Plagjiaturat e doktoraturave edhe dy viktima te tjera

Plagjiaturat e doktoraturave: edhe dy 'viktima' te tjera
Gjermani

Aktivistët gjermanë që u kanë shpallur luftë plagjiaturave të doktoraturave të figurave të larta politike në Gjermani po korrin suksese pas suksesesh. Përpjekja e tyre për të kapur në flagrancë edhe politikanë të tjerë kanë çuar drejt dorëheqjes një tjetër politikane dhe i kanë kërkuar një universiteti që t’i heqë doktoraturën edhe vajzës së ish-guvernatorit të një shteti.

Platforma e guximshme e internetit “Wikileaks” është përshkruar deri më tani si një nga sajtet më të rrezikshme në botë. Por për të paktën për politikanët gjermanë një tjetër faqe është shndërruar në një gogol të vërtetë. Bëhet fjalë për Gutten Plag Wiki një projekt që ka për qëllim kërkimin dhe rrëzimin e doktoraturave që janë bërë me plagjiatura të politikanëve të vendit. Suksesi i parë i kësaj faqeje dhe i njerëzve që punojnë pas saj u arrit me dorëheqjen që kërkoi menjëherë pas publikimit të plagjiaturës, ish-ministri i Mbrojtjes, Zu Gutemberg. Tani përfundimet e disa kërkimeve të fundit në lëmin e plagjiaturave kanë çuar në dy “viktima” të tjera. Silvana Koch – Mehrin, një anëtare shumë rëndësishme e Parlamentit Europian e Partisë Demokracia e Mirë deklaroi një ditë më parë se kishte ndërmend që të jepte dorëheqjen nga të gjitha funksionet drejtuese dhe  pas daljes së skandalit në lidhje me plagjiaturën e saj.

 Ndërkohë që një universitet gjerman ka deklaruar se do t’i hiqte gradën e doktoraturës vajzës së ish-guvernatorit të Bavarisë, Edmund Stoiber, sepse edhe ajo kishte bërë një plagjiaturë të paparë. Por dorëheqja e politikanes së PDF është me të vërtetë një goditje të madhe, sepse ajo u dorëhoq nga kreu i grupit parlamentar të kësaj partie që është në koalicion qeveritar, nga Parlamenti Europian në të cilin kishte postin e zëvendëspresidentes. Javët e fundit, aktivistët anonimë të këtij sajti kanë deklaruar se kanë gjetur plagjiatura të mëdha në të gjithë punimin e politikanes dhe kjo sipas tyre është provë se kopjimi në këtë rast është bërë qëllimisht dhe jo pa dashje.  Aktivistët ngulmojnë se ata nuk janë politikisht të motivuar, por vetëm duan që të mbrojnë “integritetin akademik të titullit “doktor” në Gjermani”. Në sajtin e tyre ata kanë publikuar edhe  plagjiaturat e tre personave të sipërpërmendur, si dhe vendet nga janë marrë materialet.

Ndërkohë, zëdhënësja e politikanes deklaroi se ajo ishte mërzitur” nga publikimi i detajeve të një punimi të saj personal dhe se mbi të gjitha nga dalja e këtyre detajeve pa përfunduar vlerësimi. Në një deklaratë me shkrim, politikania tha se po dorëhiqej, pasi e gjithë familja e saj ishte vënë nën një presion shumë të madh nga publikimet e gazetave në lidhje me disertacionin e saj. Disertacioni është një punim që merr në analizë dy sisteme monetare atë europian dhe amerikanojugor në shekullin e 19-të. Ky punim u publikua në vitin 2001 vit kur edhe politikania mori gradën e “doktores”. Koch-Mehrin, 40 vjeç, është një nga femrat më të fuqishme dhe më me pozitë në partinë që është në koalicion me partinë e Merkelit, pra që është në qeveri aktualisht dhe ka qenë deri në këtë moment një nga shpresat më të mëdha të saj.

Dorëheqja e saj është një tjetër moment shumë i vështirë për FDP     e cila ka kohë që përjeton një krizë të thellë brenda radhëve të saj, por edhe në marrëdhënie me kristiandemokratët me të cilët është në koalicion. Fillimisht  shkaku ishte rezultati i dobët që mori në zgjedhjet e saj në  Gjermani, si dhe i rënies së popullaritetit në sondazhet e fundit. Edhe lideri i saj, ministri aktual i Gjermanisë, Westerwelle, është detyruar që të japë dorëheqje nga kreu i partisë për shkak të problemeve të shumta.

Por zonja e sipërpërmendur politikane nuk është “fitorja” e vetme e VroniPlag. Dy ditë më parë, ky sajt ka njoftuar se Universiteti i Konstancës ka njoftuar se ishte duke ia hequr gradën “doktore” edhe Veronika Sass, vajzës së ish-guvernatorit të Bavarisë e Edmund Shtoiber. Sipas një deklarate të publikuar nga universiteti,  pasi është parë thellësisht teza e Veronikës është arritur në përfundim se pjesë shumë të mëdha të saj janë një plagjiaturë dhe një punim origjinal. VroniPlag, kishte zbuluar nga ana e saj shumë seksione të punimit të Sass që ishin plagjiaturë, madje edhe një seksion prej 40 faqesh që ishte marrë fjalë për fjalë nga burimi origjinal. Sass është juriste me profesion dhe ajo tha se nuk do të pranonte vendimin e universitetit dhe se do ta hidhte universitetin në gjyq nëse do të ishte e nevojshme.

E ndërkohë, ky komunitet që punon për të demaskuar plagjiatorët e doktoraturave po merr vazhdimisht mirënjohjen e publikut të gjerë. Së fundi i është dhënë edhe një çmim prestigjioz gjerman si websajti më i mirë i vitit.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama