Një nga zërat kryesorë të lëvizjes qytetare për mbrojtjen e Piramidës, Ardian Klosi, ka kërkuar publikisht nga qeveria pritjen e një përfaqësie për të diskutuar rreth çështjes. Po kështu, ai ka theksuar se reagimi sa ka nisur, duke kërkuar pjesëmarrje nga qytetarët dhe angazhim civil për një objekt që konsiderohet si monument unik arkitekturor, por i kthyer së fundmi edhe si një mur ndarës mes dy krahëve të shoqërisë. Si përkufizuese e të gjithë betejës që po zhvillohet aktualisht edhe me instrumentet e një propagande që përfshinë thuajse çdo gjë ka shërbyer jo vetëm shfaqja e një dokumentari të posaçëm, por edhe një mesazh domethënës i cituar nga publicisti Artan Lame: “Mbani Enverin, na lini Piramidën”.
Ardian Klosi
“Si mund ta bëjë një Kryeministër, që është i ardhur dhe i zbritur? Një Kryeministër nuk është i tillë, sepse ka polici, para, apo fadroma. Ai është i tillë, sepse është zgjedhur nga një pjesë e popullit dhe ka për detyrë të dialogojë me popullin e vet, për të kryer detyrën e administrimit të të mirave materiale. Kryeministri duhet të dëgjojë qytetarët, që thonë se Piramida nuk duhet prishur, por duhet restauruar një orë e më parë. Pranoni dialogun dhe prisni nesër një përfaqësi tonën, që kërkon mosprishjen e Piramidës. Është gati përfaqësia jonë “Aksioni për shpëtimin e Piramidës”.
Andrea Stefani
Ndërtimi i Piramidës ka kushtuar mund dhe djersë. Nuk mund të shkatërrohet komunizmi duke folur nga godina e Adil Çarçanit. Të ishte kështu do ishin shkatërruar të gjitha godinat. Kryeministri ka armik median e pavarur ndaj edhe kërkon prishjen e Piramidës.
Artan Lame
“Këtu nuk bëhet fjalë për një krah që thotë që Piramida të mos prishet dhe krahu tjetër politik që të prishet. Këtu bëhet fjalë për qytetarët që thonë: “A mund të na dëgjoni edhe neve?””. Me këto justifikime të qeverisë, zor të gjendet një muze tjetër në botë që të ketë funksionuar një periudhë kaq të shkurtër. Të jetë bërë në ‘88-n si muze dhe të jetë prishur në ‘90-n dhe që në 20 vjet të ketë funksionuar ndryshe. Bëhet fjalë për një çështje që të rinjtë e kanë mbyllur me batutën: “Mbani Enverin, na lini Piramidën”.
Auron Tare
“Këtu s’do të ruajmë një pjesë të komunizmit, por të trashëgimisë kulturore. Me këtë protestë janë bashkuar emra të njohur të botës ndërkombëtare të trashëgimisë kulturore. Ata kanë theksuar rëndësinë e madhe për ruajtjen e Piramidës, si në aspektin arkitekturor, ashtu edhe në atë historik”.
Maks Velo
“Piramida nuk është pronë e Enver Hoxhës dhe për këtë nuk mund të prishet. Për këtë Piramidë kam punuar unë dhe shumë të tjerë. Nëse në kohën e luftës prishej shtëpia e një beu, ajo ishte pronë e beut. Por kjo nuk është pronë e diktatorit Hoxha. Deklarata se do bëjmë Parlamentin më të mirë në Europë është marrëzi. Këto para me të cilat do të bëhet Parlamenti t’ua çojnë fëmijëve të ngujuar nga gjakmarrja dhe atyre njerëzve që nga gjendja e rëndë vrasin veten”.
Mustafa Nano
Rreth 100 metra larg Piramidës janë vrarë 4 njerëz, nuk duhet harruar.
Artan Shkreli
“Ata që hedhin poshtë vlerat e Piramidës janë njerëz që punojnë për pushtetin dhe bëjnë sikur nuk kanë lidhje me të. Ambasadorët janë të terrorizuar nga ky veprim i kastës qeveritare, e cila shpërfill opinionin publik. Në histori speciale që i ka fituar betejat është njeriu dhe ne do të fitojmë, për të emancipuar edhe ata”.