Klubi i Skënderbeut ka bërë gati të gjithë dokumentacionin për ta dërguar çështjen e dënimit nga UEFA në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë.
Vet klubi në asnjë moment nuk e ka pranuar vendimin e organizmit të futbollit europian duke u shprehur se është i pabazuar në fakte. Megjithatë, pas dënimit, kampionët kanë gati planin B.
Çështja do të shkojë në KAS, në një kohë që bardhekuqtë kanë marrë garancinë nga avokatët që i mbrojnë se kanë shanse që të fitojnë në gjykatën supreme sportive.
Dhe, ndryshe nga sa është thënë se vendimi mund të merret shpejt nga KAS, ai mund të zgjasë edhe me muaj. Klubi mund ta fitojë çështjen dhe të dalë i pafajshëm edhe pas disa muajsh kur të kenë nisur kompeticinet europiane dhe Skënderbeu ta ketë humbur shansin.
Por, më pas, klubi mund ta padisë UEFA-n për prishje të imazhit dhe shkaktim dëmi financiar duke kërkuar një shumë të majme dëmshpërblimi. Mësohet se shuma mund të llogaritet si ajo e një skuadre që fiton Ligën e Kampioneve, rreth 46 milionë euro.
Pikërisht, kampionët e Shqipërisë do t'i shkojnë deri në fund çështjes. Edhe nëse humbasin pjesëmarrjen në Europë, pasi të kenë përfituar pavarësinë, Skënderbeu mund të përfitojë një shumë të konsiderueshme duke paditur organizmin e futbollit europian. Ditët në vazhdim do të jenë vendimtare për sa i përket kësaj çështje.
Fillimisht, do të shihet se kur do ta marrë në shqyrtim këtë çështje Gjykata e Arbitrazhit. Ende nuk dihet nëse do të ketë një gjyq të përshpejtuar apo që të zgjasë edhe disa muaj.
Një gjë e tillë do të mësohet në ditët në vazhdim se çfarë do të ndodhë me apelimin e klubit kampion në KAS-in e Luzanës.