Pirateria e filmave i zhvat kinemase ne Shqiperi 40 te audiences

Pirateria e filmave 'i zhvat' kinemase ne Shqiperi 40 % te audiences
Pakkush di të thotë nëse ka më pak shqiptarë që frekuentojnë mijëra baret dhe restorantet e kryeqytetit si përgjigje e krizës financiare që rëndon në xhepat e shqiptarëve…por kinemanë ama i kanë braktisur një përqindje e konsiderueshme e tyre. Tirana sot numëron 5 salla kinemash, 2 në mjediset e Hotel Sheraton, 1 në Qendrën Kristal, ish-Kinema Agimi e cila ju rikthye kryeqytetit vitin e shkuar, salla këto që përbëjnë rrjetin e Kinemave Imperial. Kinema Millenium është gjithashtu një mundësi për të ndjekur një film. Veçse tani çështja nuk është se s’ka kinema në Tiranë, siç ngrihej alarmi para viteve 2000. Problemi është që edhe ato që janë hapur, ndodh shpesh të jenë të zbrazta.

Altin Prifti prej pak vitesh drejton rrjetin e Kinemave Imperial në Tiranë dhe teksa ndalet në disa prej ngërçeve me të cilat përballet ky biznes specifik në vend, ngre një shqetësim i cili duhet të jetë i të gjithëve. Në vitin 2012, publiku i kinemasë është tkurrur me 30 % krahasuar me një vit më parë. Ndërsa një numër të konsiderueshëm të audiencës, e largon nga ekrani i madh, nga magjia e artit të shtatë PIRATERIA, e shndërruar në ‘gropën e zezë’ të këtij biznesi në botë duke bërë që studiot kinematografike të humbasin miliarda dollarë në vit.

Ndërsa përcjellim herë pas here informacione që produksione hollivudiane arkëtojnë miliona dollarë në kinematë e botës, natyrshëm vjen t’ju pyesim, po në Shqipëri, a ekziston biznesi i mirëfilltë i kinemasë?

Mund edhe ta cilësojmë të tillë por ama biznesi i kinemave në Shqipëri është një biznes i mbijetesës dhe nuk bëhet fjalë për sipërmarrje që të jep kënaqësi sa i takon financave, ndonëse të jep kënaqësi të tjera. Është biznes specifik. Ndaj kushdo që mendon se kinemaja është biznes fitimprurës, që mund të sigurosh të ardhura të majme, d.m.th që nuk e njeh aspak këtë lëmi. Kjo sidomos për faktin se Shqipëria është rast specifik sa i takon problematikave që ka, ndaj edhe duhet një debat i gjerë për të parë se si mund të funksionojë kinemaja këtu, pasi gjendemi përballë faktit që ka pak njerëz që e frekuentojnë atë dhe kostot janë marramendëse.

Z. Prifti, dikur në Tiranë ka pasur kinema në çdo lagje veç atyre qendrore, në Shqipëri po ashtu filmi shkonte në çdo cep. Tani në kryeqytet sallat numërohen me gishtat e njërës dorë, kjo është një problematikë e madhe por jo e vetmja…

Kjo është një problematikë e madhe pasi ka bërë që ndër vite shqiptarët t’i largoheshin kinemasë pasi nuk kishin ku të shkonin. Por përtej kësaj, ne jemi në një moment tepër të vështirë dhe kur duhet të luftojmë për të ndërgjegjësuar institucionet, ato qendrore dhe lokale për rolin që duhet të marrin. Dikur ka funksionuar mirë pasi të gjitha kinematë kanë qenë publike, nuk ka pasur rrjet të kinemave private siç është sot, çka bën dallim… sot që topi është lënë në portën e sipërmarrësve privatë që kanë investuar në teknologji, salla, punësim dhe blerje të të drejtave të filmave (kosto kjo e jashtëzakonshme për një film që vjen në sallë). Por nga ana tjetër kemi televizionin i cili ka arritur kulmin, e duke mbajtur parasysh që kriza shpirtërore është shoqëruar edhe me atë financiare, edhe pse çmimi i biletës është ¼ e vendeve të rajonit, ndaj edhe ne hasim shumë vështirësi për mbijetesë. Le të flasim pa doreza…! Në vende si Kroacia, biznesi i kinemave subvencionohet nga buxheti i shtetit (mund të jetë edhe administrata lokale)…duke mbuluar një pjesë të çmimit të biletës. Por një tjetër lehtësi është edhe lehtësimi ndaj taksave. Ne nuk jemi kundër tyre, por janë të gjitha hapësirat për të krijuar lehtësira, pasi vlen të përmendet që kostot për projektionin e një filmi janë të jashtëzakonshme pasi kinemaja është nevojë e qytetit, e jona…pasi jetojmë në një vend ku nuk kanë mbetur më salla kinemash, ato që ishin janë transformuar ndaj edhe tani nëse do donim të hapnim kinema në të gjithë vendin, përpos kostos së aparaturave që shkojnë në qindra mijëra euro, po aq duhen edhe për godinat të cilat nuk i ruajtëm.

Ju si rrjet kinemash, keni menduar dhe nuk keni mundur të hapni kinema në qytete të tjera të vendit, ç’ju ka penguar?

Padyshim dhe kemi shpenzuar shumë energji e kohë në biseda publike, private, formale, informale e personale dhe jemi ndeshur me të gjithë ata që munden të investojnë, janë stepur pasi mungon tregu. Në kushtet kur s’ka treg për një investim madhor siç është kinemaja për ta justifikuar këtë lloj shpenzimi, si investitorët ashtu edhe ne, pavarësisht se licencat i blejmë për gjithë Shqipërinë, nuk mundemi dot t’i çojmë filmat aty ku janë shqiptarët. Mungesa e kulturës së kinemasë e këyre viteve të fundit, duke i shtuar edhe varfërinë pasi duhet të pranojnë se çdo buxhet është tkurrur, mund të them pa doreza që edhe ne na është vështirësuar tepër mbijetesa, edhe këtu në Tiranë.

Po thoni se kriza e viteve të fundit ka ndikuar edhe me qasjen e publikut në sallat e kinemasë?

Ne kemi pasur një audiencë të konsoliduar së paku gjatë vitit 2011 dhe vazhdojmë të kemi fanatikët e kinemasë që vijnë pavarësisht krizës. Por ama numri i atyre që zgjedhi të shohin një film në kinema është tkurrur ndjeshëm. Për të ndjellë sa më shumë publik, si rrjet kinemash ne numërojmë rreth 20 oferta të ndryshme të cilat konsidtojnë në uljen e çmimit të biletës por me qëllimin që të thithim publikun të vijë në kinema, e pavarëisht kësaj shqiptarët i janë larguar sallës së kinemasë. Nga përllogaritjet tona, rezulton se vetëm brenda një viti kemi rënie 30 % të audiencës dhe kjo është rënie drastike për ne. Çka do të thotë se kjo përqindje e audiencës sonë nuk mundet më të shpenzojë para për një domosdoshmëri siç është kinemaja. Them domosdoshmëri pasi njësoj si ushqimi për të përbushur nevojat biologjike, edhe kinemaja është ushqimi shpirtëror që duhet ta marrim, pa të cilin jemi të varfër. E kjo ndodh në një kohë kur në Tiranë kanë ardhur filmat më të bujshëm të kinemasë amerikane, një pjesë e të cilave kanë qenë premiera botërore, që kanë ardhur në Tiranë në kohë reale. Filma mega-hit të cilët pavarësisht miliona dollarëve të arkëtuar në botë, në Shqipëri kanë këtë fat.

Mirëpo filmat dështojnë dhe kanë humbje të mëdha edhe për shkak të piraterisë…

Është një problem nga i cili vuan e gjithë bota, vuan kinemaja, televizioni dhe gjithçka e lidhur me këtë biznes. Kompanitë e produksioneve humbasin miliona nga pirateria. Ne jemi të goditur dhe nga pirateria kemi humbur rreth 40 % të audiencës. Në vit, ne sjellim 10 apo 12 premiera botërore pasi edhe studiot e mëdha ‘nuk na lejojnë’ të marrim çdo film në kohë reale, jemi treg i vogël. Kjo do të thotë se ne suksesin në thithjen e audiencës do e kemi me këta 12 filma…nga 100 filma që projektohen në kinematë tona gjatë 1 viti. Mirëpo filmat e tjerë janë të piratuar në të shumtën e rasteve dhe kjo na sjell humbje marramendëse. Audienca e re e Shqipërisë që ka akses në internet zgjedh të shkarkojë në film, pavarësisht kënaqësisë që i jep kjo gjë, shuan kureshtjen dhe i largohet kinemasë. Këta janë publik i munguar i kinemasë. Por ajo që më shqetëson më shumë nuk është thjesht audienca e munguar e momentit e kinemasë, por më shqetëson fakti që ky brez rritet me një kulturë si kjo, të piratojë, të shohë diçka nga interneti, të shuajë kureshtjen dhe të mos i afrohet kurrë kinemasë.

E pavarësisht problematikave, janë jo pak ata shqiptarë që zgjedhin ta shohin në kinema filmin shpesh dhe jo në ekranin e vogël të televizorit. Ç’preferojnë shqiptarët?

Publiku unë është doemos i shtresëzuar. Mund të them se 10 % e audiencës është ai brez që i ka kaluar të pesëdhjetat, i kultivuar me kinemanë dhe që është publik aq besnik i kinemasë, sa që vjen të shohë çdo lloj zhanri. Ky është publiku intelektual i cili arrin të ‘gëlltisë’ gjithçka ne sjellim, dhe është ky brez i cili sakrifikon për të ardhur në kinema. Nga ana tjetër, vërejmë që tendenca e filmit horror është në rritje, ndërsa vendin e parë e zë filmi romancë. Por ne kemi bërë një investim të madh për të rritur audiencën, kemi menduar për fëmijët të cilët nuk kanë qenë në vëmendjen e kinemasë dikur, duke bërë krahasimin me vendet e tjera. Ne kemi një rregull në rrjetin e Kinemave ‘Imperial’, patjetër do të ketë një film për fëmijë çdo javë, dhe po shohim se po funksionon pasi ka shumë prindër të cilët po i kultivojnë fëmijët me kinemanë.

Po me filmin shqiptar, ato pak produktsione që janë, ç’raport ka publiku i kinemasë? Krijojnë ata ngërç?

Nga përvoja e këtyre viteve mund t’ju them se filmat shqiptarë në sallë ose kanë pasur një kulm audience, ose janë neglizhuar. Nuk marr dot në analizë cilësinë artistike të filmit, por si drejtues i kinemave, arrij në përfundimin që shqitarëve ju mungojnë filmat e tyre dhe kur dëgjojnë që ka një prodhim vendas vijnë ta shohin. Se me ç’përshtypje largohen nga kinemaja, këtë nuk di ta them. Ka pasur edhe nga ata filma që nuk kanë ndjellë, por megjithatë them se janë filma të realizuar me buxhete minimale krahasuar me filmat e Hollivudit që të gjithë ndjejnë çlodhje kur i shohin. Por ka pasur edhe nga ata filma ku spektatorët kanë qenë sa gishtat e njërës dorë.

Ju keni vite që i ftoni njerëzit të shkelin në sallën e kinemasë dhe të shijojnë një film siç duhet…le të mos lodhemi e t’i riftojmë shqiptarët t’i rikthehen magjisë së artit të shtatë…

Është një fakt i pamohueshëm emocioni që shkakton te kushdo hera e parë në kinema…mrekullohen ndaj edhe është quajtur magji. Është një film i ndjekur i pashqetësuar nga asgjë, të kesh vetëm një fluks drite që të përplaset në sy dhe ky është ekrani i madh i kinemasë. Por kinemaja nuk është vetëm video, është edhe audio pasi sistemi që ne kemi është DTS, i cili të mundëson që kur në film është një skenë masive, psh kalon një helikopter, të jep ndjesinë që ti je aty, sikur je pjesë e atij realiteti. E të gjitha këto sjellin emocionin e madh që merr njeriu kur sheh një film në kinema, në ekranin e madh, saktësisht në atë ekran për të cili filmi është prodhuar. Duhet të vijnë në kinema për të marrë atë kënaqësi që s’mund ta gjesh askund tjetër, ca më pak në ekranin e ftohtë të kompjuterit.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama