Pini duhan? Ja si mund ta kuptoni se jeni prekur nga kanceri i mushkerive

Pini duhan? Ja si mund ta kuptoni se jeni prekur nga kanceri i mushkerive

Të gjithë i dinë pasojat e duhanit, të gjithë e dinë se ai të vret, të shkurton jetën, por përsëri e konsumojnë. Së fundmi, as milionat e hedhura nëpër reklama sensibilizuese nuk po bëjnë punë. Pirja e duhanit vijon të shkaktojë shumë sëmundje me pasoja fatale për jetën si kancer, diabet, sëmundje kardiovaskulare, probleme në mushkëri etj. Ndërkohë që ky i fundit përmendet si shkaku kryesor i vdekjeve në Shqipëri. Sipas statistikave zyrtare, pirja e duhanit shkakton 80-90 për qind të rasteve të këtij lloj kanceri. E dhëna tjetër që përforcon konkluzionin se duhani është shkaku kryesor për kancerin e mushkërive është ajo e shprehur në raportin më të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, sipas të cilit rezulton se nëntë në dhjetë të sëmurë me kancer të mushkërive janë duhanpirës. Por, si mund të konstatohet një lloj i tillë kanceri? Roland Shuperka, ekspert i kontrollit të duhanit dhe alkoolit në Institutin e Shëndetit Publik na njeh me simptomat apo shqetësimet e para dhe faktorët e riskut. Përgjegjës për këtë, Shuperka vë edhe Ministrinë e Shëndetësisë, e cila nuk ka ndjekur një linjë të qartë veprimi në luftën reale të kësaj sëmundjeje.

Si mund ta dallojë një duhanpirës që është i prekur nga kanceri i mushkërive?

Në stadin e hershëm kanceri i mushkërive shpesh nuk jep ndonjë simptomë. Për këtë shkak shumë nga tumoret zbulohen vetëm në një stad të vonshëm, atëherë kur janë formuar tashmë metastazat dhe s’mund të shërohen më. Karakteristikë për kancerin e mushkërive është shfaqja e sëmundjes pas një kohe relativisht të gjatë. Autorë të ndryshëm zgjatjen e kësaj sëmundjeje në disa dhjetëvjeçarë e ndajnë në dy etapa. Në etapën e parë, e cila vazhdon për vite me radhë, ndodh shndërrimi i ngadalshëm i qelizave të shëndosha të indit të mushkërive nën ndikimin e lëndëve kancerogjene të duhanit. Kjo është periudha që nuk ka asnjë shenjë klinike veç një kolle të lehtë dhe vështirësie në frymëmarrje në frymëmarrje e cila vjen duke u shtuar me kalimin e viteve. Në fund të kësaj periudhe shumë vjeçare mund të kemi humbje të oreksit dhe humbje në peshë. Etapa e dytë është e menjëhershme dhe me shenja klinike më të qarta. Në këtë periudhë, të sëmurët veç shenjave të mësipërme që vijnë duke u shtuar, i shtohen dhimbjet e gjoksit, pështymë të ngjyer me gjak dhe frymëmarrje shumë të vështirë. Është radiografia ajo në të cilën bëhet diagnostifikimi i kancerit të mushkërive që përfundon me shfaqjen e metastazave në organe të ndryshme, kur është i paoperueshëm.

Ka faktorë të tjerë që mund të shërbejnë si shkak për kancerin e mushkërive, përveç duhan pirjes?

Rreziku i kancerit të mushkërive është permanent dhe i varur nga disa faktorë. Thamë që më i rëndësishmi në këtë sëmundje është duhani. Tymi që del nga pirja e duhanit mund të dëmtojë edhe ata që nuk e pinë. Mjafton të marrin frymë në ajër dhe në momentin që dikush përreth pi, çdokush është i predispozuar për të thithur lëndët kancerogjene që çlirohen prej tij. Përveç duhanit, edhe gazi radon në shtëpi shërben si faktor rreziku për shfaqjen e kancerit të mushkërive. Mund të përmendim po ashtu edhe azbestin, mjekimin me rrezatim në kraharor, sëmundjet kronike të mushkërive ose bronkit kronik si faktorë të mundshëm që ndikojnë shumë që disa persona të preken nga kanceri i mushkërive. Përveç faktorëve të mësipërm, edhe faktori moshë ka rolin e tij. Personat mbi 65 vjeç janë më të rrezikuar.

Ka një mënyrë si mund të ulet rreziku i zhvillimit të kanceri të mushkërive?

Për të ulur rrezikun e zhvillimit të këtij lloj kanceri mund të luftohen faktorët e lartpërmendur që shërbejnë si faktorë për shfaqjen e sëmundjes. Mënyra më e mirë dhe më efektive është moskonsumimi i duhanit. Nëse jeni duhanpirës dhe vendosni të ulni dozë ose më mirë ta lini, do të jeni më pak i rrezikuar për të zhvillimin e kancerit të mushkërive. Gjithashtu, edhe shmangia e qëndrimit të vazhdueshëm në një mjedis në të cilin konsumohet duhan, bën që të ulet rreziku për këtë sëmundje. Është mirë që të shmangen testet e panevojshme me rrezatim në kraharor.

Cilat masa mund të merren për parandalimin e sëmundjes?

Masa më e rëndësishme për parandalimin e kancerit të mushkërive është mos pirja e duhanit. Lënia e duhanit shpaguhet në secilën moshë. Kush nuk pi (më) duhan, jo vetëm ul rrezikun vetjak për kancer të mushkërive, por edhe rrezikun për shumë sëmundje të tjera, për shembull për infarkt të zemrës, angina pectoris, pikën në tru, çrregullimet në qarkullimin e gjakut në këmbë, si edhe rrezikun për kancer në zgavrën e gojës, ezofag ose në fshikëzën urinare.

Prandaj veprimi më i arsyeshëm për çdo duhanpirës, qofte edhe me një cigare deri në pesë cigare në ditë është, lënia e duhanit në çdo periudhë kohe të duhan pirjes si dhe mos qëndrimi në ambiente me tym duhani.

Të dhëna

Vdekshmëria nga kanceri në Shqipëri

Duhani llogaritet si shkaktar në masën 40 % për të gjitha llojet e kancerëve. Këtë nuk e themi ne, por specialistët të cilët kanë bërë një studim të vdekjeve të shkaktuara nga konsumimi i vazhdueshëm i duhanit. Duke ju referuar të dhënave zyrtare të bëra publike, vetëm për një periudhë një vjeçare, dalin këto statistika: 1655 vdekje tek meshkujt, nga të cilat 874, ose 53% i atribuohen duhanit, dhe 915 vdekje tek femrat, 320 prej të cilave i atribuohen gjithashtu faktorit të lart përmendur. Një në çdo katër vdekje nga mosha 30-44 vjeç dhe një në tre vdekje të moshës 45-49 i atribuohen duhanit.

- Vdekjet në moshën 45 – 49 vjeç, si pasoje e duhanit, janë ndarë:

30.7 % nga sëmundjet respiratorë të rrugëve të poshtme të frymëmarrjes,

53.8 % nga kombinimi i te gjitha sëmundjeve kardiovaskulare,

87.7 5% nga kanceri i trakesë, i mushkërive dhe laringut.

Bronkiti kronik

95 % e duhanpirësve vuajnë nga bronkiti kronik, i cili shoqërohet me enfizëm pulmonare që me kalimin e kohës të dy këto sëmundje çojnë në bronkopatitë obstruktive dhe si pasojë në pamjaftueshmërinë e frymëmarrjes. Këto sëmundje shtojnë vdekshmërinë e duhanpirësve 4 deri 25 herë më shumë se njerëzit që nuk pinë duhan. Rreth 70 për qind e vdekjeve nga bronkopneumonitë obstruktive i detyrohen përdorimit te duhanit (bllokimit te rrugëve te frymëmarrjes).

Astma Bronkiale

Efekti i duhanit mbi rrugët e frymëmarrjes vihet re në shtrëngimin (spazmën) e muskujve të lëmuar të bronkeve nga irritimi prej tymit të duhanit të receptorëve përkatës duke dhënë krizën astmatike nga ngushtimi spastik i bronkeve të vogla. MË tej, infeksioni kronik i bronkeve, i keqësuar në terrenin astmatik çon në invalidizimin kronik të vijave të frymëmarrjes. Kjo gjendje paraqitet më tej me peridiocitetin e krizave astmatike, të cilat çojnë në pamjaftueshmërinë e frymëmarrjes.

Pneumonia

Përdorimi i duhanit shton vdekshmërinë e infeksioneve nga gripi, pneumonia dhe bronkopneumonitë. Ne Angli, vdekshmëria te duhanpirësit nga pneumonitë arrin në masën 9.4 për qind. Shumë nga duhanpirësit kanë ulje të albuminave dhe vitaminës C në gjak, shtimin e leukociteve në gjak dhe të makrofugeve alveolare, fizik të dobët dhe ulje të peshës, kushte që favorizojnë uljen e aftësisë mbajtëse dhe zhvillimin e infeksioneve ne bronket dhe ne mushkëri.

Tuberkulozi i mushkërive

Në zonat me përhapje të tuberkulozit është konstatuar se përdorimi i duhanit përshpejton keqësimin e tuberkulozit. Tek duhanpirësit, tuberkulozi takohet 2 herë më shpesh.

Pneumotoraksi Spontan dhe ndërlikimet e frymëmarrjes gjatë operacioneve.

Ndërlikimet e mësipërme janë më të shpeshta tek ata që pijnë duhan.

A po luftohet kanceri i mushkërive në vendin tonë?

Mjekohen të sëmurët kronikë pulmonarë, bëhet një promocion për luftën kundër kancerit në ditën botërore, ekziston një strategji shume e bukur për të luftuar kancerin, por në brendësi do të eksplorosh interesa të individëve që kanë qenë me pushtet në institucionet e Ministrisë se Shëndetësisë. Bordi i kancerit nuk e ka kryer detyrën si një mekanizëm koordinues kombëtar, për një mbrojtje më të mirë të shëndetit njerëzor nëpërmjet krijimit të strukturave të qëndrueshme. Regjistri kombëtar i kancerit i është caktuar për administrim një zyrtari në Institutin e Shëndetit Publik, që vetëm lidhje me kancerin nuk ka, ndërkohë që ai duhej të ngrihej pranë Spitalit Onkologjik, institucion ky që duhej të shërbejë edhe si Institut kundër kancerit. Kjo shpjegon edhe arsyen që asnjëherë nuk kemi patur dhe nuk do të kemi të dhëna të sakta për numrin e të sëmurëve me kancer në Shqipëri.

 

Me të drejte janë blerë aparaturat më moderne për mjekimin e kancerit, blihen me të drejtë medikamentet më të shtrenjta për luftën ndaj tij, dhe kjo është një gjë shumë e mirë, sikurse ka interes për vaksinimin me vaksinat e gripit, por jashtë këtyre tenderëve nuk bëhet promocion sa duhet për të luftuar sa duhet shkaktaret kryesore të kancerit, siç janë faktorët riskantë si duhani, ndotja e ambientit dhe infeksionet e përsëritura respiratore të cilat nuk trajtohen në mënyrë të duhur. Nuk ka transparencë në projektet e kancerit edhe pse ka pasur fonde serioze nga donatoret e shteteve të Bashkimit Evropian. Transparenca është mekanizëm jetik për ekzistencën e institucioneve. Kostoja ekonomike që ka individi, familja, shoqëria dhe shteti nga sëmundja e kancerit është shumë madhe. Në se vazhdohet në këtë gjendje pasojat negative në shëndet dhe në ekonomi do të jenë shumë të renda për shëndetin publik dhe për ekonominë e vendit.

Shenjat

Si ta kuptojmë që fëmija pi duhan

Çdo gjë fillon duke e provuar. Mjafton vetëm një e tillë për t’u bërë një duhanpirës i ardhshëm. Kjo, pa llogaritur aspak pasojat. Shifrat gjithnjë në rritje, sidomos tek brezi i ri tregojnë që shumë fëmijë, ndonëse të vegjël në moshë janë bërë pre e këtij kanceri vrasës. Në këtë aspekt del një detyrë e prindërve të cilët duhet të sigurohen dhe të marrin masa herët në kohë. Kollitja, irritimi i fytit, zëri i ngjirur, era e keqe e gojës, ngjyrosja e dhëmbëve, frymëmarrja e shkurtuar, ftohjet e shpeshta cilësohen si shenjat e para nga specialistët e shëndetit publik. Specialistët e shëndetësisë shtojnë më tej se prindërit duhet të jenë të kujdesshëm pasi në raste të caktuara mund të ndodhë që shenjat të paralajmërojnë pirjen e duhanit nga fëmija, por ky paralajmërim ndodh që nuk është i vërtetë. “Nëse fëmijës tuaj i vjen trupi dhe rrobat era duhan, para se ta akuzoni, pyeteni për erën. Është e mundshme të ketë qenë në sipërfaqe me tym ose me shokë që kanë pirë, ndërsa ai vetë nuk pi duhan. Ndër shkaqet më të sheshta që e orientojnë fëmijën drejt duhanit listohen të jenë: “Mendimi se duhani i bën ata më të pjekur dhe më të rritur. Fëmijët mund të pinë duhan si shenjë revolte ndaj prindërve ose arsimtarëve, mendojnë se lirohen nga stresi, apo pinë për shkak të presionit nga rrethi. Nëse shokët e tyre pinë duhan edhe ata mund të fillojnë. Ndërkohë nga studimet e kryera është vënë re se ekziston edhe një mendim i tillë që: “fëmijët mund të fillojnë të pinë duhan pasi që mendojnë se mund të dobësohen. Ata mendojnë se nëse e ndërpresin duhanin do të shëndoshen”. Ndërkohë që parandalimi i duhanit të jetë i suksesshëm edhe në radhët e fëmijëve aktivitetet duhet të fillohen mjaftueshëm herët, qysh nga fëmijëria e hershme. “Flisni për duhanin kur fëmija është i vogël. Komunikoni haptazi.

 

Nëse pini duhan, mundohuni të ndërpritni para se të fillojë të pijë edhe fëmija. I diskutoni me fëmijën reklamat për pirjen e duhanit”, këshillohet nga specialistët. Përveç anës psikologjike, fëmijës i duhen shpjeguar edhe efektet që mund të shkaktojë konsumi i duhanit në organizmin e tyre. Kjo duke mos e bërë më shumë dramatike nga ç’duhet. Tek ata që janë të sëmurë nga astma, duhani mund t’i keqësojë simptomat e astmës. Simptomat e fëmijëve me astme janë më të rënda tek fëmijët me prindër duhanpirës sesa tek fëmijët me prindërit jo duhanpirës. Duhani shkakton rrudha në lëkurë dhe erë të keqe nga goja, si dhe ngjyrosje e sëmundje të dhëmbëve. Veshjet e duhanpirësit mbajnë era duhan. Duhanpirësit në krahasim me ata që nuk pinë më shpesh sëmuren më lehtë. Një duhanpirës mund të vdesë 10 vjet më shpejt se bashkëmoshatari i tij jo duhanpirës. Tymi i duhanit përmban elementë që shkaktojnë kancer në organizëm. Tymi përmban 4000 kimikate dhe nga këto 40 të njohura si kancerogjene. Afërsisht gjysma e duhanpirësve vdesin nga një sëmundje e lidhur me duhan pirjen: kanceri, sëmundjet e zemrës, insultet cerebrale etj.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama