Manchester United po shikon mundësitë për realizimin e një prej goditjeve më të mëdha në merkato. "Djajtë e kuq" synojnë blerjen e superyllit të Barcelonës, Lionel Messi, shkruan tabloidi anglez "Daily Mail".
Sipas kësaj gazete, United ka bërë dy përpjekje në tri javët e fundit për të vlerësuar nëse është e mundur një blerje e tillë.
Për sjelljen e argjentinasit në "Old Trafford" do të duhet një shumë më e madhe se 85.3 milionë paund që Real Madrid pagoi për blerjen e Gareth Bale nga Tottenham.
Messi aktualisht ka një kontratë që e mban në "Camp Nou" deri në vitin 2018, por raportohet se ai po kërkon garanci të tjera nëse drejtuesit duan që të mbetet te Barcelona.
Sipas "Daily Mail", Messi ka refuzuar që të përjashtojë mundësinë e një ndërrimit të ekipit. Kjo vjen pasi ndihet i frustruar dhe i dëmtuar nga mediat në Spanjë që vazhdimisht e kanë sulmuar në lidhje me shmangien e taksave.
28-vjeçari është një nga sportistët më të paguar në botë dhe për këtë ai dhe babai i tij janë akuzuar për krijimin e kompanive fantazmë për shmangien e taksave. Numri 10 i katalanasve ka shënuar 453 gola në 531 ndeshje me Barcelonën.
United është vazhdimisht në kërkim të një ylli të madh të futbollit botërorë, pasi prej vitesh janë përpjekur për rikthimin e Cristiano Ronaldo-spor pa ia dalë mbanë. Gjithashtu vitin e kaluar u vunë në ndjekje dhe të Bale dhe Neymar.
Ndërkohë që Messi mbetet një hipotezë, United ka thuajse të garantuar blerjen e Zlatan Ibrahimovic, pasi suedezit i përfundon këtë verë kontrata me PSG-në.