Në kryeqytetin indonezian intinerari i pishtarit olimpik do të jetë më i shkurtër nga sa parashikohej dhe ceremonia zhvillohet praktikisht pa pjesëmarrjen e spektatorëve.
Sipas të dhënave nga komiteti organizator vetëm 5.000 të ftuar lejohen të shohin kalimin e pishtarit olimpik në Xhakarta në një itinerar prej shtatë kilometrash. Me dëshirën e palës kineze, itinerari i pishtarit është shkurtuar dukshëm, dhe është zhvendosur nga qendra e qytetit në një stadium. Këtë e ka konfirmuar Ritha Subovo, drejtore e komitetit sportiv të Indonezië. Rreth 2500 policë janë vënë në dispozicion, me qëllim të pengimit të protestave.
Edhe në kryeqytetin e Malajzisë, Kuala Lumpur u stacionuan ditën e djeshme një numër i madh forcash policore për të mbrojtur rrugëtimin e pishtarit olimpik.Pa incidente të rëndësishme pishtari përshkoi itinerarin prej 16 kilometrash në qendrën e qytetit. Rreth 3000 spektatorë ndër ta edhe shumë kinezë, që jetojnë në Malajzi valëvitnin flamurë kinezë dhe malajzezë. "Jam shume i entuziazmuar dhe vërtet krenar" u shpreh njëri nga spektatorët.
Tengku Imran, presidentit të komitetit olimpik të Malajzisë iu dorëzua pishtari nga kryetari i bashkisë së Kuala Lumpurit. Imran: "është e drejtë njerëzore të protestosh, por unë jam i mendimit, se nuk duhet ta trazoni rrugëtimin e pishtarit olpimik". Kjo nuk do të ishte gjë e mirë." iu drejtua ai spektatorëve.
Ndërsa Francis Toh, njëri nga sportistët që mbajnë flakën olimpike u shpreh kundër protestave: "Ne duhet të përqëndrohemi tek sporti dhe duhet ta lëmë politikën jashtë."
Pak para kalimit të pishtarit olimpik në Malajzi u arrestuan tre anëtarë të një familjeje japoneze. Në kohën që ata donin të ngrinin një flamur tibetian, u sulmuan nga nacionalistë kinezë dhe më vonë u nxorën jashtë aktivitetit nga forcat e sigurisë. Malajzia është etapa e katërt e rrugëtimit të flakës olimpike nëpër Azi. Indonezia e pesta. Në fund pishtari do të kalojë nëpër kryeqytetin e Australisë, Canberra. Pas kësaj flakës olimpike i mbeten vetëm stacionet e Japonisë, Koresë, Vietnamit dhe Kinës.
Një pishtar i dytë olimpik duhet të ngjitet në majën Everest. Se kur do të ndodhë kjo varet nga kushtet e klimës në malin më të lartë të botës.
Nga Gazeta Shekulli