Antikuarë, libra me dedikime, dorëshkrime, “Hylli i Dritës” me korrigjime... I përkasin të gjitha bibliotekës personale të Gjergj Fishtës. Për pak orë janë ekspozuar dje në Bibliotekën Kombëtare. “Fishta mes dy bibliotekave”, është ekspozita që pas Shkodrës ka mbërritur edhe në Tiranë. Për kureshtarët janë paraqitur vepra të rralla që kanë qenë pjesë e bibliotekës personale të Fishtës e që gjatë viteve të diktaturës u përvetësuan nga shteti në mënyrë të dhunshme. Tashmë janë pjesë e bibliotekës “Marin Barleti” të Shkodrës. “Kjo është një ekspozitë e konceptuar mbi një numër të mirë ekzemplarësh me vlera të rralla nga biblioteka vetjake e Fishtës. Në Bibliotekën Kombëtare Fishta është çliruar tërësisht, duke u ekspozuar që në vitin 1998 me rastin e 100-vjetorit të shkrimtarisë së tij.
Në vitrina gjenden disa nga fushat e interesit të Gjergj Fishtës, nga letërsia, tek artet, albananologjia, balkanologjia, shembuj dorëshkrimesh të korrigjuara, ndërkohë që një material dokumentar tregon konfiskimet e viteve të ndryshme të bibliotekës së Fishtës, françeskanëve etj. Janë disa lista me mijëra tituj librash që sot përbëjnë kuriozitet”, ka thënë Plasari. Drejtori i BK-së ka shfrytëzuar rastin e pranisë së Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe ministrit të Kulturës, Aldo Bumçi, për të bërë kërkesë e për të shprehur mbështetjen për realizimin e një albumi me veprat e Fishtës. “Unë ju kam premtuar kolegëve të mi, ideatorëve të ekspozitës Rezarta Draçinit dhe Gjovalin Çunit gjithë ndihmën time për një katalog të mundshëm, ku do të synohet të riprodhohet gjithçka që është gjetur dhe rikuperuar nga biblioteka e atë Gjergj Fishtës, pjesë të së cilës i kemi dhe në Bibliotekën Kombëtare.
Për këtë qëllim u bëj thirrje qytetarëve të Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë që mund të kenë ekzemplarë të tillë, të ndihmojë për t’i përshkruar në katalog”, ka theksuar Plasari. Ndërkohë, duke u ndalur te figura e Fishtës, Rezarta Draçini ka theksuar se gjatë kohës që e realizonin këtë ekspozitë e kanë përjetuar si mbarimi i një lufte të diktaturës ndaj njeriut Gjergj Fishta.
“Diktatura i shkatërroi varrin duke menduar se do të shkatërronte edhe kujtimin e të gjallëve për të. Por Gjergj Fishta ishte më i madh sa mendonin, kishte lënë pas veprën e tij”, ka theksuar Draçini. Ajo ka kujtuar se pasuria librore e Fishtës ishte pjesë e bibliotekës françeskane të Shkodrës, e cila u themelua më 1875-n fillimisht me pak libra, por që më pas u kthye një ndër bibliotekat më të pasura. Numri i librave i kalonte mijërat, aq më tepër kishte botime të viteve 1500, duke e kthyer në një pasuri kombëtare. Një rol të rëndësishëm në pasurimin e bibliotekës kishte atë Gjergj Fishta. Në ekspozitë ishin paraqitur rreth 100 njësi të ndara sipas tematikave, ku vendin kryesor e zinin librat në fushën e albanologjisë (44 të tillë), pjesa më e madhe në gjuhë të huaj që nuk i përkasin vetëm çështjes shqiptare, por edhe Ballkanit. “Interesante janë librat me dedikime, sepse shohim marrëdhëniet që Fishta ka pasur me personalitete të tjera, ndërkohë që po me kaq interes janë shënimet që vetë Fishta ka bërë te kënga “Kulçedra” e “Lahutës së Malcis”, botuar në “Hylli i Dritës”.
Antikuarët janë botime të viteve 1500, jo vetëm të karakterit fetar, por filozofike madje edhe në fushën e arkitekturës”, ka theksuar Draçini. Gjovalin Çuni, drejtori i bibliotekës “Marin Barleti” të Shkodrës, nuk është ndalur më te ekspozita, por te dixhitalizimi që i është bërë revistës “Hylli i Dritës” të Fishtës. “Ne kemi publikuar vetëm pjesën e parë në DVD që përmbledh 9 vitet e para. Është dedikim i të përditshmes që na ka nxitur të bëjmë këtë punë: “Tuj mendu se kjo punë ka me ndihmue në përhapjen e kulturës kombëtare’”, ka theksuar Çuni. Nga një kopje të numrave të dixhitalizuar ai ka dhuruar për zonjën Topalli, Kryeministrin Berisha, ministrin Bumçi dhe drejtorin Plasari.