Pina Bausch i dha emocion botes

Pina Bausch i dha emocion botës
Ajo u bë kështu në mënyrë të padiskutueshme prijëse e këtij arti në Evropë dhe në mbarë botën.


"Nuk më intereson se si lëvizin njerëzit, por se çfarë i bën ata të lëvizin" Pina Bausch
Pina Bausch u nda nga jeta fare papritur qershorin e shkuar. Por për të gjithë admiruesit e baletit ishte dhe do të mbetet e përjetshme.


Ajo shënoi shekullin e njëzetë me baletin e saj, sikurse Pikaso me pikturën e tij. Zemra e saj pushoi së rrahuri vetëm mbas një jave që mjekët konstatuan të ish prekur nga një kancer i avancuar dhe agresiv.


Pavarësisht nga kjo sëmundje e rëndë, ditët e fundit të jetës zgjodhi t'i kalonte mes trupës së saj mitike dhe balerinëve të saj, trupë e cila nën drejtimin e saj revolucionarizoi jo vetëm baletin, por në tërësi artet skenike.


Dyzetë vjet rresht Pina ishte e pranishme në sallë për të ndjekur balerinët e saj thuajse kudo nëpër botë. Kurrë ndonjë trupë tjetër baleti s'kish udhëtuar aq shumë, s'kish ëndërruar aq shumë, s'kish dhënë aq shumë emocion artistik e human publikut. Çdo herë ajo ngjitej vetë në skenë për të nderuar spektatorët dhe admiruesit e trupës dhe për të marrë homazhin, duartrokitjet dhe dashurinë e tyre.


Gjithmonë ashtu e veshur në të zeza, e hajthme, me stilin e saj sobre, tejet mase e hollë, gjithmonë mbi një palë taka të larta, me flokët e zinj të rëndë të mbledhur prapa, me pamjen paksa të ngurtë e autoritare, kish marrë allurën e një dive.


Vetëm një njollë e ngrohtë shënonte portretin e saj autoritar, buzët e lyera me të kuqin red avangarde. Postura e trupit të saj të hollë, qëndrimi i drejtë aristokratik e misterioz, shoqëruar nga një buzëqeshje delikate, disi ironike, por njëherësh të ngrohtë e familjare, krijoi imazhin e paharruar të figurës ideale të balerinës, që ka shërbyer dhe do shërbejë si një rolmodel për balerinat e sotme dhe për brezin e balerinave të ardhshme.


Një bashkëstudent i saj, balerini dhe koreografi Paul Taylor e përshkruan atë si "një nga qeniet më të holla që kisha parë ndonjëherë " tek demonstronte hapin e saj të vogël në majë të takave të larta dhe me puplën e çafkës mbi kapele. Ishte e heshtur dhe e brishtë e fliste me një zë të butë dhe tone të ulëta, ndërsa koreografitë e saj shpërthenin nga violenca, brutaliteti, dhe drama.


Mbas të gjitha spektakleve të baletit ajo adhuronte ta bënte finalen në kafenë turke të Vupertalit, duke diskutuar pa fund me njerëzit që e rrethonin dhe me kolegët e saj që i donte aq shumë. E karakterizonte një modesti njerëzore dhe profesionale e rrallë, nuk donte kurrë të ishte ajo qendra e vëmendjes, donte vetëm të dëgjonte të flitej për balerinët e saj dhe punën e tyre të mrekullueshme.


Për të evokuar figurën e Pina Bausch-it duhet të hedhim vështrimin nga Vupertali, një qytet i vogël industrial mbi Ruhr, pranë Dyseldorfit, në veriperëndim të Gjermanisë, shtrirë midis dy kodrave, qytet i shquar për metronë e tij ajrore, që përshkon qytetin si një insekt gjigand shumëkëmbësh, e që i jep qytetit një pamje futuristike si dekoret e "Metropolit" të Fritz Langut. Që nga këtu Pina Bausch-i ëndërronte botën.
Pina Bausch, emri i vërtetë i së cilës ishte Joséphine, lindi në Solingen, më 27 korrik 1940. U rrit në hotel-restorantin e prindërve të saj.


Ajo tregon vetë se si vajzë e vogël fshihej e rrinte e heshtur poshtë tavolinave të restorantit, duke këqyrur klientët dhe papritur dilte që andej duke filluar të kërcente, rrëshqiste duke bërë pirueta midis tavolinave. Është kjo historia që ajo tregon te "Café Muller", koreografia e saj fetishe, që vazhdoi ta kërcente vetë deri në çastet e fundit të jetës.


Në një intervistë ajo kujton se "më pëlqente shumë të kërceja ngase kisha frikë të flisja, ndërsa kur lëvizja, ndjeja".


Ajo spikati si një balerinë e talentuar që në moshën 14-vjeçare, kur hyri në Folkwang-Schulle të qytetit Essen, e drejtuar nga Kurt Joos, një figurë madhore e baletit gjerman të periudhës së paraluftës së II-të botërore.


Më tej do të vazhdonte Julliard School në New York pranë mjeshtërve, si Anthony Tudor, koreograf i madh anglez, dhe Paul Taylor, koreograf - balerin dhe bashkëstudent i saj.


Kur u kthye në Europë, ajo filloi të krijojë koreografitë e veta më 1968. Pjesa e saj e parë e quajtur "Fragment" shfrytëzoi muzikë nga Bartok. Pjesa e dytë, vitin që pasoi, u duk mjaft premtuese për t'u bërë drejtoreshë artistike dhe koreografe e Folkwang Ballet, ndërkohë që vazhdonte të luante në skenë si balerinë.


4 koreografitë e para përmbajnë disa nga elementët që do të jenë shumë të pranishëm në veprat e saj të mëvonshme: balerinët që këndojnë, brutaliteti, terrori, zia e vdekjes, dhimbja, trishtimi, ëndrrat dhe frikërat e natës.


Së fundi mbërrin në Vupertal në 1973, për të mos e braktisur më kurrë këtë qytet. Atje ajo krijoi kryeveprat e saj të para dhe vuri në skenë vepra madhore, si "Ifigjenia në Tauridë" dhe "Orfeu dhe Euridika" me muzikën e kompozitorit gjerman të operës klasike të hershme, Gluck. Në vitin 1974 ajo ra në kontakt me designer-in Rolf Borzik, i cili u bë partneri i saj në jetën profesionale dhe private gjithashtu.


Me mbështetjen e tij ajo filloi ta kristalizojë formën unike të Teatrit të Dansit. Terreni për rritjen e Dans-teatrit ishte ideal në një vend si Gjermania me një traditë të pasur në baletin ekspresiv.


Krijimtaria e Bausch-it, sidomos e etapës më të vonshme, përfshinte dhe ligjërata, balet social, repeticione, situata dramatike, komike ose surrealiste, nuditet, brutalitet ose brishtësi, me një perceptim shpesh jo komfort dhe provokues e shqetësues për publikun, por gjithçka e shprehur në një kontekst të fuqishëm human. Koreografitë e saj shqetësojnë, ngacmojnë, revoltojnë, por kurrë nuk të mërzitin.


Skenografitë e saj janë të jashtëzakonshme. Për "Ritin e Pranverës", që e vuri në skenë më 1975 e gjithë skena ishte e mbushur me tokë-dhé, ku kërcenin trupat gjysmë lakuriqë të balerinëve të lyer me dhé dhe myshk. Kur u luajt ky balet në Sadler's Wells Theater në Londër, u desh ta përforconin skenën për të suportuar tonet e dheut, që do të ishin përdorur për të formuar një mur 20 metra të lartë.


Në 1980 Borzik vdes. Kjo ishte një goditje për Pina Bausch-in. Më vonë ajo krijoi një nga pjesët e saj më të dashura "1980". Ky ishte viti kur ajo takoi poetin dhe akademikun kilian Ronald Kay. Djali i tyre Rolf Salomon lindi një vit më pas.


Në të gjitha koreografitë e saj Pina Bausch fliste për gjërat që ishin më të rëndësishme për të: për dashurinë njerëzore, brishtësinë e shpirtit njerëzor, për vështirësitë e komunikimit njerëzor, frustracionet dhe rupturat marrëdhëniesore, trishtimin, asfiksinë e të jetuarit në shoqërinë moderne, por gjithashtu për gëzimin që jep dashuria për tjetrin dhe të qenit vetë i dashuruar.


Nëpërmjet koreografive të saj kish dhënë në shumë versione lojën e përjetshme erotike të seduksionit midis femrës dhe mashkullit, interpretuar aq mjeshtërisht nga balerinët e saj, siç e ka treguar te tre versionet e "Kontakthof".


Koreografitë e saj prekin vetë jetën që në burim e lindje të saj.
Në 1975 Pina Bausch-i krijoi veprën madhore të shekullit "Riti i Pranverës" të Igor Stravinskit, që trupa e saj nuk ka pushuar më së luajturi deri më sot. Atëherë Pina Bausch-i ishte vetëm 35 vjeç.


Për herë të fundit koreografja gjermane krijoi një pjesë me një muzikë unike të kërcyer me një kohezion perfekt stili dhe subjekti. Ajo rikrijoi një festë dionisiake, nga ku duhej të zgjidhej një vajzë që do të flijohej që të rilindte pranvera.


Vajza e zgjedhur do të kishte nderin të vishte një fustan të kuq e të kërcente derisa të vdiste. 32 balerinë me trupat e tyre të hajthëm vërtiten marramendthi në një lloj ekstaze kolektive, duke u bërë njësh me tokën e duke u ngritur sërish të përlyer me dhé, me dhimbjen e prononcuar në portretet dhe trupat e tyre të zhdërvjellët të lakuriqtë.


Balerinët nuk imitojnë dhimbjen, por vuajnë realisht. Këto janë skena intense të një frymëzimi dhe imagjinate sublime, që përçojnë një emocion të thellë njerëzor, skenat e flijimit, dhunimit simbolik të një vajze të re nga mashkulli, imazhi i sakrifikimit të femrës së imponuar nga mashkulli. Imperativi biologjik dhe terrori i zhdukjes luhen te soloja e flijimit në një shkallë të tillë ekspresive e ekstaze nga balerina Ruth Amarante që të bën të dridhesh.


Tek të dyja këto koreografi madhore Bausch-i dëshmoi si dhe qysh prej fillimit të karrierës së saj se ishte e aftë të kombinonte lëvizje të një intensiteti shokues me vizione skenike të një çudie gati haluçinante.


Më pak se tre vjet më pas "Ritit të Pranverës", ndërkohë që kishte krijuar mrekullitë e saj të tjera krejt "noir" si "Komm, tanz mit mir" dhe "Shtatë mëkatet kryesore", ajo do të krijonte "Café Muller". Ndryshimi ishte radikal.


Ajo suprimoi bukurinë e dukshme estetike për të shkuar akoma më larg në shprehjen e ndjenjave, duke krijuar kështu Tanztheater (Teatrin e Dansit), një përzjerje të teatrit dhe baletit, që do të inspironte më vonë gjithë baletin kontemporan.


Pina Bausch, rrënjët e koreografisë së të cilës ishin tek ekspresionizmi i Gjermanisë së Paraluftës kontribuoi në ndryshimin e perceptimit të performancës së baletit.


Ajo krijoi një formë të re dansi, të quajtur Teatrin e Dansit, duke e transformuar një formë të pastër dansi nëpërmjet pasionit, teknikës dhe disiplinës artistike në një episod thuajse teatral. Kështu koreografitë e saj përftuan një sens të thellë teatraliteti, shpesh episode absurde, që dukeshin pa lidhje, ishin po aq koherente për nga ideja, stili dhe emocioni artistik.


Koreografia e saj revolucionarizuese, që kish shkrirë kufijtë midis teatrit dhe dansit, pati një impakt madhor dhe në skenën botërore të baletit kontemporan.
Koreografia tjetër madhore dhe fetishe për vetë Pina Bausch është "Café Muller".
"Café Muller" është një vepër intime me karakter autobiografik, bazuar në kujtimet e fëmijërisë së Pina Bausch-it.


Skenografia dhe aksioni janë parë si nga këndvështrimi naiv i një imagjinate fëmijërore si dhe nga këndvështrimi i një të rrituri që kupton dhe ndjen tragjedinë dhe frustracionet që kish përjetuar kjo kafene. Skena është një instalim në një kafene mbushur me karrige bosh.


Dekori i saj ish krijuar nga shoku i jetës së Pina Bausch-it Rolf Borzik. Karriget bosh janë simbol i shpirtrave të humbur, i mungesës, i gjurmëve të vdekura të pranisë njerëzore.


Skena e errët u imponon dhe trupës së baletit lëvizje më të kursyera, të paqëllimta, por obsesionale. Figurat si prej një ëndrre i japin koreografisë cilësinë magjike të kujtimeve. Kjo koreografi përçon paaftësinë dhe pamundësinë për komunikim njerëzor.


Janë dy arie të Purcellit që shprehin dhimbje, dëshpërim dhe dështim në dashuri. Pika e kohezionit artistik e dy pjesëve është ekspresionizmi, mënyra e shprehjes së ndjenjave dhe emocioneve, për të ngjallur dhe provokuar te shikuesi dhembshuri për njeriun dhe dashurinë e tij të dështuar.


Më pas Pina Bausch-i krijoi njëra pas tjetrës duke mishëruar në koreografitë e saj komedinë dhe dramën e jetës, duke e përzierë pasionin e dhimbjen me muzikën dhe lëvizjet.


Pina Bausch është shprehur vetë se "nuk më intereson se si lëvizin njerëzit, por se çfarë i bën ata të lëvizin".


Shpesh ndjenjat dhe idetë e saj ishin të ashpra, si frustracioni, tëhuajëzimi, mizoria dhe dhimbja, dështimi dhe dëshpërimi, por gjithmonë të mveshura me një sens humori, si te "Palermo, Palermo", "Two cigaretts in the dark" e shumë të tjera. Këto pjesë mitike në fillim nuk u mirëpritën nga publiku i Vupertalit, që nuk kuptonin asgjë nga simbolika dhe simbolika artistike e koreografisë dhe humorit korroziv të Pina Bausch-it.


Por gjërat ndryshuan shumë shpejt, kur vitet e fundit Pina i dhuroi qytetit të saj festa të baletit, ku ftonte dhe koreografë, balerinë nga e gjithë bota. Midis tyre ishin dhe regjisorët kult të kinematografisë evropiane, si Wim Wenders dhe Pedro Almodovar, me të cilët Pina Bausch kishte bashkëpunuar.


Tashmë trupa e saj përbëhej nga balerinë të shquar me reputacion botëror, si Dominique Mercy, Jan Minarik, Ruth Amarante, Julie Shanahan, Helena Pikon, Regina Advento etj.


Koreografia e saj është përfshirë në disa filma, si në filmin e Fellinit "E la Nave Va" dhe në filmin e Pedro Almodovarit "Hable con Ella".


Fellini, i cili i propozoi të luante në filmin e tij "E la Nave Va", e përshkruan Pina Bausch kështu: "Me pamjen e saj aristokratike dhe mizore në të njëjtën kohë, aq sa misterioze dhe familjare, Pina Bausch më buzëqeshte për të më dhënë të njohur.


Me pamjen e një murgeshë tek lëpin një akullore, të një shenjtëreshë mbi patina, me allurën e një mbretëreshe në mërgim e të një themeluese të një urdhri fetar, të një gjykatëse të një gjyqi metafizik, që befas të shkel syrin".
Ajo kishte një mënyrë shume specifike për të krijuar spektaklet e saj.


Gjatë repeticioneve ajo ju propozonte balerinëve konceptin e saj, eksperiencën e ndjenjat e saj dhe pastaj i pyeste ata për kujtimet e tyre dhe për sensacionet e jetës së tyre të përditshme, ju kërkonte të reagonin e rrëfenin secili në mënyrën e vet jetën e tyre, duke ju dhënë kështu lirinë të krijonin duke improvizuar dhe pasuruar më tej hapat dhe skeçet e koreografisë së krijuar prej saj.


Qysh prej 15 vjetësh Pina Bausch-i i krijonte spektaklet e saj gjatë udhëtimeve nëpër botë, nga ku ajo vetë dhe balerinët e trupës së saj frymëzoheshin nga sensacionet e zbulimit të kulturave të tjera, duke i përkthyer ato në koreografi.


Trupa e saj e baletit ishte tepër e kërkuar dhe jepte spektakle vazhdimisht në Sadler's Wells Theater në Londër, në Théatre de la Ville in Paris dhe nëpër festivale të ndryshme. Prezenca e saj në shumë festivale dhe sidomos në Festivalin e Avinjonit ka shënuar nga momentet më sublime të festivalit.


Ndërkohë që Pina Bausch-i me kalimin e kohës po bëhej më e kthjellët, më e çelur dhe e etur për të parë botën dhe për të dashur njerëzit, baleti i saj mbeti gjithmonë po aq vibrant dhe afër humanitetit, aq i brishtë e sensual, aq i bukur e poetik, si dhe po aq eksploziv, i fuqishëm dhe sugjestionues.
Mimoza Dino : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama