Plani i partise se Merkel Si mund te punoni ne Gjermani

Plani i partise se Merkel: Si mund te punoni ne Gjermani

Gjermania, gjatë muajve të fundit, është përballur me një numër në rritje të azilantëve, që vijnë nga vende të ndryshme të botës, por që, sipas statistikave, kërkesat më të larta vijnë nga Ballkani Perëndimor dhe nga vende si Shqipëria, Kosova apo Serbia. Partia gjermane, CDU, e udhëhequr nga Angela Merkel, pas “jo”-ve të prera për dhënien e statusit të azilantit ekonomik, është duke hartuar një plan me masa lehtësuese për politikën e emigracionit. Sipas revistës gjermane “Der Spiegel”, CDU-ja është përpara një ndryshimi planesh sa i përket politikës së emigracionit. Sipas informacioneve të marra nga “Der Spiegel”, kërkesa për një ligj të ri për emigracionin në shtetin gjerman do të vendoset në një takim të bordit në shtator, pasi deri tani ka pasur shumë rregullore për emigrantët, dhe jo një ligj të hartuar siç duhet.

Por duket se një ide mjaft interesante që ju jep sadopak shpresë azilantëve është ai i kryebashkiakut të Hamburgut, Olaf Scholz, i cili pret që në ligj të përfshihet propozimi i tij për shqiptarët dhe ata që vijnë nga shtetet e ish-Jugosllavisë. Në amendamentin e tij ai shprehet se nëse shqiptarët apo qytetarët nga vende të tjera të Ballkanit e vërtetojnë se janë të aftë të kryejnë një punë në Gjermani, duhet t’u mundësohet hyrja në mënyrë legale. “Nëse ata mund të provojnë se mund të bëjnë një punë në Gjermani, t’u mundësohet hyrja e ligjshme. Kjo marrëveshje rekrutimi ka funksionuar më parë me ish-Jugosllavinë. Kjo do ndihmojë së pari ata që vërtet kërkojnë punë, që të mos zgjedhin rrugën e gabuar përmes azilit. Për shumicën e tyre, emigrimi lidhet me një vend pune”, shprehet kryebashkiaku i Hamburgut për “Der Spiegel”.

Sipas kryebashkiakut të Hamburgut, ideja e tij do të ndihmonte për të zvogëluar numrin e azilkërkuesve që vijnë nga gadishulli i Ballkanit. Ndërsa kreu i grupit të punës që do të merret me hartimin e projektligjit, Armin Laschet tha: “Ne kemi rregulla për emigracionin, por tashmë duhet të hartojmë një ligj të qëndrueshme dhe më të mirë”. Raporti duhet të miratohet nga Bordi Ekzekutiv Federal i CDU-së gjatë Kongresit të partisë që pritet të mbahet në dhjetor. Liderja e CDU-së, Angela Merkel ka sinjalizuar një miratimin të brendshëm për këto lehtësira që do të krijohen për emigrantët. Më herët ishte Sekretari i Përgjithshëm i CDU-së, Peter Tauber, që sinjalizoi ndryshimet në ligjin për emigracionin, por që hasi në kundërshtimin e ashpër të ministrit të Brendshëm, Thomas de Maiziere.

Sipas “Der Spiegel”, tashmë kancelarja Angela Merkel është pro miratimit të këtij ligji, duke dalë në krah të Tauberit. Socialdemokratët (SPD) kanë kohë që kanë bërë thirrje për një ligj të ri për emigracionin, për të rregulluar emigrimin e të huajve sipas kritereve specifike, por deri tani nuk kanë mundur të gjejnë gjuhën e përbashkët brenda koalicionit. “Aktualisht Gjermania është përfshirë nga një fluks emigrantësh si kurrë më parë. Debati politik për këtë çështje është eklipsuar nga sulmet mbi qendrat e azilkërkuesve,” shkruan Spiegel. Sipas Enti Federal për Migracion dhe Refugjatë (BAMF), gjatë gjysmës së parë të vitit 2015, rreth 32 mijë azilantë vijnë nga Siria. Ndërsa nga Ballkani Perëndimor, Kosova, Shqipëria dhe Serbia kanë numrin më të madh të azilkërkuesve.

Peter Tauber: CDU-ja do e miratojë ligjin për emigracionin

Sekretari i Përgjithshëm i CDU-së Peter Tauber u shpreh se ligji për emigracionin do të hartohet pavarësisht se ka hasur pengesa brenda partisë. “Në qoftë se ne duam një ligj për emigracionin, i cili do të krijojë kushte optimale jo vetëm për tregun e punës, atëherë ne duhet të flasim për një aprovim të këtij ligji” tha Tauber për “Die Welt”. Kjo mund të lidhet me atë se çfarë një emigrant duhet të sjellë për shtetin tonë falë edhe aftësive të tij. Sipas tij me këtë ligj do t’i hapet drita jeshile edhe bashkimit familjar.

“Ne do të konsultohemi edhe me komunitetin e biznesit mbi kuotat për profesione të caktuara. Në rast se një mjek vjen tek ne si refugjat, ai nuk ka arsye se përse mos qëndrojë të punojë këtu”, nënvizoi Tauber. Ai doli kundër lëvizjes “Pegida”, se emigracioni po forcon kërcënimi islamik. “Së pari, tek ne nuk vijnë shumë emigrantëve nga bota islame, së dyti, është ide e gabuar, që një mysliman nuk mund të jetë një qytetar i mirë në Gjermani. “Sfondi” jonë historik është i frikshëm, sepse ka pasur raste që familjeve të pakicave fetare u është mohuar të jenë qytetarë të këtij shteti”, u shpreh Tauber.

 



Ministri i Drejtësisë thirrje BE-së për emigracionin

Ministri i Drejtësisë Heiko Maas e quajti të papërgjegjshëm debatin për azil. Në vend që të frenojnë ardhjen e refugjatëve të rinj, BE-ja duhet të hartojë një ligj për emigracionin nënvizon ai. “Unë dua t’i jap Unionit një këshillë për hartimin e një ligji më të mirë për emigracionin. Ne të gjithë kemi një përgjegjësi për të dhënë një përgjigje të besueshme dhe të qëndrueshme për çështjet e emigracionit dhe integrimit” tha ai për “Bild”. Ai bëri thirrje për në një integrim të shpejtë të refugjatëve në tregun e punës, pasi sipas tij kjo do të “luftojë” problemin e mungesës së njerëzve të aftë për punë. “Kjo tregon pikërisht se kemi nevojë për një qasje gjithëpërfshirëse dhe duhet të mbështetet në fluksin e të rinjve”, u shpreh ministri. Ndërsa për kryeministrin e Bavarisë Horst Sëhofer, çështja është e qartë se rreth 40 për qind e kërkesave për azil në Gjermani shtrohen nga njerëz prej vendeve të Ballkanit. Por kuota e aprovimit të kërkesave të tyre është gati zero.

Megjithatë autoritetet duhet t’i marrin në shqyrtim kërkesat dhe komunat duhet t’i strehojnë fillimisht azilkërkuesit. Bavaria dëshiron të bëjë ndarjen e azilkërkuesve. Ato me pak mundësi për pranim duhet të dërgohen në dy kampe të ndërtuara enkas për pranë kufirit. Këtu bëjnë pjesë kryesisht njerëz nga vendet e Ballkanit. Serbia, Maqedonia dhe Bosnja e Hercegovina dhe Shqipëria që konsiderohen zyrtarisht “vendeve të sigurta të origjinës”, ku, sipas përkufizmit të qeverisë gjermane, nuk ekziston rreziku i përndjekjes politike, prandaj qytetarët e këtyre vendeve nuk kanë të drejtë për azil.

Në kampet e planifikuara të pritjes, kërkesat për azil duhet të shqyrtohen brenda dy javësh. Ai, kërkesa e të cilit është refuzuar, dhe kjo ndodh në shumicën e rasteve, duhet të kthehet shpejt. Sëhofer thotë se e sheh veten të detyruar në njërën anë përballë komunave të mbingarkuara, por edhe përballë popullsisë, që shqetësohet gjithnjë e më shumë nga rritja e numrit të azilkërkuesve. Ai pohon se me ndarjen e azilkërkuesve synon të hapë vend për refugjatët, që kanë me të vërtetë nevojë për mbrojtje.

Hoffman: Azilkërkuesit do të kthehen brenda 1 muaji

Azilkërkuesit shqiptarë në Gjermani nuk kanë asnjë shans për përfitimin e azilit në këtë shtet. Ambasadori gjerman në Tiranë, Helmut Hoffmann deklaroi edhe një herë se, Gjermania nuk jep azil për persona të cilët nuk e meritojnë atë.

“Në Gjermani tashmë janë montuar kampingje me çadra të improvizuara, në të cilat strehohen shtetas që kërkojnë azil nga Ballkani Perëndimor dhe kemi si objektiv që brenda katër javësh, këto procedurat e azil kërkimit të verifikohen dhe të mund të kthehen në atdhe. Sepse është krejtësisht e qartë që, të gjithë këta shtetas nuk kanë shans të marrin azil dhe të gjithë do të kthehen. Dhe unë shpresoj shumë që kjo të përflitet deri në fshatrat më të thella dhe në zonat më të thella. Pra, është shumë e rëndësishme që në Shqipëri për këtë temë të flitet dhe të flitet publikisht dhe hapur”, u shpreh Hoffman.

Ambasadori gjerman renditi disa arsye se përse shqiptarët nuk duhet të kërkojnë azil.

“Para së gjithash këtu humbasin profesionistët e kualifikuar, që punojnë në këto ndërmarrje dhe ky është një zhvillim negativ, që shkakton shumë probleme për vetë ndërmarrjen. Dhe problemi i dytë është që, në pak javë ose pak muaj do të jemi para një situate ku shqiptarët, të cilët kanë shitur gjithçka që kanë pasur në Shqipëria, do të kthehen dhe do t’u duhet t’ia fillojnë nga e para. Pra, nuk do të kenë asnjë gjë, prandaj është shumë e rëndësishme që kjo të shndërrohet në një debat publik. Prandaj është shumë e rëndësishme që ne të bashkëpunojmë ngushtë edhe me qeverinë shqiptare dhe institucionet përkatëse”, tha Hoffman.

Ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme dhe pala gjermane, kanë intensifikuar përpjekjet në luftën kundër migracionit të paligjshëm, nisur nga numri në rritje i azilkërkuesve shqiptarë në Gjermani. Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Elona Gjebrea dhe ambasadori gjerman në Tiranë, Helmut Hoffmann, inspektuan, pikën e kalimit kufitar në Kakavijë, ku kanë nisur punën për kontrollin e shtetasve që udhëtojnë jashtë Shqipërisë. Të përfshirë në këtë aksion janë efektivë nga Policia Kufitare shqiptare dhe Policia Federale.

“Ne shpresojmë që ky bashkëpunim të vazhdojë dhe shpresojmë që, së bashku të luftojmë emigracionin e paligjshëm. Është shqetësues fakti që qytetarët shqiptarë mendojnë se, mund të përfitojnë azil në vendet e BE-së, sidomos në Gjermani dhe me këtë rast ju bëj thirrje dhe një herë që të mos tentojnë këtë rrugë, pasi është çdo gjë e pamundur”, deklaroi zëvendësministrja Gjebrea. 40 qytetarë shqiptarë që kanë shkelur rregullat e qëndrimit në vendet e BE-së u kthyen dje. Zëvendësministrja theksoi se, qytetarët duhet të respektojnë rregullat e qëndrimit në vendet e BE-së dhe të mos mendojnë që rruga e azilit është rruga që mund t’i ofrojë një të ardhme më të mirë.

“Është një shenjë e mirë që ne punojmë në konsolidimin e përpjekjeve të përbashkëta për të luftuar kundër migracionit të paligjshëm“, u shpreh ambasadori Hoffmann. Që prej datës 16 korrik 2015 janë vendosur në Shqipëri 12 punonjës së Policisë Federale, të cilët kryejnë shërbimin e tyre së bashku me kolegët shqiptarë në pikat e kalimit të kufirit me Greqinë, Kapshticë dhe Kakavijë. Qëllimi i misionit është shkëmbimi i përvojave dhe mbështetja e Policisë kufitare shqiptare. Punonjësit e Policisë Federale mbështesin me konsulencë kolegët e tyre shqiptarë në mënyrë të veçantë gjatë mbikëqyrjes dhe kontrollit në kufi, me qëllim luftën e migracionit ilegal dhe krimit ndërkufitar.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama