Pipero Shqiptaret nuk dhurojne gjak duhen stimuluar

Pipero: Shqiptaret nuk dhurojne gjak, duhen stimuluar
Shqiptarët nuk duan të dhurojnë gjak dhe kjo sjell një problematikë të madhe për sistemin shëndetësor sepse nuk plotësohen nevojat për gjak. Të dhënat zyrtare tregojnë se për çdo 1 mijë banorë, ka 9 dhurues gjaku. Ndërsa për të plotësuar tërësisht nevojat për gjak në vend, duhen 40 dhurues vullnetarë për 1 mijë banorë. Shqetësimi është pranuar në Komisionin Parlamentar të Çështjeve Sociale nga vetë drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët ishin thirrur për të raportuar për këtë çështje.

“Ne ende jemi larg objektivit për të mbuluar të tëra nevojat e vendit me gjak në mënyrë optimale. Nëse në vitin 2005 kishim 4 dhurime për një mijë banor dhe sot kemi 9 dhurime për 1 mijë banorë, për të mbuluar nevojat optimale të vendit, sipas orientimeve të OBSH duhen së paku 40 dhurime për 1 mijë banorë në mënyrë që ne të jemi optimalisht të furnizuar me gjak”,- thotë Pëllumb Pipero, drejtor i politikave në MSH.

Ndërkohë deputetët e opozitës kanë kërkuar shpjegime sa i takon sigurisë së gjakut. Lidhur me këtë Pipero ka theksuar se asnjëherë nuk mund të sigurohet gjak 100% i sigurt pasi sipas tij shumë sëmundje nuk njihen ose janë në fazën që nuk mund të zbulohet nëse gjaku është i infektuar. Megjithatë ai theksoi se për të pasur mjaftueshëm gjak ka propozuar dhe synojnë të rregullohet me ligj që të gjithë dhuruesit vullnetarë të cilët dhurojnë gjak në mënyrë periodike të stimulohen nga shteti. Sipas tij stimulimi mund të fillojë me heqjen nga pagesa të ekzaminimeve të shtrenjta në spitale të të gjithë dhuruesve të gjakut. Me transportin falas publik të tyre si edhe me vizitat mjekësore pa radhë tek mjeku i familjes. Sa i takon shitjes së gjakut nga personeli i papërgjegjshëm shëndetësor i pyetur nga deputetët e opozitës zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë nuk e mohuan një problem të tillë por theksuan se nuk akne pasur asnjëherë ndonjë ankesë zyrtare për këtë problematikë.

Ndërkohë Pëllumb Pipero, Drejtori i politikave, pranë kësaj ministrie, sqaroi se çështja e cilësisë së gjakut është zgjidhur dhe gjatë dy vjetëve të fundit nuk ka asnjë rast të infektuar nga transfuzioni i gjakut. Gjithashtu, vitin e ardhshëm është parashikuar një fond prej 80 milionë lekësh për blerjen e aparaturave të reja për të testuar në kohë më të shpejtë sigurinë e gjakut.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama