Pilotet e ndjere jane viktima jo deshmore

Pilotët e ndjerë janë viktima, jo dëshmorë

Kapiteni Floran Delia dhe togeri Donald Hoxha humbën jetën, pak ditë më parë, kur helikopteri i tyre u rrëzua në Liqenin e Shkodrës, gjatë një fluturimi rutinë, në kushte të mira moti. Brenda pak orësh nga aksidenti, të dy pilotët e Forcave të Armatosura u shpallën "Dëshmorë të Atdheut" dhe pastaj u varrosën në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në një ceremonie shtetërore, e cila përfshiu homazhe publike në Pallatin e Kongreseve, muzikë funebre nga banda e ushtrisë dhe mbulimin e arkivolit me flamurin kombëtar. Në ceremoni morën pjesë pothuajse të gjithë krerët më të lartë të shtetit.

Vdekja e dy pilotëve të rinj është e rëndë, e dhimbshme dhe e padrejtë. Për familjet dhe të afërmit dhimbja është e pangushëllueshme dhe humbja do të ndihet gjithë jetën.

Por pavarsisht, respektit dhe ndjeshmërisë njerëzore për viktimat dhe familjet e tyre, shpallja e pilotëve Dëshmorë të Atdheut është veprim i pajustifikuar i qeverisë.

Së pari, dhënia e statusit është bërë në shkelje të hapur të ligjit. Sipas ligjit, statusi i dëshmorit u jepet personave që bien në luftë për mbrojtjen e atdheut ose të paqes në botë; që bien në krye të detyrës për mbrojtjen e integritetit territorial të vendit dhe të institucioneve shtetërore nga terrorizmi; ose në luftë kundër bandave të armatosura dhe kundër krimit. Aksidenti i 6 prillit ndodhi ndërsa të ndjerët po kryenin një fluturim stërvitor rutinë, në kushte normale, dhe nuk mund të interpretohet si një prej akteve apo rrethanave të parashikuara nga ligji.

Së dyti, marrja e një vendimi të tillë me ngut, me gjasa me urdhër politik, pa mbledhur e pa analizuar faktet dhe informacionet, pa asnjë raport përfundimtar për ngjarjen, pa asnjë transparencë është në rastin më të mirë abuzim dhe shfrytëzim politik i administratës.

Në rastin më të keq, vendimi është tentativë e hapur për të ndikuar apo sabotuar hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe shkakut të rrëzimit të helikopterit. Një nga pistat kryesore që po hetohet nga prokuroria është ajo e mosrespektimit të rregullave të fluturimit nga pilotët, apo për fluturime në shkelje të rregullave. Por a do mundet dot prokuroria ushtarake të jetë objektive kur ata që po hetohen tashmë janë dëshmorë të atdheut?

Vitet e fundit, disa policë dhe ushtarakë kanë humbur jetën e tyre në detyrë, për shkak të keq planifikimit të operacioneve, keq drejtimit të operacioneve, shkeljes së rregullave, mungesës së përgatitjes së efektivave, etj. Por këto shkaqe nuk janë identifikuar asnjë herë formalisht dhe për rrjedhoje, nuk janë nxjerrë asnjëherë as përgjegjësit dhe mësimet nga këto fatkeqësi. Në të gjitha rastet, politika i ka shfrytëzuar menjëhere vdekjet tragjike për propagandë, ndër të tjera duke ofruar nderime, ndoshta të pamerituara për viktimat.

Së treti, vendimi i qeverisë tjetërson sistemin e vlerave apo krijon vlerave të rreme që nuk i shërbejnë shoqërisë. Të vdesësh në aksidente fatkeqe gjatë ushtrimit rutinë të punës nuk është njësoj sikur të japësh jetën apo të bësh sakrifica për atdheun, për lirinë. Shoqëri si e jona kanë nevojë për vlerësimin dhe frymëzimin nga sakrificat e heronjve të vërtetë, dhe jo për krijimin e figurave apo idhujve të rremë.

Në momentet që u përfundua ky koment, u mësua se Ministrja e Mbrojtjes i ka propozuar Presidentit dekorimin e dy pilotëve me Dekoratën e Artë të Shqiponjës për veprimtari ose akte të guximit qytetar në kohë paqeje.

Tashmë, është e vështirë të mos besosh se ngutja e qeverisë për të mbuluar me nderime dhe vlerësime pilotët nuk po bëhet për të fshehur diçka.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama