Pirro Dhima Heroi i kombit grek kthehet ne Shqiperi pas 17 vjetesh

Pirro Dhima, Heroi i kombit grek kthehet ne Shqiperi pas 17 vjetesh
Kampioni olimpik dhe botëror me Greqinë rikthehet pas 17 vjetësh në atdhe, krenar për karrierën sportive, por më shumë i “mallëngjyer” për vendlindjen Kishin kaluar me shumë se 17 vjet që nga koha kur u largua nga Tirana, për të mos u kthyer më si shqiptar, por si heroi i kombit grek dhe kampioni më i suksesshëm në sportin e peshëngritjes në dy dekadat e fundit. Pirro Dhima është kthyer në vendlindje plot mall dhe emocion, por mbi të gjitha krenar, që për 17 vjet arriti të realizonte ëndrrën për t’u bërë një nga sportistët më të mëdhenj në botë, një kampion i madh. I patutur nga paragjykimet dhe i bindur se historia shkruhet vetëm një herë, 3 herë kampioni olimpik ndihet krenar që kthehet sërish në vendlindjen e tij, për të takuar miqtë, shokët, trajnerët dhe të gjithë ata që e kanë parë si idhullin e tyre në sportin e hekurave.

I zhytur në një tjetër jetë të mbushur plot lavdi, peshëngritësi i madh ndihet shumë i realizuar dhe si suksesin më të madh veçon familjen e tij, të cilën e quan medaljen më të madhe të karrierës së tij. Sot Pirro Dhima është kandidati më potencial për të marrë presidencën e peshëngritjes, por qëllimi i tij kryesor është që ta bëjë sportin sa më popullor dhe të forcojë edhe më shumë miqësinë mes dy vendeve. Pirro Dhima garoi për herë të parë nën flamurin grek në lojërat verore olimpike në 1992, duke marrë medaljen e artë.

Më pas erdhën titujt e paharrueshëm botërorë në vitin 1993 dhe në 1995, ndërsa në Olimpiadën e Athinës ishte mbajtësi i flamurit grek. Pirro Dhima ka fituar 4 medalje në 4 olimpiada të ndryshme dhe ka fituar statusin e heroit kombëtar në shtetin helen. Pirro Dhima, riktheheni në Shqipëri pas dy dekadash, kur u larguat ishin vetëm një djalosh i bëshëm plot ambicie, ndërsa tani jeni një baba që keni një familje plot vizion… Ika nga Shqipëria kur isha vetëm 19 vjeç, jam larguar në 7 shkurt 1991 dhe po kthehem pas 16-17 vjetësh. Kalon koha, rritemi, u martuam, u bëmë më fëmijë… Jeta vazhdon…

Kur u larguat nga Shqipëria ishit thuajse në majën e Olimpit, ju duheshin edhe pak metra, kur kaluat kufirin u bëtë një nga heronjtë e peshëngritjes botërore me shumë tituj olimpikë dhe botërorë. Do t’i kishit arritur nëse do të vazhdonit të stërviteni në Shqipëri?

E qartë kur ika nga këtu isha në një moment shumë, shumë të lartë. E qartë që trajnerët e mi që kisha këtu më ndihmuan jashtë mase, që të ecja përpara në sport, por me ato kushte që po zhvillohej sporti te ne nuk besoj se do të arrija ato rezultate që erdhën më pas, ato medalje që mora pas vitit 1991. Jam i kënaqur për të thënë të vërtetën, pasi arrita t’i bëj realitet ëndrrat e mia, pasi shumë ëndrra mund të kemi, por pak arrijmë që t’i realizojmë.

Cilat janë momentet më të bukura që keni përjetuar në këto 2 dekada larg Shqipërisë?

Momentet më të bukura janë familja ime, kalamajtë e mi. Kam një familje shumë të bukur, kam 2 vajza dhe një çun dhe mendoj se ato janë trofetë më të mirë, janë medalja më e madhe që kam marrë në jetën time.
 
Në këto vite keni bërë një sport shumë aktiv, si do të ishte përkufizimi që mund t’i bënit kësaj karrierë shumë të pasur?

Jashtëzakonisht shumë e mirë, kisha mundësinë të merrja edhe medaljen e katërt në atë në olimpiadë, megjithë problemet që kisha nuk arrita ta fitoj dot. Gjithsesi mendoj se përkrahja e publikut në pallatin e sportit ishte një medalje më vete, që më bëri akoma edhe më të lumtur.

Ndër të tjera ju jeni një hero i kombit grek, duke qenë se keni mbajtur flamurin në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike të vitit 2004…

Kënaqësia është e madhe, pasi njerëzit më njohin në rrugë, më respektojnë, më kujtojnë. Ndërkohë kënaqësia më e madhe është se vij pas kaq vitesh në Shqipëri dhe gjej sërish shumë shokë e miq të mi, që më duan dhe më respektojnë.

Mund të bëni një krahasim të atyre viteve kur garonit ju në Shqipëri dhe asaj që kaluat më pas…

Vitet tona ishin shumë të vështira, jo se tani kanë ndryshuar shumë për sportin, por nuk e di… ne u rritëm ndryshe, me frymën e respektit dhe dëshirës me shumë modesti.

Nëse do ta kthenit rrotën e historisë mbrapa, si do ta mendonte botën Pirro Dhima?

Shumë e vështirë, historia një herë shkruhet, nuk mund ta shkruash disa herë…

Ju vazhdoni të jeni akoma aktiv në peshëngritje, si e patë Olimpiadën 2008?

Sporti grek pas vitit 2004 ku arriti majën, e gjeti të papërgatitur në Pekin, duke e kthyer 20 vjet mbrapa. Kaloi shumë probleme, por besoj se do të rikthehet sërish. Mirë apo keq ka njerëz që e duan sportin, dhe në Shqipëri e njëjta gjë, janë njerëzit e sportit që vazhdojnë të rrinë afër sportit. Edhe unë në këtë moment jam afër sportit për ta ndihmuar. Kontributi im do të jetë duke qëndruar më afër dhe nuk ka rëndësi se unë do të kandidoj për president, e fitoj apo jo, e rëndësishme është të jap një kontribut.

Folët për një fikje të peshëngritjes greke, mos kanë qenë vallë vetëm emrat e Pirro Dhimës, Vitorit dhe Luanit ato që e mbajtën gjallë në këto vite?

Është e qartë që ne e mbajtëm gjallë. Pirro, Luani, Viktori, Xhelili, Goga… Ne e mbajtëm vërtetë, gjithsesi ka edhe djem të rinj që filluan peshëngritjen se ishte Pirro, Luani, Viktori… E filluan duke na patur ne si udhërrëfyes, si heronjtë e tyre dhe kjo është diçka e mirë, që gjen akoma djem të rinj që duan të punojnë.

Megjithëse ju jeni me flamurin grek do ktheheni sërish te Shqipëria se është një pjesë e jetës suaj. E keni ndjerë mungesën e Shqipërisë gjatë këtyre viteve?

Nuk e kam ndjerë nga fakti që i kam patur afër gjithnjë miqtë, është e qartë që jemi takuar shpesh atje. Por duke patur parasysh të gjitha impenjimet me gjithë ato trofe të fituar dhe një jetë krejt tjetër, nuk është e lehtë t’i kushtosh shumë kohë familjes, miqve, të bësh turizëm…

Je gjithë kohës në punë, stërvitje, në palestër ke shumë gjëra të tjera në kokë, ke shumë pak kohë të merresh me familjen dhe me njerëzit e tu. Kemi qenë larg fizikisht, për shkak edhe të kohës, por gjithsesi kemi qenë afër nëpërmjet komunikimeve të shpeshta në telefon. Më takonin atje dhe për këtë jam ndier mirë.

Në familjen tuaj sa pjesë shqiptare ka? E kam fjalën te fëmijët më shumë…

Fëmijët janë rritur me një nënë greke. Është pak e vështirë pasi e thashë që kam qenë larg familjes dhe ka qenë e vështirë t’u mësoj shumë fjalë shqip. Por gjithsesi më pyesin shumë për çdo fjalë e shumë gjëra të tjera që i kërkojnë fëmijët.

Ju e keni parë Olimpiadën e Pekinit dhe sigurisht që i keni ndjekur sportistët tanë, një plejadë e re, si e shikoni peshëngritjen shqiptare?

Peshëngritja shqiptare pavarësisht nga goditjet e shumta që ka patur gjithnjë ka qenë e mbushur me talente, pasi burimi ka lëshuar vazhdimisht ujë. Jam i sigurt që të gjithë këta çuna i njoh shumë mirë, i njoh, i kam parë në garim dhe them se do të ecin shumë përpara. Nuk është e lehtë të shkosh e të rrish atje lart, pasi atje ka shumë erë të fortë. Pra e rëndësishme është të dish të rrish aty…

Ju nuk keni ndërmend të largoheni përfundimisht nga sporti, kontributi juaj do të jetë në drejtimin e këtij sporti, do të ketë ndonjë pjesë edhe për Shqipërinë?

Ajo që unë mendoj është që të jemi afër dhe ta ndihmojmë sa më shumë njëri tjetrin, t’i japim dorën njëri tjetrit, se kështu do bëhemi më të mirë dhe do ndihmojmë më shumë edhe sportin.

Keni ardhur për herë të parë në Rinas, për të mos thënë fare, çfarë ndjesie patët kur erdhët në Rinas?

Kisha emocione të them të drejtën, nuk mund të them se isha shumë i qetë, kisha e emocione, arrita në Rinas, u qetësova më shumë kur pashë shokët, pashë qytetin tim që ka bërë shumë ndryshime, dhe jam i kënaqur që pas 17 vjetësh mbërrita në Tiranë. Jo se ishte kaq larg Tirana, por ishin të tjera kushte që na larguan.

Si ndjeheni tani në Shqipëri?

Jam i qetë, jam i lumtur, jam me shokë, miq, trajnerët e mi… Ndihem mirë, pasi kur ke shokë, ke gjithë botën, je i mbushur dhe ndihesh mjaft mirë. Të gjithë më duan më respektojnë dhe unë gjithashtu.

Dimë që së shpejti ju do të kandidoni në Greqi për postin e presidentit të federatës greke të peshëngritjes, cili është qëllimi i kësaj sipërmarrje dhe çfarë mendon se Pirro Dhima mund t’i japë ende sportit?
 
Po është shumë e vërtetë unë së shpejti do të kandidoj për presidencën e federatës grekë të peshëngritjes dhe mendoj se është një zgjedhje shumë e rëndësishme. Sporti grek, në veçanti peshëngritja, mori një goditje të madhe vitin e kaluar dhe të gjithë duhet të punojmë për ta ringritur.

E ndiej që sporti ka nevojë për pak më shumë mbështetje dhe t’i bëjmë të kuptojnë fëmijët që sporti është gjëja më e bukur në botë. Sporti i bën më të mirë dhe është një shkollë e rëndësishme për t’u rritur njerëz të mirë në radhë të parë dhe kampionë të mëdhenj. Besoj se kam mjaftueshëm emër në peshëngritjen botërore dhe të gjitha ato që unë i kam fituar në vite, dua t’ua mësoj sa më thjeshtë një brezi të ri.

Besoj se edhe kontributi për peshëngritjen shqiptare do të jetë shumë më i madh?

Natyrisht miqësia do të jetë shumë më e fortë dhe sporti shkon përpara me miq e shokë, ndaj të gjithë bashkë do punojmë ta ngremë sportin më lart.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama