Plagoset ne Siri Lavdrim Muhaxheri

Plagoset ne Siri Lavdrim Muhaxheri

I njohuri si komandant Muhaxheri është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Kosova prej disa ditësh. Lavdrim Muhaxheri, shqiptari nga Kosova, i cili para pak kohësh ishte fotografuar duke prerë në fyt një të ri shiit dhe për të cilin Kosova ka shpallur fletarrestim ndërkombëtar, raportohet të jetë plagosur gjatë luftimeve në Siri. Këtë e ka konfirmuar një shok i tij, i cili ka thënë se shpejt “luani” do t’i kthehet frontit të luftës.

“Lavdrim Muhaxheri mirë është me shëndet, është në shtëpi dhe nuk është në spital. Allahu ia mundësoftë sa më shpejt të shërohet nga plaga e operacionit dhe të kthehet në front bashkë me luanët tjerë”, ka shkruar shoku i Lavdrimit, Saleel Al Sawarim, shkruan gazeta “Express”. I njohuri si komandant Muhaxheri, së fundmi tronditi opinionin shqiptar në veçanti, pa përjashtuar audiencën ndërkombëtare me një foto të publikuar në llogarinë e tij në “Facebook”, ku Lavdrimi dukej me kokën e hequr të një fëmije në duar. Veprimi zgjoi debate dhe polemika si dhe nxiti shpalljen në kërkim ndërkombëtar për Luanin e Kosovës në Siri. Ndërkohë, disa shokë të tij në Kosovë janë arrestuar, në mesin e të cilëve edhe hoxha Zekirija Qazimi, i cili kishte qenë një ndër njerëzit kryesorë në nxitjen e qytetarëve të Kosovës për të shkuar në Siri.

Muhaxheri, që tani është lideri i luftëtarëve shqiptarë në grupin paramilitar të Shtetit Islam të Irakut dhe Shamit (ISIS), në luftë në Siri e Irak, ka punuar për KFOR-in, në kampin “Bondsteel” dhe për NATO-n në Afganistan. Në Ramazanin e vitit 2013, ai ka qenë pjesë edhe e aktiviteteve të BIK në Kaçanik, gjë që dëshmohet edhe nga disa fotografi. Ai është zgjedhur në vitin që shkoi komandant i shqiptarëve që janë pjesë e krahut të rebelëve kundër regjimit të Bashar Al-Asadit, por jo i pjesës që kërkon demokraci për Sirinë, por i krahut që kërkon një Siri me sheriat – grupet e afërta me Al Kaedën. Së paku një person i kthyer nga llogoret e luftës në Siri, kishte mohuar që ai është komandant. Ai tha që është vetëm garantues për shqiptarët që hyjnë në mesin e xhihadistëve. Pak ditë më parë, organet ligjvënëse në Kosovë kanë çuar pas hekurave disa persona që dyshohen për veprimtari terroriste, ndërkohë që thuhet se po mbikëqyren edhe persona të tjerë të lidhur me këtë grup. Vitin e kaluar u arrestuan edhe 6 persona të tjerë të dyshuar po ashtu për terrorizëm me bazë fetare islamike dhe një i shtatë është ende në arrati.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama