhe një informacion të ri për këtë çështje, e cila mund të studiohet në mënyrë të programuar në të ardhmen.