Pirsing nje hobi qe shkakton probleme shendeti

Pirsing, nje hobi qe shkakton probleme shendeti
Mund të jetë në modë, por pirsing në gjuhë nuk është aspak i këshillueshëm, për më tepër nuk është as i shëndetshëm. Prej vitesh mjekët vazhdojnë të përsërisin rreziqet që sjell kjo tendencë: reaksione alergjike për shkak të metalit, rrjedhje gjaku të vazhdueshme, inflamacion të mishrave të dhëmbëve dhe abscese. Për të mos folur pastaj për infeksionet, të cilat mund të përhapen në trup të ndihmuara nga prania e enëve të shumta të gjakut në gjuhë, që janë jashtëzakonisht të shpejta. Këto lloj infeksionesh mund të jenë shumë serioze për shëndetin: hepatit B dhe C, por edhe endokardit, një infeksion i murit të brendshëm të zemrës, i cili nëse nuk mjekohet mirë, mund të ketë pasoja fatale. Lista e pasojave të pirsit në gjuhë nuk ka përfunduar ende: dhëmbët janë mes “viktimave” më të shpeshta. Sipas llogaritjeve, mendohet që pothuajse gjysma e personave që mbajnë pirsing në gjuhë, pas katër vjetësh kanë nga një dhëmb të prishur.

Hapësirë anormale

Ndërkaq, nga “Journal of Clinical Orthodontics” vjen paralajmërimi për një rrezik tjetër që quhet “diastema”, hapësira anormale midis dhëmbëve. Revista ka sjellë në fokus rastin e një vajze 26-vjeçare. Kur vajza kishte qenë 7 vjeçe, kish vënë një pirsing në gjuhë dhe tani i duhej t’u nënshtrohej kurave të specializuara për të korrigjuar këtë defekt (me një çmim shumë të lartë), sepse i ishte formuar një hapësirë e madhe mes dy dhëmbëve të parë lart. Dëmi ishte shkaktuar nga zakoni i keq i vajzës që e shtynte pirsing me gjuhë mes dy dhëmbëve të sipërm. Sipas koordinatores së studimit, Sawsan Tabbaa, nga universiteti “Buffalo School of Dental Medicine” (SHBA), ky nuk është një ves i rrallë.

Duke u bazuar te të dhënat e një studimi të mëparshëm të kryer te disa studentë amerikanë, është vënë re se të paktën tre në katër studentë e kanë zakon ta lëvizin pirsin me gjuhë. Për këtë arsye, edhe pasojat janë të pashmangshme: “Dihet që po të ushtrosh forcë për një kohë të gjatë mbi dhëmbë, ato do të spostohen”, - ka shpjeguar Tabbaa. Në rastin e pirsit në gjuhë, situata është pak më e ndërlikuar, për arsye se “pirsi nuk hiqet kurrë nga gjuha. Duke qenë se gjuha është e pasur me enë gjaku, një tentativë e vogël për ta hequr mund të çojë në mbylljen e vrimës”, - thekson ajo. “Prandaj, nuk ka asgjë për t’u habitur që presioni i vazhdueshëm i objektit metalik mbi dhëmbë, çdo ditë, pa pushim, mund t’i spostojë dhe t’i largojë dhëmbët nga njëri-tjetri”.

Ndërkohë, praktika sa vjen e po bëhet më e zakonshme. Para dhjetë vitesh, një studim i kryer nga dy universitete amerikane, të cilit iu nënshtruan rreth 450 studentë (nga 16 deri në 25 vjeç), e që më pas u publikua në “Mayo Clinic Proceedings”, tregonte përhapjen e kësaj tendence (pirsing në gjuhë) me 4 për qind te meshkujt dhe 16 për qind te femrat.

Në Europë

Problemi është se në Europë nuk ka shumë të dhëna për përhapjen e pirsit në gjuhë. Megjithatë, një kërkues i cili ka kryer një studim te studentët e gjashtë shkolla të mesme dhe më pas e ka publikuar punën e tij në revistën “Family Medicine”, thotë se edhe pse nuk është ndalur seriozisht në këtë fushë kërkimi, ka arritur të mbledhë disa informacione të rëndësishme, ndërkohë që në të ardhme mund të kryhet ndonjë studim më i detajuar.

Në pritje të këtyre informacioneve, ekzistojnë shifrat mbi përhapjen e fenomenit “pirsing në gjuhë”. Duke u mbështetur te një studim i kohëve të fundit, është zbuluar se fenomeni është i përhapur 20 për qind te personat e intervistuar. “Gjëja më e rëndësishme është se mosha e re e popullsisë, e cila ka qenë dhe objekt i studimit, parashikon që fenomeni do të vazhdojë të zhvillohet edhe në një të ardhme të afërt”, - ka shpjeguar studiuesi i Departamentit të Mjekësisë Mjedisore dhe Shëndetit Publik të Universitetit të Padovas. Ndërkohë, specialistët po mendojnë se si do ta përballojnë këtë gjë: në fakt gjuha nuk është e vetmja zonë ku pirsi mund t’i shkaktojë probleme serioze shëndetit.

Një studim tjetër i realizuar në Britaninë e Madhe te dhjetëmijë persona mbi 16 vjeç dhe i publikuar në revistën “British Medical Journal”, ka nxjerrë në dritë se si të rinjtë (16 deri në 24 vjeç) kishin pasur probleme shëndetësore që lidheshin me pirsin, madje në disa raste kishin rrezikuar edhe jetën për shkak të asaj kapriçoje. Ndërkohë, në 1 për qind të rasteve të rinjve u ishte dashur t’i nënshtroheshin mjekimit në spital.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama