Plasari Informoj SHIK-un per sulmin ndaj Bibliotekes

Plasari: Informoj SHIK-un per sulmin ndaj Bibliotekes
Përgjigja Shoqata e Punonjësve të Biblioteka të Shqipërisë Punonjësit e bibliotekave: Ky është izolim. Drejtori Bibliotekës Kombëtare Aurel Plasari, tha dje i shqetësuar para medias se një nënshtetas serb dhe një tjetër slloven, kanë sulmuar atë personalisht dhe institucionin që ai drejton.

Autorë të këtij sulmi publik në Akademinë e Shkencave, gjatë një konference për bibliotekat, sipas Plasarit janë Streten Ugreçiq, drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Serbisë dhe Tomaz Seljak, drejtor i Institut Informacijskih Znanost, Maribor. Ai vetë nuk ka qenë i pranishëm, kanë qenë specialistët dhe zëvendësdrejtorja e BK-së, të cilët pasi kanë dëgjuar fyerjet ndaj drejtorit të tyre "kanë lënë sallën gradualisht".

Plasari tha se "sulmi publik ka ardhur mbas orvatjesh shumëvjeçare të të quajtur Institut Informacijskih Znanost për përfshirjen e Shqipërisë në një projekt (model organizativ të sistemit) të quajtur "Kooperativni online bibliografski system in servisi (COBISS)", i themeluar në ish-Jugosllavinë më 1987." Nëpërmjet BK-së, rrjeti në fjalë, "do të donte të integronte në vete gjithë bazën e të dhënave të rrjetit kombëtar shqiptar.

BKSH nuk mund as të ndalojë dhe as të lejojë biblioteka - cilatdo qofshin ato - të integrojnë ose të çintegrojnë të dhënat e tyre në rrjete që i vlerësojnë me interes për to, sepse ndërhyrje të tilla nuk ia atribuon BKSh asnjë element në legjislacionin për bibliotekat në Republikën e Shqipërisë", ndaj edhe i quaj destabilizuese ndërhyrjet e dy nënshtetasve të huaj për ta shpërfillur këtë legjislacion dhe për të ushtruar mbi BKSh presion publik për shkeljen e tij duke i sugjeruar legjislacionet e vendeve të tyre përkatëse: serb ose slloven."

Të papranueshme, arrogante dhe tutoriale e quajti mënyrën që kanë përdorur dy individët e huaj, të përmendur më lart për të imponuar në Shqipëri një model të tyren. "Lodhen kot që e quajnë pengesë BK, sepse cilido nëpunës nuk do të kryente dot veprime të tilla antiligjore", tha Plasari.

Informacionin mbi çfarë ka ngjarë, ai ia ka përcjellë Shërbimit Informativ Shtetëror, dhe ia bën me dije, prokurorit të Republikës, Ina Rama, dhe kryeministrit, Sali Berisha. Sepse tekefundit drejtori e lidh situatën e një prapaskenë politike. "Ky sulm është realizuar pikërisht mbas përfundimit me sukses të edicionit V të Konferencës Kombëtare të Bibliotekonomisë mes Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë dhe Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, mbajtur në Tiranë nga 22 më 23 nëntor. Për më shumë përputhshmëri, po ashtu si BKSh në të njëjtën mbledhje është sulmuar nga njëri prej dy nënshtetasve të huaj edhe BKU e Kosovës."

Drejtori ka kujtuar se qëndrimi institucional i BKSh-së ka qenë mëse korrekt, madje ka treguar edhe gatishmëri, qysh në vitin 2002, për të promovuar arritjet e sistemit bibliotekar slloven - në këtë kuadër edhe të programit të tij COBISS. Këmbëngulja e COBISS-it për një marrëveshje me Bibliotekën Kombëtare është absurde, sepse në tjetër drejtim janë orientuar politikat e institucionit të lartë të librit dhe trashëgimisë kombëtare.

"Me siguri ata do të përgjigjeshin se e bëjnë këtë për të mirën e Shqipërisë. Por kjo as nuk përkon me politikat integruese të BK në Evropë, as në integrimin e Bibliotekës Botërore Dixhitale. Për ne, ai rrjet është një mbeturinë e rrjetit të ish Jugosllavisë. Ata bëjnë mirë që lidhen midis tyre. Bëjnë mirë të zgjidhin problemet që kanë me Kosovën, bazën e të dhënave që ia mbajnë të bllokuar Kosovës dhe të mos ëndërrojnë që problemet e rënda, perverse nga ana e tyre, nga ana serbe, që kanë me Kosovën, do t'i zgjidhin duke ndërhyrë edhe në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, që të nënshtrohet dhe të pranojë përfshirjen e Shqipërisë në këtë rrjet, gjë që nuk bën pjesë as në synimet tona madhore, as në drejtimet tona integruese evropiane."
Pse i drejtohet SHIK-ut zoti Plasari?

Sepse ai mendon se në këtë mes janë përfshirë elemente klienteliste të institucioneve shqiptare, përndryshe dy të huaj nuk do ta kishin kaq të lehtë të promovonin programet e tyre dhe të fyenin të zotin e shtëpisë. Denoncimi publik ishte njëri hap. Hapin e dytë institucional BKSH do të bëjë pranë strukturave evropiane, sepse drejtori Plasari mendon që duhen monitoruar paratë e atij Instituti slloven, ç'po bëhet me paratë e taksapaguesve evropianë.

Pas prezantimit të punës së deritanishme që është bërë vit pas viti nga BKSH, për procesin e automatizimit, dhe për përgatitjen e një grupi specialistësh të zotë që u përgjigjen standardeve të programeve që janë aplikuar për këtë proces, drejtori Plasari e mbylli komentin e tij gojor me këto fjalë: "Vihet re kontrasti i absurdit të presionit dhe kërkesave ndaj një Biblioteke Kombëtare që po integron bazën e të dhënave të veta në portalin evropian dhe të një rrjeti tjetër që i kërkon për vete këto të dhëna, dhe i kërkon me presion, me para, dhe së fundi me sharje personale. Mua më ka shpëtuar Zoti që nuk kam qenë në atë sallë, se atij serbi, mut muti, unë ia kisha treguar vendin." Përfaqësuesi i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, personi i ngarkuar për politikat e librit Ermir Nika, pohoi se ministria ka dijeni për angazhimin e COBISS-it në rrjetin e bibliotekave të Shqipërisë, të cilat varen nga kjo ministri. Ai nuk i hoqi dhe as i shtoi gjë fjalëve të drejtorit të Bibliotekës Kombëtare.

Politika e BKSH

BKSh ka punuar dhe vijon të punojë në dy drejtime madhore në përkim me politikat integruese të shtetit shqiptar: drejt integrimit europian, përkatësisht në portalin e bibliotekave, muzeve dhe arkivave EUROPEANA, si pjesëtarë me partneritet të plotë, dhe në ËORD DIGITAL LIBRARY, në të cilën BKSh është ftuar tanimë si partnere prej vitit 2009, madje me rezultate të lakmueshme për mundësitë e saj modeste dhe vetëm falë punës tepër të lavdërueshme të specialistëve të saj. Nga ana tjetër, baza e të dhënave elektronike të BKSh është tanimë publike, online, dhe si e tillë ajo mund të shfrytëzohet nga çdo individ jashtë dhe brenda vendit, institut.

Politika e COBISS

Koncepti i sistemit COBISS është futur 20 vjet më parë. Në dhjetor të 1987, Shoqata e atëhershme e Bibliotekave Kombëtare të Jugosllavisë përshtati një sistem bashkëndarës katalogimi, si bazë të përbashkët për sistemin e informacionit bibliotekar kombëtar dhe sistemin e informacionit shkencor dhe teknik të Jugosllavisë.

Roli i shërbimit të informacionit bibliografik, si dhe ai i zgjidhjeve organizative dhe zhvilluesit (krijuesit) të programeve (softeve) u morën përsipër nga Instituti i Shkencës dhe Informacionit (IZUM), nga Maribori, Sloveni. Falë mbështetjes së gjerë financiare të ministrisë së atëhershme federale të shkencës dhe teknologjisë, u krijua një rrjet kompiuterik bibliotekar, që më 1991, në kohën e shpërbërjes së Jugosllavisë, ndërlidhte 55 biblioteka nga të gjitha republikat dhe krahinat e saj autonome.

Shoqata e punonjësve të bibliotekave: Një rezolutë kryeministrit

Shoqata e Punonjësve të Bibliotekave të Shqipërisë e cila drejtohet nga një specialiste e vjetër e bibliotekave Tefta Buzo, ishte organizatorja kryesore e konferencës me temë "Roli i bibliotekave në shoqërinë e informacionit bazuar në dije". Konferenca u mbajt më 2-3 dhjetor në Akademinë e Shkencave. Bashkëorganizatorë ishin Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Instituti i Shkencës së Informacionit (IZUM), Maribor. Kishte kujdesin e Komisionit Kombëtar Shqiptar për UNESCO-n dhe Komisionit Kombëtar Slloven për UNESCO-n. Merrnin pjesë drejtorë dhe përfaqësues të Bibliotekave Kombëtare nga Mali i Zi, Maqedonia, Bosnje-Hercegovina, Bullgaria, dhe shumë specialistë të bibliotekave publike, shkollore dhe universitare të Shqipërisë.

Është folur kryesisht për gjendjen e bibliotekave në vendet përkatëse, për sfidat e zhvillimit, por edhe për të mirat nga bashkëpunimi me rrjetin COBISS. "Jemi të përgatitur t'ju ndihmojmë", tha në përfundim drejtori i IZUM-it, Tomas Seljak. Ndërkombëtarët po ashtu do të na hapin dyert. Ne po shkojmë në shtëpi, ju mbeteni këtu." Me këto fjalë Seljak, i ka kujtuar specialistët vendas që duhet të mbajnë lart vullnetin për bashkëpunim me të huajt dhe të përballen siç duhet me heshtjen e institucioneve, si Biblioteka Kombëtare.

Florida Misha, drejtoreshë e Bibliotekës Shkencore të Universitetit Politikenik të Tiranës tha se Shoqata e Punonjësve të Bibliotekave të Shqipërisë duhet të dalë me një rezolutë drejtuar qeverisë. Aty t'i bëhet e ditur pse BKSH është bërë pengesë për implementimin në Shqipëri të programeve të IZUM-i. "Të dalim me një rezolutë si shoqatë, për t'i dërguar një letër informuese qeverisë shqiptare për këtë gjë. Sepse për ne, ky është mendimi im personal, është një turp shumë i madh që ato 5-6 vite të IZUM-it, të hidhen në plehra.

Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për ndihmën e madhe që na ka dhënë IZUM-i me drejtorin e vet. S'mund të rrimë e të dëgjojmë, dhe vetëm të dëgjomë. Ne si popull nuk kemi iniciativë. Ne si popull na shtypin dhe rrimë prapë aty ku jemi." Misha ka përmendur ndihmën që kanë marrë nga IZUM-i 10 biblioteka publike të Shqipërisë, ndihmë në pajisje, në pasurim fondesh. Janë 15 persona që bëjmë master falas për Bibliotekonomi në Slloveni.

"Për të mos folur për lidhjen me internet", shton Misha. "Biblioteka që drejtoj kishte instalimet e kohës së Italisë. Janë investuar 50 mijë euro për instalimet e rrjetit elektrik. Për herë të parë në punën tonë ndriçohet ambienti plotësisht. Kurse tani kundërshtimi është i një njeriu të vetëm. Zoti Plasari është ftuar për bashkëpunim." Një tjetër ish punonjëse e Bibliotekës Kombëtare, anëtare e Shoqatës tha se jo vetëm bibliotekat kombëtare, por të gjitha bibliotekat publike, të shkollave, të universitetit, që këmbejnë të dhënat, kanë nevojë për mbështetjen iu ofron rrjeti COBISS.

"Zoti Plasari nuk ka thënë as arsye pse nuk do të bashkëpunojë. Por nëse ai nuk do të bashkëpunojë, çfarë alternative tjetër ka? Është e vërtetë që ligjërisht bibliotekat nuk janë në varësi BK, por nga ana metodike janë në varësi të saj", thotë ish punonjësja.

"Zoti Plasari duke mbajtur këtë ombrellë të mbyllur i mban të gjithë të tjerët në shi. Që të vijosh bashkëpunimin me COBISS ose me rrjete të tjera shumë të mëdha, duhet të jetë një qendër trajnimi, e pajisur, ku të specializohet dhe trajnohet personeli. Do të kemi shumë më tepër kursime në qoftë se këto hapa që një ditë do t'i bëjmë, i bëjmë brenda një rrjeti ku janë gjithë këto eksperienca pozitive. Është më mirë kështu se sa të nisim diçka të re që do ta kushtojë shumë dhe do mbetemi në mes të rrugës."

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama