Piramide e re ne Fier mbi 900 veta bien ne gracken e nje 29-vjecari

Piramide e re ne Fier, mbi 900 veta  bien ne gracken e nje 29-vjecari

Historia e Ledjan Muçarakut, 29-vjeçarit që mashtroi dhjetëra studentë, qytetarë e biznesmenë nga të katër anët e vendit. Mashtrimet e tij financiare nisnin nga 6 mijë-230 mijë euro, ndërsa u hapi procedime penale dhjetëra njerëzve. Në listë edhe 50 biznesmenë.



Një 29-vjeçar nga Fieri ka krijuar një skemë piramidale, brenda së cilës kanë rënë studentë, kompani e biznesmenë nga të katërta anët e vendit. Historia e Ledjan Muçarakut nga Grykë-Semani i Fierit do të dukej e pabesueshme për një vend tjetër, por jo për Shqipërinë, që ka kaluar supermashtrimin e vitit 1997. Sipas Prokurorisë së Fierit, i riu kishte mashtruar një numër të madh njerëzish, duke u ofruar para me interes në këmbim të lënies peng të kolateraleve. Më pas ai ndryshonte kontratat dhe hidhte në gjyq për mashtrim, “viktimat” e tij. Prokuroria e Fierit, e cila urdhëroi dje arrestimin e 29-vjeçarit Muçaraku, ka zbardhur rreth 50 raste të tilla mashtrimi, ku “klientëve” në nevojë për para u ishin ofruar nga 500 mijë lekë deri në 1 milion euro me fajde.

 

Por pasi merrte firmat e tyre duke shfrytëzuar injorancën juridike, ai i ndryshonte deklaratat noteriale në favor të tij, duke shpresuar të fitonte gjyqet civile me të mashtruarit. Prokuroria ka hetuar thellë në historinë e këtij të riu dhe ka zbuluar se ai e kishte nisur këtë aktivitet që prej vitit 2007, kur ishte vetëm 22 vjeç. Asokohe, klientët e Ledjan Muçarakut ishin studentët që kishin nevojë për shuma të vogla parash. “Fillimin e skemës e kishte realizuar me studentë, duke u ofruar sasi të vogla parash nga 5000-10 000 lekë, me interes nëpërmjet llogarive bankare. Më pas ai u merrte në dorë borxhin e dhënë, i dërgonte para notereve dhe duke shpërdoruar besimin e tyre dhe neglizhencën e noterëve, mbyllte me ta deklaratat noteriale”, – thotë prokuroria. Më pas, Ledjan Muçarakut i është ‘shtuar oreksi’ dhe e ka zgjeruar piramidën e tij edhe me biznesmenë.

 

Ndërsa u premtonte para me fajde, ai u kërkonte atyre të bënin një depozitë paraprake në llogarinë e tij me përshkrimin “shlyerje detyrimi”. Kjo shumë varionte nga 1 mijë deri në 500 mijë lekë të reja. Më pas, me kopje të deklaratës noteriale dhe gjendjes së tij të llogarisë bankare që dokumentonte moskthimin e shumës, hartonte padi civile e penale në prokurori dhe gjykatë, duke falsifikuar dhe dokumentet e padive sikur ato ishin bërë nëpërmjet studiove ligjore. “Interesi i Ledjanit ishte fitimi i gjyqeve civile dhe deklarimi fajtor i personave që kallëzonte në prokurori, me qëllim që të merrte shumën e lekëve që përcaktohej në aktin noterial, ndonëse këtë shumë ai nuk ua kishte dhënë asnjëherë personave”,- thuhet në aktet e prokurorisë. Hetuesit kanë zbuluar se Ledjani hartonte çdo ditë deri në 3 akte noteriale me vlera të mëdha parash, në këmbim të së cilave kishte peng pasuri, shtëpi e troje. Prokuroria thotë se vlera e interesit të tij shkonte në 15-20 %, të cilat përfshiheshin në shumën totale në kontratë. “Ledjan Muçaraku, përveçse u kërkonte të depozitonin para në llogaritë e tij bankare, u merrte edhe para në dorë apo dreka e darka biznesmenëve, të cilët në fund nuk merrnin asgjë. Vetëm në pak raste ai ka kaluar shuma të papërfillshme”, – thotë prokuroria. Përveç mashtrimit, ky person ka futur në andralla me drejtësinë me dhjetëra persona, të cilët kanë humbur edhe gjyqet civile me të. Prokuroria e Fierit ka zbuluar se me aktet e falsifikuara, ai ka hapur me dhjetëra procedime penale, duke arritur të dënojë padrejtësisht personat e mësipërm. Gjithashtu, ai ka fituar disa gjyqe civile për kthimin e shumave, të cilat ai realisht nuk i ka dhënë. “Policia dhe prokuroria vazhdojnë hetimet  e deri aktualisht janë siguruar dhjetëra deklarate noteriale me vlera nga 6000 euro deri në 230 000 euro, dhjetëra procedime penale e civile të hapura fiktivisht nga Ledjan Muçaraku”,- thotë Prokuroria.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama