Plakja mund te shmanget

Plakja mund të shmanget
Këtë e shpjegon edhe neurologu Valgeir Thorvaldson, që në edicionin e fundit të "Neurology" ka publikuar një studim të detajuar, ku tregon se si mund të ruhemi nga demenca e pleqërisë, sëmundja më e përhapur te mosha e tretë. Fillimisht, sigurisht që hyjnë në punë këshillat e përgjithshme: mos pini duhan, hani pak ose aspak mish, përkushtojuni veprimtarive sportive të paktën katër herë në javë dhe kontrolloni gjithmonë tensionin.

Në këtë mënyrë do të jeni patjetër fizikisht dhe intelektualisht 20 vjet më të rinj se ata që nuk i zbatojnë fare këto rregulla. Në kërkimin e tij së bashku me një grup shkencëtarësh të tjerë gjermanë, zhvilluar te 288 pleq në Zvicër, të gjithë të datëlindjes 1901 dhe 1902, shkencëtarët zbuluan detaje mjaft të rëndësishme. Së pari është rreptësisht e ndaluar që ta konsiderosh moshën e tretë si një proces të pashmangshëm që nuk është në gjendje të mendosh, të flasësh, të lëvizësh apo të bësh llogari me lehtësi. Të moshuarit mund të jenë më të ngadaltë në ato procese që kanë lidhje me trurin, por këtë mund të arrijnë ta eliminojmë me ushtrimet e përshtatshme. Së dyti, të jesh i shëndetshëm fizikisht dhe mendërisht në moshën e tretë kërkon vërtet pak sforcim, por në fund të fundit ia vlen barra qiranë. Të bësh fjalëkryq, të hash shumë peshk, të pish pak alkool dhe mbi të gjitha të mbyllësh televizionin; këto ishin sekretet për të pasur një memorie të mirë, sipas studimit të organizuar nga Valgeier Thorvaldson, në një faqe interneti gjermane, ku u pyetën më shumë se 30 mijë persona.

Neuro-psikiatri Thorvaldson testoi plot 29500 njerëz. Pyetësori shërbeu për të vlerësuar performancën mnemonike në situata të ndryshme, në kërkim të recetës më të mirë për të pasur një kujtesë të hekurt. Ai vuri në provë kujtesën e kandidatëve, duke i bërë ata që të kujtonin objekte, listën e pazarit, emra, logo, fytyra e profesione dhe vuri në provë edhe aftësinë e tyre për të rikujtuar kujtime të largëta, si dhe të tregonin ndryshimin ndërmjet imazheve të njëjta. Së fundmi, të intervistuarve iu kërkua që t‘u përgjigjeshin një sërë pyetjesh mbi stilin e tyre të jetesës. Jo vetëm dieta, por edhe koha që i kushtohet televizionit dhe letërsisë është shumë e rëndësishme për kujtesën. Rezultoi se lexuesit e romaneve kanë një kujtesë më të mirë në kujtimin e emrave dhe të detajeve.

Njerëzit që pinë jo më shumë se dy gota verë ose birrë në ditë, ata që bëjnë aktivitet të rregullt fizik, fjalëkryqe dhe që hanë peshk të paktën një herë në javë, kanë treguar një rendiment më të lartë dhe një kujtesë më të mirë. Nuk janë vënë re diferenca ndërmjet burrave dhe grave. Ata kanë dhënë rezultate të njëjta në të gjitha testet, madje edhe testin që është bërë para televizorit. "Fikni televizorin, ose të paktën mos shikoni shumë", këshillojnë autorët e kërkimit. Studiuesit kanë nënvizuar se "ata që shikonin televizor më pak se një orë, regjistruan rezultate më të mira në të gjitha testet e kujtesës".

Ekspertët tregojnë se është më mirë të lexosh një libër, sepse e mban trurin më aktiv, sesa të rrish para televizorit, sepse truri bëhet pasiv. Por, ka edhe nga ato programe të cilat e vënë trurin në lëvizje. Këto këshillohet të shihen. Duhet bërë gjithçka për ta mbajtur trurin aktiv", përfundojnë ata. Një mënyrë tjetër shumë e rëndësishme është gjithashtu t‘u përkushtohesh lojërave që duan vërtet fantazi, ose nevojë për një improvizim të shpejtë. Para së gjithash, shahu: dueli me figurat e kundërshtarit të imponon të përqendrohesh, të detyron të mendosh edhe me koncepte matematike, me pak fjalë është një lloj gjimnastike për mendjen ideale. Një mënyrë tjetër për të mbajtur mendjen të angazhuar është edhe mësimi i japonishtes apo ndonjë gjuhe tjetër të vështirë. Kjo të shtyn drejt ushtrimeve mnemonike, por mbi të gjitha (përveç vështirësisë për të kujtuar ideogramat, apo simbolet e Katakanas, shenjat e japonishtes moderne) të ndihmon të arsyetosh me logjikën e një gjuhe dhe kulture tjetër. Së treti: të provosh të bësh ushtime që praktikisht duken të pamundura.

Për shembull, provoni të jeni zhongler, një ushtrim shumë i mirë për koordinimin mes muskujve dhe trurit për shkak të shpejtësisë me të cilën reagon. Është mirë, tregon psikiatri gjerman Hans Gutzman, që të stimulosh trurin e një të moshuari me sfida të reja. Me pak fjalë është rreptësisht e ndaluar të besosh se jeta si pensionist duhet të jetë vetëm kafe dhe relaks. Një tjetër shembull i gjimnastikës mendore është edhe muzika, si flaut apo piano. Të studiosh muzikë në moshë të madhe, paralajmërojnë neuropsikologët e Universitetit të Zyrihut, ndihmon në parandalimin e degradimit të kores ballore të trurit. Pastaj, të tjera këshilla të vlefshme janë padyshim gjimnastika dhe sporti. Ose, sidomos për gratë, një filxhan kafe, shumë më mirë nëse konsumohet nën shoqërinë e bashkëmoshatarëve. Pasditet e kaluara në pastiçeri të zonjushave të moshuara hyjnë padyshim në luftën kundër demencës së pleqërisë.


Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama