Ja si parashikohet të jetë Tirana sipas Draft Planit: Ne hartimin e Draft Planit, eshte parashikuar që gjithë metropoli i Tiranës, nga 850 mijë banorë që është sot te kaloje, 1 milionë banorë, ndërkohë që vetë qyteti i Tiranës parashikohet që nga 600 ne 650 mijë që është sot, do të shkojë ne rreth 800 tek 850 mijë banorë Ky Plan ka në themel të tij parime të forta të respektimit të pronës private, mjedisit dhe zhvillimit ekonomik. Me këtë Plan rivendoset hierarkia e strukturës urbane që nis nga blloku, ku parashikohen 600 të tillë, kompleksi avancon me lagjet dhe përmbyllet me njësitë administrative.
Ndërkohë, rajoni i Tiranës është ndarë në 2000 blloqe. Për secilin nga blloqet e Tiranës jane parashikuar sheshe lojrash, terrene sportive, objekte sociale. Qartë përcaktohet edhe pasaporta për secilin bllok dhe formula e menaxhimit të pronës. Studimi urbanistik sjell një vlerësim të barabartë të pronës private, si në rastet kur ndërtohet pallat, ashtu edhe kur është e destinuar për lulishte apo për rrugë. Fondi ndërtimor përkatës është llogaritur në këtë formë: popullatë, tërësia e metrave katrorë për frymë banim, që ka të nevojshme çdo banor dhe që janë norma projektimi, në fakt të huazuara edhe nga manualet ndërkombëtare. Po kështu, janë parashikuar edhe institucione publike si shkolla, kopshte e çerdhe etj.
Hapësirat e gjelbra zënë një vend të rëndësishëm. Draft Plani parashikon që të kete tre parqe periferikë. Parqet lokalë, në konceptin e Planit do të rikuperojnë nga funksioni i tyre, siç është Parku i Liqenit, Parku i Farkës dhe Parku i ri i Paskuqanit nuk do të arrijnë të realizojnë plotësisht funksionin e tyre, në rast se nuk do të mbështeten me parqe periferikë, me parkun e Kasharit, parku Sauk deri në Stërmas dhe parkun kombëtar të Dajtit.
Njëkohësisht do të ketë koridore të reja ekologjike që shtrihen përgjatë Bulevardit të ri dhe Lumit të Tiranës, si dhe parashikohet rritja e biodiversitetit në korridorin e Lanës. Po kështu të gjitha rrugët që do të ndërtohen dhe rikonstruktohen në Tiranë do ta kenë të detyruar të kenë rrjetin e korsive të biçikletave.
Ky Draft Plan parashikon krijimin e 7 poleve të zhvillimit të Tiranës:
• Një pol zhvillimi është ai që shtrihet poshtë Stacionit të Trenit dhe që merr një hov të madh zhvillimi, me zbatimin e projektit të “Grimshaë Architects”, për Bulevardin e ri dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës.
• Një tjetër pol shtrihet në zonën e spitaleve, i cili ka dimension kryesor aktivitetin shëndetësor, por natyrisht do të ketë edhe shërbime të tjera për qytetarët.
• Një pol tjetër do të shtrihet në qytetin Studenti, me funksion kryesor arsimin, por Plani sugjeron pasurimin e kësaj zone me shërbime të tjera rekreative, sociale dhe administrative, në mënyrë që të pasurohet dhe forcohet roli i këtij poli.
• Një pol i ri, ai jug - perëndimor do të krijohet rishtas, duke akomoduar shërbime që Tirana i ka me mangësi, kryesisht do të jenë shërbimet rekreative dhe sportive.
• Një tjetër pol është ai që shtrihet përgjatë Fushës së Aviacionit, në të cilin planifikohen shërbime biznesi dhe rekreacioni. Gjenerimi i këtij poli do të katalizojë dhe rizhvillimin e kësaj zone, si një nga zonat më të neglizhuara të qytetit.
• Në Polin e Kombinatit është parashikuar dhe akomodimi i disa funksioneve sportive, me sfond olimpik.
• Ndërsa, poli veri-perëndimor parashikon forcimin e funksionit arsimor të Kodër -Kamzës dhe pasurimin e shërbimeve dhe funksioneve në këtë zonë.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar rrjetit rrugor dhe transportit. Tirana do të ketë një rrjet prej 5 unazash. Unaza 2 është ajo që dikur quhej Unaza e Mesme, që gjithashtu do të funksionojë me sens unik lëvizjeje, por në drejtimin e kundërt të lëvizjes me Unazën 1. Unaza 3 është praktikisht Unaza ekzistuese e qytetit, por që sugjerohet plotësimi i saj për pjesën jugore të qytetit.
Plotësimi i saj në pjesën jugore është tejet i vështirë, në krijimin e një gjurme të plotë, ndaj mund të pranohet një ridimensionim i saj, duke komprometuar një pjesë të fluksit të lëvizjes. Unaza 4 është risi për Tiranën, pasi sot nuk ekziston as si gjurmë në asnjë prej planeve. Duke qenë se distanca nga Unaza 3 deri te Unaza 5 është relativisht e madhe, konsiderohet e rëndësishme që të vendoset Unaza 4, në gjurmën e së cilës mund të shtrihet dhe një nga linjat e Tramit.
Gjithashtu, një risi e Planit është edhe rrjeti i transportit publik. Linja Lindje - Perëndim është një nga më klasiket në qytetin e Tiranës, ndaj dhe tramvaji do ketë një linjë të tillë. Së dyti, linja Veri - Jug do të sigurojë shërbimet e lëvizjes së gjithë qytetit, drejt aeroportit dhe drejt zonës ekonomike. Linjat e autobuzëve do jenë komplementare me linjat e tramvajit, në mënyrë që të kapilarizohet mbledhja e flukseve të lëvizjeve.
Për këtë arsye, në nivelet e tjera të Unazave do të parashikohen linja autobuzësh. Gjithashtu, me linja autobuzësh do të mbulohen disa zona si: Shkoza, Rrapi i Treshit etj. Gjithashtu, parashikohen dhe lëvizjet interurbane. Sistemi i sugjeruar do të jetë sistem i integruar, që do të funksionojë me biletë unike, ndërsa stacionet e vendosura parashikohen që të jenë stacione të kombinuara të transportit, autobuz interurban, autobuz urban dhe tramvaj.
Ky Plan Urbanistik, për 3 muaj do t`i nënshtrohet një konsultimi të gjerë me qytetarë të Tiranës dhe grupe të interesit, për të arritur në produktin që përfaqëson interesin e çdo qytetari të Tiranës, pavarësisht moshës apo prejardhjes.