Pikturoj fatin tim dua te tregoj dicka nga jeta periferike shqiptare

'Pikturoj fatin tim, dua te tregoj dicka nga jeta periferike shqiptare'

Piktori Anastas Kostandini prezanton ekspozitën "Taso Pastel" në Galerinë e Arteve në Pogradec. Janë 56 pastele, me ngjyra profesionale, që përbëjnë këtë cikël. Artisti ka përzgjedhur për këtë ekspozitë dhe punë të viteve 1968-‘69-‘70, për të treguar për qasjet e para në këtë gjini, që i pasur qysh në lice. Ndërsa pjesa tjetër janë punime të viteve të fundit, të cilat vijnë si pastele, në të cilat artisti vjen i realizuar si vizatues dhe si piktor. Gjatë një interviste, piktori na tregon se kjo ekspozitë trajton 3 tematika. Janë natyrat e qeta, të cilat Taso i realizon gjatë dimrit. Janë peizazhet, të cilat kanë në fokus të tyre, pikëtakimet kryesore të qytetit, edhe tematika e tretë përfshin disa portretizime, që piktori i quan alegorike. Ai kësaj here ekspozon edhe punime të cilat ua dedikon Lasgush Poradecit, Mitrush Kutelit dhe Ismail Kadaresë. Piktori na tregon dhe për të jetuarit në periferi, aty ku shpeshherë veprat kushtojnë sa një suvenir, sepse artistët shqiptarë vazhdojnë të mos kenë një status normal, edhe një treg për t’i kontrolluar.

Zoti Kostandini, prezantoni në Galerinë e Arteve të Pogradecit 56 pastele. Por si lindi kjo ekspozitë?

Kam tentuar disa herë që të hap një ekspozitë me pastele, dhe pse ndaj meje është krijuar mendimi se jam një vizatues i lindur. Shumë miq prisnin një ekspozitë me vizatime, por mendoj se pasteli është një teknikë e ndërmjetme midis vizatimit edhe pikturës. Pasteli është një teknikë, që të lejon të realizosh imazhe direkt në natyrë, por sigurisht që në këtë ekspozitë nuk mungojnë as rastet ku kam mbajtur distancë prej saj. Në këtë ekspozitë prezantoj rreth 56 pastele, vendosa të jenë kaq, për shkak të sallës së ekspozitave në Galerinë e Arteve në Pogradec. Janë me dimensione 50cm me 70cm, janë të gjitha në letra me ngjyrë profesionale, në pastel dhe në vaj pastel, në të dyja këto lloj ngjyrash kam realizuar këtë cikël. Disa nga punët që kam ekspozuar janë të përzgjatura në kohë, disa janë dhe “nostalgjike”, që u përkasin viteve të para që kam realizuar diçka për peizazhin e Pogradecit, (1968-‘69-‘70). Pastaj vijojnë kryesisht punime të viteve të fundit.

Çfarë tematikash ke zgjedhur që të trajtosh kësaj here?

Ekspozita ndahet në disa tematika. Tematika e parë trajton natyrat e qeta, që unë i realizoj në periudhën e dimrit, kur drita është e shkurtër dhe hija e saj është shumë e portretizuar. Atëherë artisti mbyllet në ecurinë e tij për të pasur një dialog, apo si të thuash një monolog shumë të nevojshëm me veten. Është si një pamje në pasqyrë dhe më e thellë, për shkak të kushteve ku unë krijoj, qoftë në shtëpinë ku kam lindur, qoftë në qytetin apo dhe në studion time.

Ajo që unë rrok dhe që më intereson më tepër nuk janë objektet apo qëllimi që të magazinoj, për të portretizuar cilësinë e tyre, por dua që të magazinoj poezinë që buron nga thelbi i tyre. Poezia ka lidhje me rrugicat e vjetra, me vendlindjen, me fatin tim si artist dhe të jetuarit këtu. Prandaj këto vepra kanë një dritë të kësaj gjendjeje. Janë një këngë ose poezi për vendlindjen, shtëpinë dhe rrethanat e jetës sime. Unë në mënyrën time pikturoj fatin tim.

Tema e dytë është një bllok peizazhesh. Në fillim kam bërë 3 pikat e qytetit, fshatin, Tushemishtin, buzën e liqenit, hyrjen e qytetit dhe brendësia e tij. Më intereson shumë brendia e qytetit, pasi peizazhin brenda qytetit e konsideroj si një natyrë të qetë, ku pak a shumë natyra e qetë shkrihet organikisht edhe del jashtë peizazhit, që ti të kuptosh edhe vendin. Blloku i tretë ka disa portretizime dhe disa portrete që unë i quaj alegorike. Ajo që nuk mungon është një tablo për Lasgush Poradecin, i cili ka pozuar për mua dy vjet para se të ndahej nga jeta. Unë i kam premtuar se do të merresha me pozitë e tij dhe ai më ka thënë se, ka kuptim që një djalë Pogradeci të merret me poezitë e tij. Nga Lasgushi kam një skenë të famshme, të asaj çka ka shkruar Ismail Kadare tek “Ikja e shtergut”. Kam pasur një qasje dhe ndaj prozatorit Mitrush Kuteli, prej tij kam një mjedis shumë afër vendit ku ai ka pasur shtëpinë. Ndërkohë kam dhe një tablo dedikuar shkrimtarit të madh Ismail Kadare, që ka mbërritur në Pogradec, gjithmonë nga kuptimet e novelës së tij, “Ikja e shtergut”.

Kjo është një tablo disi kontraverse, sepse ka figurën e tij dhe disa personazhe, është një lloj surrealizmi i lehtë që e përshkruan këtë tablo. Veç kësaj kam bërë edhe një autofigurë të piktorit (timen), ku tregoj rrethanat e mia në këtë vend. Unë nuk rri me pahir në këtë vend (Pogradec), sepse kam mundësi për të mos qenë, por këtu jetoj sepse tashmë ky qytet është pjesë e pandashme e krijimtarisë sime. Për këtë kam dhe një tablo ku prezantohen dy miq përballë njëri-tjetrit, por që kanë një komunikim të vështirë mes tyre. Kjo tregon shumëçka në marrëdhënien e tyre në botës e provincës, kjo temë mua më pëlqen. Kam dhe “Klubin e burrave”, që tregon për jetën e përditshme, sepse unë jam e rrethuar nga një jetë krejtësisht bruto, që në fakt e jetoj ashtu siç është.

Dua që të tregoj sesa e bukur është jeta e paartificializuar, ndryshe nga çfarë ndodh në kryeqytet, ku njerëzit vijnë nga mjedise, fshatra, që është e vështirë t’ua kuptosh zanafillën e tyre, aq sa shpeshherë as ata vetë nuk janë shumë krenarë për origjinën e tyre. Unë dua të bëj të kundërtën, të tregoj diçka nga jeta autentike, periferike shqiptare. Në bllokun e natyrave të qeta, objektet janë kundërvënë përballë njëra-tjetrës për të mos prezantuar te publiku në kuptimin e drejtpërdrejtë, por të krijojnë një realitet tjetër, komik dhe grotesk, skena që të lidhin më sensin e periferisë, të fshatit, të mos shfaqurit seriozisht të kuptimeve. Në qytete të vogla ka shumë habi, marrëzi, argëtim, mendim dhe trille, që mua më pëlqejnë. Këtë kam në bllokun tim serioz të pikturës së vajit.

Me art nuk jetohet, tregu i veprave të artit është ende i pakonsoliduar

Taso ka rreth 40 vjet krijimtari artistike, por ai mendon se, Shqipëria ka ende shumë për të bërë përsa i përket statusit të artistit. Në ditët e sotme, shumë prej tyre shesin një vepër jete, sa një suvenir, dhe hera-herës paragjykohen, si të dorës së tretë, vetëm sepse tregu nuk është i konsoliduar.

Cili është raporti që ruan me vendin ku jeton?

Fakti që vendosa të ekspozoj pastelet është sepse kjo lloj teknike ka penetruar shumë në intimitetin e raporteve të mia me vendin ku unë jetoj. E kam pasur në mendje për ta bërë shumë kohë më parë, por disa koleksionistë dhe njerëz me nuhatje, ma gjejnë derën në fundjavë, siç ndodh në Pogradec, duke e gjuajtur këtë dosje, prandaj mua mu desh që të vija një embargo, derisa munda që të realizoj këtë ekspozitë. Unë përherë kam raporte pozitive dhe me Korçën, sepse këtu është një jetë artistike e caktuar, ku dhe unë jam protagonist i këtij qyteti. Edhe vjet kam pasur një ekspozitë kushtuar 60-vjetorit tim, edhe sivjet (në 61-vjetor) kam bërë të njëjtën gjë. Ndonëse tashmë në Pogradec nuk jeton vetëm një komunitet homogjen, sepse ka shumë të huaj dhe personalitete nga jashtë qytetit, por unë kam një linjë dialogu edhe me njerëzit që vijnë shohin punimet e mia.

Thatë se keni ekspozuar tablo të viteve 1968-’69-’70, por si kanë ndryshuar veprat tuaja pas viteve ‘90?

Më parë ka qenë vërtet shumë i fortë ndikimi i sistemit, unë e kam përjetuar në mënyrë dramatike, them për vete. Mirëpo tani pas 25 vjetësh nuk mund të flitet plotësisht në këtë mënyrë, sepse ka një ndarje, ka një vetëkontroll dhe një ulje të asaj që quhej fluturim, që ne po e bënim në një zonë ku mungonte oksigjeni. Ato punë diferencohen për shkak të naivitetit të asaj periudhe, sepse unë isha ende pa një qasje të plotë ndaj kësaj teknike. Janë punë të vogla dhe kanë një temperaturë të ngjyrës dhe të qasjes modeste, janë krejtësisht të “virgjëra” siç ishte dhe natyra. Ndërkohë që tani kemi të bëjmë me një qytet, ku ka shumë pak pemë, ku është asgjësuar plotësisht një vlerë për të cilën nuk është njeriu krijuesi i saj. Është krijimtari e peizazhit, që është veçuar për shkak të një raporti tjetër, që ka tani peizazhi me godinat. Për fat të keq, nuk mund të arrihet ajo poezi klasike që buronte nga krijimtaria e peizazhit dhe pse dita është po ajo.

Një mikut tim kur i ankohesha për këto, sikurse po të them ty, më tha: “A është Mali i thatë? Liqeni? Retë? Malet rrotull a janë?”. “Po”, i thashë.  “Atëherë ky është Pogradeci, nuk ka ndryshuar gjë”, më tha.

Ju si piktor, a ja dilni që të jetoni me veprat tuaja? Sa vlerësohet arti në Shqipëri?

Me art nuk jetohet. Unë them se Shqipëria ende nuk është normale në lidhje me statusin e artistit. Një status qoftë ky zyrtar, apo dhe një status që buron nga gjendja ekonomike e Shqipërisë, sepse tregu i veprave të artit është ende i pakonsoliduar. Hapja e Shqipërisë dhe futja e turistëve është shumë pozitive, por artistët kanë nevojë për shumëçka. Ata e shesin veprën e tyre për hiç gjë dhe nuk kanë as kontroll, sepse tregu  është i pakonsoliduar dhe ata sillen egër. Kjo e bën edhe më të vështirë ekzistencën, aq më tepër në periferi, ku ne paragjykohemi si të dorës së dytë, apo të dorës së tretë, deri aty ku blerja e një vepre arti shikohet si suvenir, edhe pse ti mund të shesësh një vepër jete.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama