Pjesa e IV Transparenca e veprimtarise se Kuvendit

TRANSPARENCA E VEPRIMTARISË SË KUVENDIT

Neni 105
Veprimtaria e hapur e Kuvendit
 
 
1. Veprimtaria e Kuvendit është e hapur, me përjashtim të rastit të parashikuar në nenin 43 të kësaj Rregulloreje.
2. Veprimtaria e hapur e Kuvendit realizohet nëpërmjet:
a) pjesëmarrjes së publikut në procesin ligjvënës;
b) pasqyrimit të veprimtarisë së Kuvendit dhe organeve të tij në median e shkruar dhe vizive;
c) botimeve të dokumentacionit parlamentar;
ç) faqes së internetit të Kuvendit;
d) rrjetit të brendshëm audiovizual.
3. Për realizimin e veprimtarisë së hapur në Kuvend organizohen shërbimet e specializuara të informacionit dhe të dokumentacionit parlamentar. Byroja e Kuvendit miraton rregullore të veçanta për funksionimin e tyre.
4. Përfaqësuesit e mediave që pasqyrojnë veprimtarinë e Kuvendit akreditohen pranë Kuvendit, sipas një procedure të veçantë të miratuar nga Byroja e Kuvendit.
 
Neni 106
Dokumentacioni parlamentar
 
 
1. Dokumentacioni parlamentar përfshin:
a) ligjet, vendimet, rezolutat, deklaratat e Kuvendit dhe projektet e tyre;
b) dokumentet që lidhen me ushtrimin e funksioneve të Kryetarit të Kuvendit;
c) dokumentet që lidhen me përgatitjen dhe zhvillimin e seancave plenare të Kuvendit;
ç) dokumentet që lidhen me përgatitjen dhe zhvillimin e mbledhjeve të komisioneve të Kuvendit;
d)  dokumentet që lidhen me veprimtarinë e organeve të Kuvendit;
dh) botimet parlamentare të Kuvendit;
e) prodhimet audiovizuale që lidhen me veprimtarinë e Kuvendit.
2. Dokumentacioni parlamentar është i hapur për publikun.
3. Dokumentacioni parlamentar dhe fondi historik i Kuvendit ruhen në Arkivin e Dokumentacionit Parlamentar. Sistemimi, klasifikimi dhe procedurat e përdorimit të dokumentacionit parlamentar dhe të fondit historik përcaktohen me rregullore të veçantë të miratuar nga Byroja e Kuvendit.

Neni 107
Botimet parlamentare
 
 
1. Botimet parlamentare përfshijnë:
a) procesverbalet e seancave plenare të Kuvendit;
b) procesverbalet e përmbledhura të mbledhjeve të komisioneve të Kuvendit dhe të seancave plenare, përkatësisht sipas neneve 39 dhe 54 të kësaj Rregulloreje;
c) ligjet, vendimet, rezolutat dhe deklaratat e miratuara nga Kuvendi;
ç) paraqitjen e veprimtarisë së Kuvendit dhe të organeve të tij;
d) raportin vjetor të veprimtarisë së Kuvendit;
dh) publikimet e paraqitura në faqen e internetit të Kuvendit.
2. Byroja e Kuvendit ka autoritetin e vendimmarrjes për botimet parlamentare.
 
Neni 108
Transmetimi nga Televizioni Publik Shqiptar
 
 
1. Miratimi i programit politik dhe i përbërjes së Këshillit të Ministrave, seancat e pyetjeve, seanca e përjavshme e pyetje-përgjigjeve, interpelancat, interpelancat urgjente, mocionet, mocionet e besimit dhe të mosbesimit, si dhe raportet e komisioneve hetimore transmetohen të plota nga Televizioni Publik Shqiptar.
2. Me kërkesën e Konferencës së Kryetarëve, Televizioni Publik Shqiptar transmeton në orët e shikimit më të shumtë edhe seanca te tjera plenare, për të cilat Konferenca e Kryetarëve ka vlerësuar, duke e përcaktuar në kalendarin e punimeve të Kuvendit, se duhet bërë transmetimi i tyre i plotë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama