Një nga tri regjisorët e operës, italiania Guia Farinelli Mascagni tregon gjithçka rreth projektit në një intervistë për "Shekullin". Më me rëndësi është historia që fshihet pas mbiemrit të saj, lidhja e gjakut me kompozitorin Mascagni. Znj. Mascagni, si lindi ideja për realizimin e operës "Silvano" Është një projekt që çon përpara marrdhëniet kulturore mes dy vendeve, Italisë dhe Shqipërisë.
Dhe është në shërbim të turizmit kulturor?
Është një projekt në shërbim të kulturës. Kjo operë shfaqet në tri vende. Fillimisht këtu në Shqipëri, më pas në Pulia dhe më pas Korfuz. Ky projekt i bashkon tri vende të Mesdheut, që lagen nga i njëjti det. E kem sjellë në ditët e sotme dhe historia merr jetë në një qytet të Rajonit të Pulias, që sheh nga deti Adriatik. Është një histori me marinarë, peshkatarë, që mund të ketë ngjarë kudo nëpër këto vende. Për këtë arsye zgjodhëm pikërisht këtë operë nga krijimtaria e stërgjyshit tim, Pietro Mascagnit.
Ju nuk kujdeseni e vetme për regjinë e saj, bashkëpunoni me regjisorët Sergio Licursi dhe Milto Kutali. Cili është kontributi i secililit te "Silvano"?
Regjisori shqiptar Milto Kutali na ndihmon më shumë për anën teatrale, në organizimin e kostumeve, skenave. Unë punoj për pjesën teatrale, interpretimin. Me zërat merret drejtori i Orkestrës, janë angazhime të ndryshme që në fund bashkohen.
Është një histori e zakonshme si ato që shkruhen shpesh në libretët e operave?
Po. Bëhet fjalë për dashuri, tradhëti. Dy burra luftojnë për të njëjtën grua dhe njeri nga të dy ka një fund tragjik. Një melodramë tipike, vetëm se këtë herë vdes një burrë sepse shpesh nëpër opera vdesin gratë.
Bëhet fjalë për jetën e Matildës, që është e fejuar dhe pret të martohet me Silvanon. I mbytur nga problemet, ai largohet nga qyteti dhe fillon të bëjë jetën e kontrabandistit. Historia filloi kur ai kthehet në vendin e tij dhe zbulon që në kohën e largimit, Matilda ka patur një marrëdhënie me një burrë tjetër, Encon.
(Ndërhyn Sergio Licursi)
Pas e dëgjuam operën, nisëm menjëherë nga puna për zbërthimin e personazheve dhe ndërtimin e karaktereve. Nga muzika kuptohet që Matilda, personazhi kryesor, është një grua që vuan, e vetmuar, e rrethuar nga burra që i premtojnë dashurinë, por në të vërtetë nuk është kështu. Ata e shohin si një objekt. Kjo duhet të shihet edhe në skenat e krijuara dhe në interpretimin e saj. Për këtë arsye, krijuam një moment poetik me një pjesë koreografike të interpretuar nga Livorno
Ç'nivel kanë solistët me të cilët po punoni?
Kam gjetur një nivel të lartë. Për mua, një këngëtar është i mirë kur ka një teknikë të mirë, por di të jetë shprehës dhe të falë emocione. Nuk janë cilësi që kombinohen te të gjithë artistët. Sopranoja Maria Monopoli dhe Francesco Zingariello e kanë ngritur tanimë karrierën e tyre dhe këndojnë në teatro të rëndësishëm. Tenori Zingariello ka punuar me Katia Riçiarelli-n, sopranon tonë të famshme. Kanë pranuar madje të interpretojnë në një shfaqje me buxhet të ulët dhe kanë parë vetëm interesat artistike. Pranuar se është një projekt i bukur. Kjo është e rëndësishme sepse bota e artit nuk është vetëm biznes.
Baritoni shqiptar është shumë i ri, vetëm 22 vjeç. Kemi ngelur shumë të kënaqur sepse vumë re që ishte shumë i përgatitur dhe serioz. Hyri shpejt në rol dhe komunikon me të tjerët. Duhet të rritet artistikisht, të studiojë, por ka mundësi të shkëlqyera. Mezosopranoja Sofika Kola është e zonja në interpretim. Orkestra nuk ka patur shumë kohë në dispozicion (15 ditë) për ta përgatitur shfaqjen, por deri tani ka dhënë rezultat dhe gjeti shpejt gjuhën me dirigjentin italian Ettore Papadia. Po lind diçka. Urojmë që publiku të kënaqet me punën tonë.
Tani të ndalemi te familja juaj, e lidhur ngushtë me një emër të njohur të muzikës italiane, gjyshin tuaj, Pietro Mascagnin. Çfarë ka lënë ai trashëgim nga krijimtaria e tij? Unë jam rritur me vajzën e Mascagnit, Emilinë (Emy). Deri në moshën 15 vjeçare jetoja në shtëpinë e saj. Nga përvoja jetësore e saj me të atin, më ka futur në gjak dashurinë për artin. Unë kam mbaruar një shkollë të kompletuar arti, kam studiuar histori arti, teatër, muzikë në Universitetin Shtetëror të Romë. Jam rritur me dashurinë jo vetëm për muzikën, por për të gjithë artet. Në vitet '60, e edukuar nga gjyshja, e pashë nga afër kinemanë e këtyre viteve. Ndiqja filmat e regjisorëve si Fellini. I gjithë ky bagazh kulturor dhe artistik u bë më pas stimuli i jetës. Jam shumë pak e ndjeshme ndaj çështjes së parave. Jepem më shumë pas kënaqësisë që jep realizimi i projekteve të bukura.
Çfarë të thoshte gjyshja për Mascagnin?
E kujtonte shpesh si një burrë me karakter të fortë. Kishte tri fëmijë. I donte shumë dhe dëshironte që të shkonin mirë në shkollë. Ai u lind në një familje të varfër. Kur me "Cavalleria Rusticana" iu ofruan më shumë mundësi ekonomike për të bërë jetën që donte në familjen e tij. Pietro Mascagni udhëtonte shumë, por kur ishte në Itali dhe Romë, të dielave i mblidhte fëmijët dhe nipërit bashkë. Ishtë një burrë që i pëlqente familja. Me familjarët ishte një njeri i butë, sidomos me femrat e familjes.
Po babai juaj çfarë kujtimesh ruante?
Babai im e mbronte gjithmonë. I kujtohej kur Mascagni e shpëtonte nga ndonjë proçkë që bënte në lagjet e Livornos. Babai im u bë doktor, pothuajse si të gjithë nipat e tjerë. Askush nuk u morr me muzikën sepse kur ke një njeri të madh në familje, ke frikë se nuk do të jesh kurrë në nivelin e tij. Unë jam pak ndryshe, jo muzikante, por artiste gjithsesi. Kuptohet që stërgjyshin tim nuk e kam njohur kurrë.
Po çfarë ruani në shtëpinë tuaj, një objekt që jua kujton shpesh?
Fillimisht dua të them që partiturat origjinale të operave të tij janë të gjitha nën kujdesin e familjes sonë. Kemi fotografi, shumë kujtime, objekte. Kudo që ai shkonte në botë, i dhuronin diçka. Kur shkoi në Angli, mbretëresha Viktoria i bëri një dhuratë, në Rusi Nikolai II i dhuroi një kuti që mban cigaret, me mbishkrimin e tij. Stërgjyshi im ishte edhe drejtues orkestre dhe udhëtonte shumë. Ishte një njeri i famshëm në kohën e tij. Aq sa i kopjonin mënyrën veshjes, krehjes. Ishte shumë i bukur. Gratë mbanin fotografitë e tij nëpër mure. Jetën e tij ia dedikoi të gjithën muzikës. Ajo ishte para gjithçkaje. Ka luftuar shumë për të. E menaxhonte vetë talentin e tij.
Sipas jush, cilat ishin vitet më të arta të tij?
Periudha më e bukur e karrierës së tij është fillimi i 900-ës. Shëtiste në të gjithë botën. Në Itali punonte në të gjithë qytetet, në Milano, Napoli, Roma, Palermo dhe jashtë në Rusi, Angli, Gjermani, Amerikën e Jugut. Ndihej i vlerësuar edhe nga bashkëkohësit e tij. Ishte vetëm 25 vjeç kur shkroi "Cavalleria Rusticana". Si për të gjithë artistët që nuk rrinë në një vend, miqtë më të mirë janë ata që i ke njohur herët. Ishte mik i Puçinit. Ata bashkë kanë studiuar në Konservator. Ishin për shumë kohë miq kompozitorë, poetë, piktorë pastaj "armiq" për shkak të konkurrencës. Me Leoncavallo-n, Giordano-n, Verdi-n, i cili në atë kohë ishte i moshuar në atë kohë.
Cilën vepër vlerësoni më shumë?
Unë dua më shumë "Iris". Është historia e një gruaje që bie pre e egoizmit dhe ligësisë mashkullore. Kurse "Cavalleria" është më e famshmja. Ishte e shkurtër. Verizmi në operën italiane lind pikërisht në këtë moment historiko-kulturor.